
Hasan Ferracaku, i hetuar si një nga autorët e masakrës së rëndë të Velipojës, është arratisur nga banesa ku po vuante masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, pavarësisht se mbahej nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga efektivët e Policisë së Shtetit.
Sipas Policisë së Shkodrës, mungesa e tij u konstatua rreth orës 05:30 të mëngjesit në banesën e tij në lagjen “Guerrile”, ku efektivët e caktuar kishin për detyrë ta ruanin 24 orë në 24. Menjëherë pas konstatimit të arratisjes, policia ngriti pika kontrolli dhe nisi kërkime intensive në banesa dhe ambiente të tjera ku dyshohet se ai mund të jetë strehuar, por deri më tani Ferracaku nuk është lokalizuar.
Burime zyrtare bëjnë me dije se Ferracaku ndodhej në arrest shtëpie pasi i kishin përfunduar afatet e paraburgimit. Edhe pse nuk ndodhej në institucion paraburgimi, ai mbahej nën mbikëqyrje të pandërprerë policore, në zbatim të vendimit të gjykatës.
Ngjarja ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), e cila ka arrestuar në flagrancë katër punonjës të Njësisë së Sigurisë Kombëtare Shkodër, të dyshuar për veprën penale "Shpërdorim detyre", të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Në pranga kanë përfunduar inspektorët Dorjan Hasandoçaj, Gentian Xhanari, Dioniz Hotaj, si dhe punonjësi Ridvan Zefi, të gjithë me detyrë pranë Trupës Operacionale të Njësisë së Sigurisë Kombëtare Shkodër.
Sipas njoftimit të AMP-së, arrestimi i efektivëve u krye pas verifikimeve dhe veprimeve hetimore të ndërmarra menjëherë pas marrjes së informacionit se Hasan Ferracaku nuk ndodhej më në banesën ku duhej të mbahej nën mbikëqyrje dhe kontroll policor.
Ndërkohë, ndaj vetë Hasan Ferracakut është ngritur edhe dyshimi për kryerjen e veprës penale "Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit", pasi dyshohet se ka thyer kushtet e masës së sigurisë të caktuar nga gjykata.
Ferracaku është një nga personat e hetuar për masakrën e ndodhur më 26 qershor 2021 në Velipojë, një prej ngjarjeve më të rënda kriminale të viteve të fundit. Konflikti i armatosur, i cili nisi pas një sherri për vendosjen e shezlongëve në plazh, u përshkallëzua në përdorimin e armëve të zjarrit, duke lënë të vrarë katër persona: Kujtim Ferracakun, vëllezërit Edmond dhe Xhovani Gocaj, si dhe kamarierin 20-vjeçar Myzerim Zeneli, i cili ndodhej në ditën e parë të punës.
Në atë ngjarje Hasan Ferracaku mbeti i plagosur dhe më pas u arrestua së bashku me nipin e tij, ndërsa tre djemtë e tij u shpallën në kërkim.
Materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e arratisjes dhe përgjegjësitë e mundshme të punonjësve të policisë që kishin për detyrë mbikëqyrjen e tij.

