Çfarë do të gjeni në brendësi
*Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar sot 9 nëntorin si datën për zgjedhjet e parakohshme vendore për bashkinë e Tiranës dhe 5 bashki të tjera si: Matin, Tepelenën, Vlorën, Beratin dhe Cërrikun. *Përsa i takon ngërçit kushtetues për bashkinë e Tiranës, për shkak se Kushtetuesja ka marrë në shqyrtim ankimin e Veliajt, presidenca sqaron se duhej që kryebashkiaku i shkarkuar ta dorëzonte ankimin në gjykatën administrative dhe jo në Kushtetuese. *Gjykata Kushtetuese nuk pati asnjë koment lidhur me dekretin e Begajt. *Ndërsa Partia Demokratike e cilësoi këtë si dëmin më të madh që Begaj i ka bërë presidencës duke rrënuar autoritetin e gjykatës Kushtetuese. Kreu i grupit parlamentar e cilësoi Begajn si ‘’robot’’ që firmos çdo gjë që i kërkon Rama.
Begaj dekretoi zgjedhjet për Tiranën dhe pse Kushtetuesja i pezulloi, PD: Nuk është president, por robot i Ramës
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazmend Bardhi ka reaguar ashpër pasi Begaj dekretoi datën 9 nëntor për zgjedhje të parakohshme edhe në Tiranë, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese e kishte pezulluar procesin duke marrë në shqyrtim ankimin e Veliajt.
Bardhi tha se me shkeljen e rëndë që ka kryer sot, Begaj ka rrënuar edhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese duke shtuar se asnjë në 35 vite demokraci nuk e kishte dëmtuar kaq shumë institucionin e presidencës.
“Asnjë surprizë nga Bajram Begaj! Ashtu siç kishim paralajmëruar, Bajram Begaj nuk është President i shqiptarëve, por një robot që komandohet nga Edi Rama. Me shkeljen e rëndë që ka kryer sot ndaj Kushtetutës, Presidenti i Republikës ka kryer një puç kushtetues sepse ka rrënuar edhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë dhe themelet mbi të cilat ndërtohet shteti i së drejtës.
Zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Tiranë janë futur në një ngërç kushtetues për shkak të aktit të sotëm të Presidentit të Republikës. Juridiksionin e shqyrtimit të ankimit ndaj VKM-së së shkarkimit nuk e cakton Edi Rama në relacion, por Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Një mandat kushtetues nuk mund të ndërpritet veçse për shkaqet e parashikuara shprehimisht në Kushtetutë dhe kjo i nënshtrohet kontrollit kushtetues. Askush në 35 vjet demokraci nuk e ka dëmtuar kaq shumë reputacionin e Kreut të Shtetit. Arsyet janë tërësisht banale: Edi Rama ka marrë peng Bajram Begajn, dhe e komandon atë njëlloj si “Diellën”, shkruan Bardhi. Versus.al
Gjykata Kushtetuese pas dekretit të presidentit Begaj për Tiranën: Nuk kemi koment!
Gjykata Kushtetuese refuzoi të komentojë vendimin e presidentit Bajram Begaj për të dekretuar datën 9 nëntor për zgjedhjet në bashkinë e Tiranës.
Euronews Albania ka pyetur Gjykatën Kushtetuese se cili ishte qëndrimi i tyre lidhur me kushtetutshmërinë e vendimit të presidentit, “për aq kohe sa në Gjykatën Kushtetuese është depozituar një ankimim nga pala mbrojtëse e ish-kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe sipas nenit 115 te kushtetutës, çdo vendimmarrje pezullohet”.
“Nuk kemi asnjë koment për çështjen”, ishte përgjigjja e Kushtetueses.
Presidenti dekreton zgjedhjet e pjesshme më 9 nëntor në 6 bashki, përfshi dhe Tiranën
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar ditën e dielë, 9 nëntor 2025, si datën për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie në 6 bashki të vendit: Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik.
Sipas njoftimit zyrtar, vakancat në bashkitë Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik janë krijuar nga dorëheqja e kryetarëve, ndërsa në Tiranë shkarkimi i kryebashkiakut është bërë nga Këshilli i Ministrave, mbi bazën e një propozimi të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Vendimi u miratua me 50 vota pro dhe vetëm 1 kundër nga këshilltarët.
Presidenca sqaron se për rastin e Tiranës, Presidenti ka shqyrtuar rregullshmërinë e procedurës, duke konstatuar se ajo është ndjekur në përputhje me kompetencat e Këshillit Bashkiak dhe të Këshillit të Ministrave. Në këtë rast, ankimi i mundshëm nuk i takon Gjykatës Kushtetuese, por juridiksionit administrativ.
Institucioni i Presidentit thekson se, deri më tani, nuk është paraqitur ndonjë ankim për vendimin e qeverisë, ndërsa dekreti për shpalljen e zgjedhjeve duhej firmosur brenda 48 orëve nga njoftimi zyrtar.
Në fund, Presidenti u ka bërë thirrje partive për një fushatë konkurruese, etike dhe në respekt të Kodit Zgjedhor, si dhe qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në votime.
Kujtojmë se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka kundërshtuar shkarkimin e tij të propozuar nga Këshilli Bashkiak dhe të firmosur nga kryeministri Edi Rama, duke e çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, ku edhe është vendosur pezullimi deri në marrjen e një vendimi.
Njoftimi zyrtar i Presidencës:
Presidenti i Republikës dekretoi sot ditën e dielë, datë 9 nëntor 2025, si datën për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie për bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik, pas marrjes së njoftimit për vakancat nga Këshilli i Ministrave në datën 30 shtator 2025.
Vakancat në bashkitë Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik janë krijuar për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të bashkive, kurse vakanca në Bashkinë Tiranë është krijuar për shkak të shkarkimit të kryetarit të bashkisë nga Këshilli i Ministrave, pas propozimit nga Këshilli Bashkiak Tiranë, i cili me votën e këshilltarëve të shumicës dhe të pakicës (50 vota pro dhe vetëm 1 kundër) kërkoi që t’i hapet rruga zgjedhjeve të parakohshme për kryetar bashkie në Tiranë.
Për shkak të interesit të lartë publik, Institucioni i Presidentit të Republikës sqaron se për vakancën e krijuar në Tiranë, Presidenti shqyrtoi rregullshmërinë e procedurës së ndjekur, në këndvështrim të respektimit të pavarësisë dhe autoritetit propozues të këshillit bashkiak dhe konstatoi se deklarimi i vakancës është bërë në përfundim të një procesi konstatimi dhe verifikimi, të kryera sipas kompetencës nga Këshilli Bashkiak Tiranë dhe nga Këshilli i Ministrave.
Në respekt të neutralitetit institucional, Presidenti i Republikës nuk shqyrton meritën e çështjes.
Nga praktika dokumentare e çështjes rezulton, se Këshilli i Ministrave ka referuar tek kuadri ligjor, i cili përcakton se shkarkimi për “mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë” përbën rast të ndryshëm nga shkarkimi “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” që parashikon neni 115 i Kushtetutës, gjë që do të thotë se për VKM nr.539, datë 25.09.2025 nuk zbatohet juridiksioni kushtetues për të drejtën e ankimit, por juridiksioni gjyqësor administrativ.
Vendimi i Këshillit të Ministrave që shkarkon kryetarin e bashkisë “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” pezullohet, në rastin kur ndaj tij paraqitet ankim në Gjykatën Kushtetuese. Çdo vendim tjetër që shkarkon kryetarin e bashkisë për shkakun, se ky i fundit “dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata” ose se “propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”, përveçse ankimohet në Gjykatën Administrative (jo në Gjykatën Kushtetuese), pezullohet vetëm nëse pezullimi urdhërohet posaçërisht nga Gjykata Administrative.
Sikurse rezulton nga dokumentacioni shoqërues i VKM-së, ky sqarim ligjor ka qenë në dispozicion të palës dhe të publikut që në datën 25.09.2025.
Presidenti i Republikës konstaton se në periudhën nga data e miratimit të VKM-së nuk është regjistruar ankim në organin kompetent gjyqësor dhe nuk ka një vendim pezullimi nga ana e tij, ndërkohë që afati i Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve është vetëm 48 orë nga marrja e njoftimit.
Me daljen e dekretit, mjetet ligjore mbeten në dispozicion të palëve me qëllim që ato të realizojnë mbrojtjen e interesave të tyre të ligjshme.
Duke shpallur zgjedhjet e pjesshme për bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik, Presidenti i Republikës bën thirrje për një fushatë konkurruese, etike dhe në respektim të plotë të Kodit Zgjedhor, sikurse shpreh dëshirën që qytetarët e këtyre bashkive të përfshihen gjerësisht dhe të votojnë masivisht në këto zgjedhje.Versus.al







