Çfarë do të gjeni në brendësi
*Ditën e sotme, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë pretencën për 7 ish-zyrtarët e pandehur për fraksionin 1 të dosjes 5D. në total organi i akuzës ka kërkuar dënimin me 39 vite burg për ish-drejtorët dhe zyrtarët e bashkisë së Tiranës të cilët kishin ngritur një skemë korruptive të përvetësimit të taksave të qytetarëve nëpërmjet një kompanie e cila merrte tenderat publikë. *Përveç dënimit me burg, SPAK kërkoi edhe dënimin plotësues për: Redi Mollën, Mariglen Qaton, Taulant Tushën, Albano Jankun, Enton Punavijën, Julian Zanajn dhe Nestor Muhametllarin duke u ndaluar ushtrimin e funksioneve publike për disa vite. *Po ashtu është kërkuar konfiskimi i kompanive me kapital miliarda lekë në total si dhe pronave të përfituara në mënyrë kriminale nga ana e ish-zyrtarëve si dhe konfiskimi i përqindjes së Redi Mollës hotelin luksoz të ndërtuar në Durrës.
Kompani me mld lekë dhe aksionet e hotelit në Vollga, SPAK kërkon konfiskimin e pasurive të ish-zyrtarëve të bashkisë Tiranë
Krahas kërkesës për dënimin me 39 vite burg në total për 7-ish-zyrtarët e bashkisë Tiranë, SPAK ka kërkuar edhe konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive të paluajtshme me vlerë miliona euro të cilat ishin përvetësuar nga të pandehurit.
Mes këtyre pasurive janë:
1. Shoqëria tregtare "5D Konstruksion" sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, dhe vlera e aktiviteve të deklaruara në organin tatimor në momentin e sekuestrimit ka qenë totale 148,884,372 leke.
2. Pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 506.25 m2, ndërtesë me sipërfaqe 164 m2, si dhe pasuria e paluajtshme e llojit truall me sipërfaqe 51.3 m2, ndodhur në rrugën "Tefta Tashko", pranë Pazarit te Ri, Tiranë, të rregjistruara në emër të shtetasve Selim Molla dhe Ollga Molla me një vlerë prej 48,789,000 lekësh.
3. Shoqërie "Restur" sh.p.k, së bashku me pasuritë e paluajtshme dhe të luajtshme në pronësi të saj, si dhe 24 % e kuotave në shoqërinë tregtare që po ndërton hotelin në zonën e Vollgës në Durrës, ku në përgjimet e SPAK dolën edhe biseda “është hoteli i Lali Erit”. Vlera e këtyre aksioneve tha SPAK është 20,853,864 leke, ndërsa vlerat e investuara nga shoqëria "Restur" sh.p.k në shoqërinë "Mediterranean Investment Group" sh.p.k në formën e "dhënies hua nga ortaku" janë në total shumën prej 564,000 Euro.
4. Pasuritë e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 122.7 m2, dy vendparkime me sipërfaqe secili prej tyre prej 42 m2, si dhe pasuria e llojit apartament me sipërfaqe të përgjithshme 86.4 m2 në emër të shtetases Sanie Qato, me vlerë 21,910,000 lekë. Versus.al
Përfituan mln euro nga skema 5D, SPAK kërkon 39 vite burg për 7 ish-drejtorët dhe zyrtarët e bashkisë Tiranë
Prokuroria e Posaçme ka shpallur pretencën duke kërkuar dënimin e 7 zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës në kuadër të “Dosjes 5D” që u gjykua me procedurë të zakonshme. SPAK kërkoi dënimin e 3 drejtorëve të Bashkisë dhe 4 shtetasve të tjerë, përfaqësues të Bashkisë dhe kompanisë “5D”, përkatësisht:
Redi Molla 11 vjet burg, dënim potësues ndalim ushtrimi të funksioneve publike për 5 vite
Mariglen Qato 9 vjet burg, dënim plotësues ndalim ushtrimi të funksioneve publike për 5 vite
Taulant Tusha, 4 vjet burg, dënim plotësues ndalim ushtrimi të funksioneve publike për 5 vite
Albano Janku, 2 vite, dënim plotësues ndalim ushtrimi të funksioneve publike për 5 vite
Enton Punavija, 3 vjet burg, dënim plotësues ndalim ushtrimi të funksioneve publike për 5 vite
Julian Zanaj, 3 vjet burg, dënim plotësues ndalim ushtrimi të funksioneve publike për 5 vite
Nestor Muhametllari, 7 vjet burg, dënim plotësues ndalim ushtrimi të funksioneve publike për 5 vite
I vetmi që ndodhet në burg nga emrat e mësipërm është Mariglen Qato. Ata akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Redi Molla dhe Mariglen Qato thotë SPAK, kanë qenë pronarët “de facto” të shoqërisë 5D Konstruksion sh.p.k, duke përdorur pronarë fiktivë, ndërsa vetëm në këtë dosje të dërguar për gjykim kanë marrë 12 tendera duke përfituar rreth 2 milionë euro në periudhën 2016-2020.
Më herët, Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor duke dënuar katër prej të pandehurve që u gjykuan në proces të ndarë për dosjen “5D”, por që nuk do të bëjnë asnjë ditë burg. Drejtoresha e klubit shumësportësh, Deborah Keçi, me tre anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Renaldo Gjerazi u dënuan me shërbim prove për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera. Sipas SPAK, ata krijuan kushte dhe privilegjuan kompaninë “5D” të drejtorëve të Bashkisë së Tiranës në mënyrë që të shpallej fituese në procedura tenderash. Versus.al

