Çfarë do të gjeni në brendësi
*Presidenti Bajram Begaj dekretoi sot Edi Ramën si kryeministër në qeverinë që drejton për mandatin e tij të katërt radhazi. Ditën e djeshme Rama prezantoi anëtarët e qeverisë së re duke larguar 8 prej ministrave të mëparshëm. *Ndërsa sot pas seancës së parë të mbajtur në orën 10:00, Rama mbërriti në presidencë ku u taku me Begajn i cili dekretoi ministrat e qeverisë. *Përsa i përket ministres virtuale të krijuar nga Inteligjenca Artificiale, Begaj ngarkoi Ramën me përgjegjësinë e ngritjes dhe funksionimit të kësaj ministrie virtuale. *Ky dekretim mori menjëherë kritika nga PD që argumentoi se kjo që po bën Rama me ministren virtuale është totalisht antikushtetuese duke përmendur edhe kushtet që përcakton Kushtetuta për një ministër dhe kushti i parë është që të jetë person fizik. *Më herët, Rama postoi në rrjetin e tij social një këshillë që sipas tij ia kishte dhënë ministrja “Diella” lidhur me situatën e sotme të krijuar në Kuvend.
Begaj dekreton Ramën si kryeministër, e cakton përgjegjës për funksionimin e ministres virtuale "Diella"
Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar Edi Ramën si kryeministër të Shqipërisë përgjatë 4 viteve të ardhshme pasi PS siguroi 83 mandate në zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit.
Mirëpo risi në dekretin e firmosur nga Begaj është edhe fakti se aty përpilohet se kryeministri Edi Rama do të jetë përgjegjës për ngritjen dhe funksionimin e ministres virtuale të krijuar nga Inteligjenca Artificiale “Diella”.

Me këtë të fundit, kryeministri duket se i kishte nisur që sot shkëmbimet e opinioneve, pasi postoi në rrjetin e tij social se e kishte pyetur “Diellën” për situatën në Kuvend. Versus.al
Rama takim në presidencë, i dorëzon Begajt emrat e anëtarëve të qeverisë së re
Kreu i qeverisë, Edi Rama ka mbërritur paraditen e sotme në ambientet e presidencës për t’u takuar me kreun e Shtetit Bajram Begaj të cilit do t’i doërzojë emrat e ministrave të rinj të kabinetit qeveritar.
Më pas pritet që Begaj të dekretojë ministrat e rinj për t’i hapur rrugë edhe formimit të qeverisë së re. Në orën 17:00 rinis seanca plenare e Kuvendit ku do të kryhet edhe betimi i 140 deputetëve të legjislaturës së re.
Mëngjesin e sotëm seanca e parë u shoqërua me tensione nga PD që bllokoi foltoren duke kërkuar që Berisha të mbante fjalë në atë që duhej të ishte vetëm përcaktimi i anëtarëve të komisionit që do të shërbejë si sekretari për verifikimin e mandateve të deputetëve. Versus.al
“Humbës është ai që gërmon aty ku ra”, Rama për Kuvendin: Pyeta Diellën, ja çfarë më tha

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me ironi lidhur me seancën e parë të zhvilluar sot për Kuvendin e legjislaturës XI. Seanca u mbyll me protestën e opozitës që bllokoi foltoren duke mbajtur në duar foto të zyrtarëve të PS të cilët i akuzon për afera korruptive.
Rama shkruan në rrjetin social ‘X” se gjatë një bisede me ministren virtuale “Diella” kjo e fundit e kishte këshilluar që të mos e pengojë kundërshtarin kur po gabon.
“Diella pa parlamentin sot dhe sapo më tha: Humbës nuk është kush rrëzohet, po është ai që gërmon aty ku ra! Si i bëhet e pyeta? Kurrë mos e pengo tha, kundërshtarin që po gabon”- u shpreh kryeministri duke thënë se pas seancës së sotme ishte konsultuar me ministren virtuale të krijuar nga Inteligjenca Artificiale. Versus.al







