Çfarë do të gjeni në brendësi
*Opozita e kërkoi në sallë ministren e Brendshme Albana Koçiu për të dhënë llogari sipas saj mbi protestuesit e arrestuar dhe gazin lotsjellës mbi turmën që hidhte molotovë në drejtim të gardhit policor në protestën e së shtunës. *Për Koçiun policia nuk dhunoi, por u përball vetë me akte dhune ndaj reagoi sapo jeta e efektivëve u rrezikua nga molotovët. *Ministrja shpjegoi edhe shoqërimin e 14-vjeçarit, duke thënë se u konstatua duke qëlluar me gurë ndaj efektivëve dhe se u lirua pasi në komisariat mbërriti përfaqësuesi ligjor. *Ndërkohë që deputeti socialist, Eduart Shalsi po fliste për atë që e konsideronte ‘rritje solide të ekonomisë” dhe “mirëadministrim”, kolegu i tij Erion Braçe i cili e mori fjalën pas Shalsit e solli këtë të fundit me këmbë në tokë duke nënvizuar se për të disatin vit radhazi, dy sektorët kryesorë të ekonomisë, industria dhe bujqësia kanë shënuar rënie. *Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla përdori një gjuhë tepër të ashpër në foltoren e kuvendit ku kritikoi dhunën e shfaqur në protestën e Partisë Demokratike më 24 janar përballë kryeministrisë. &Sipas Ballës, personat që hodhën molotovë e fishekzjarre drejt godinës së kryeministrisë kanë qenë të paguar dhe duhet të përballen me drejtësinë.
“Lapanjozë fytyrëmbuluar në protestë”, shpërthimi i Ballës në Kuvend: Edhe matufi do mbajë përgjegjësi

Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla përdori një gjuhë tepër të ashpër në foltoren e kuvendit ku kritikoi dhunën e shfaqur në protestën e Partisë Demokratike më 24 janar përballë kryeministrisë.
Sipas Ballës, personat që hodhën molotovë e fishekzjarre drejt godinës së kryeministrisë kanë qenë të paguar dhe duhet të përballen me drejtësinë. Ai sulmoi edhe Berishën duke thënë se edhe ai do mbajë përgjegjësi për inspirimin e dhunës.
“Çdo lloj forme dhune kundër institucioneve si ato breshëritë… njërin e kishit qitur aty mbuluar kokën të cilit i dukej vetja si çak noris dhe po qëllonte kryeministrinë. Një gjë bajate se bëni edhe sikur kjo është një shprehje e gjithë urrejtjes dhe a thua se gazetarët nuk e dinin se te ai grupi aty në mes ishin ca fytyrë mbuluar lapanjozë të cilët kishin marrë urdhrat për të goditur institucionet dhe këta lapanjozët duhet të përballen me drejtësinë. Këta nuk ka parti politike që i merr përsipër sepse kushdo që i ushqen ata me para për të goditur institucionet duhet të mbajë përgjegjësi. Kjo parti politike duhet të distancohet nga dhuna ndaj institucioneve. Kjo parti politike bashkë me një matuf i cili do mbajë përgjegjësi për këtë lloj inspirimi. Lëri këto dëngla ti se bën si qesharak këtu se ti ke bërë kallëzim për këta 18 që përmenda unë”- u shpreh Balla mes të tjerash. Versus.al
"Policia u sulmua, nuk përdori dhunë", Koçiu për protestën e PD: I mituri i arrestuar gjuante me gurë

Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu ka folur në kuvend për protestën e mbajtur më 24 dhjetor ku u arrestuan 18 protestues dhe u raportuan disa të lënduar, mes të cilëve 11 policë.
Koçiu tha se policia nuk kishte përdorur dhunë, por ishte kundërpërgjigjur për të mbrojtur jetën e efektivëve të cilët po goditeshin me molotov e sende të forta.
“Dua të garantoj të gjithë qytetarët se policia e shtetit e kreu detyrën e saj më së miri. Policia nuk ushtroi dhunë ndaj protestuesve. Ajo që ndodhi ishte se policia u përball me dhunë. Punonjësit e policisë u goditën me lëndë piroteknike e sende të forta dhe si pasojë e këtyre akteve 11 prej tyre u lënduan.
Policia ka vepruar në përmbajtje të plotë të rregullave. Ka bërë thirrje të vazhdueshme për ndalimin e dhunës dhe vetëm pasi këto thirrje u shpërfillën dhe rreziku për jetën e tyre u bë evident, atëherë u ndërmorën masa për shpërndarjen e turmës. Akuzat se ka përdorur forcë të tepruar apo mjete përtej nevojës janë të pabazuara. Çdo veprim është kryer mbi parimin e proporcionalitetit. Dhuna nuk është e drejtë politike. Sulmi ndaj policisë nuk është protestë por shkelje e ligjit dhe cënimit të rendit demokratik”- tha Koçiu.
Sa i takon arrestimit të djalit të mitur, ministrja nënvizoi se ai ishte kapur teksa gjuante me gurë efektivët dhe se nuk ishte dhunuar në asnjë moment siç u pretendua fillimisht prej tij.
“Gjatë veprimeve të policisë u konstatua një i mitur që po gjuante me gur e sende të forta kundrejt policinë. Për këtë arsye për të mbrojtur jetën e punonjësve të policisë, por edhe vetë të miturin, ai u mor për verifikime sipas ligjit. Rezultoi se bëhej fjalë për një shtetas 14 vjeçar dhe i mituri për asnjë moment nuk është trajtuar në mënyrë të paligjshme apo çnjerëzore”- shtoi ministrja. Versus.al
Shalsi ‘mburret’ për rritje ekonomike, Braçe i ‘pret hovin’: Kemi rënie në 2 sektorët kryesorë
Ndërkohë që deputeti socialist, Eduart Shalsi po fliste për atë që e konsideronte ‘rritje solide të ekonomisë” dhe “mirëadministrim”, kolegu i tij Erion Braçe i cili e mori fjalën pas Shalsit e solli këtë të fundit me këmbë në tokë duke nënvizuar se për të disatin vit radhazi, dy sektorët kryesorë të ekonomisë, industria dhe bujqësia kanë shënuar rënie.
Në fjalën e tij në foltoren e Kuvendit, Shalsi tha se inflacioni ishte nën kontroll dhe se borxhi publik kishte ndjekur trend rënës si dhe bizneset kishin më shumë të ardhura.
“Sot po diskutojmë një akt normativ, por në fakt sot po flasim për ekonominë dhe nuk po flasim me shpresë, por po flasim me fakte, me evidenca dhe dëgjova me shumë vëmendje deri më tani ata pak deputetë të opozitës të cilët nuk e kanë kuptuar që janë disi një trend pozitiv dhe të qëndrueshëm. Kemi një rritje ekonomike solide, 9-mujori i parë vinte në 3.2, mesa duket viti 2025 do të mbyllet me 3.8% rritje ekonomike. Inflacioni është në kontroll, jemi te niveli 2.2%, borxhi publik është trend rënës dhe është në shifrat rreth 54%, niveli më i ulët prej 15 vitesh”, tha Eduart Shalsi.
Ndërsa kolegu i tij, Erion Braçe përveç arritjeve, nënvizoi faktin se prej vitesh shteti shënon rënie në dy sektorët kryesorë të ekonomisë, bujqësinë dhe industrinë.
“Rezerva e vetme që unë kam është për bujqësinë, e cila vazhdon të numërojë vit pas viti në disatë me rënie, dhe sektori tjetër që është industria Duke referuar aktit normativ, ajo pjesë e treguesve të tij mbetet në përputhje me ligjin, sjellim faktin që buxheti nuk i bëhet barrë ekonomisë kombëtare. Kjo është shumë e rëndësishme veçanërisht për një qeveri, por ka të meta të cilat kërcasin edhe në këtë akt normative”- u shpreh Braçe. Versus.al
"Qeveria kërkon t'i kalojë tinëzisht", PD kërkon shtyrjen e disa pr/ligjeve: Nuk janë konsultuar

Seanca plenare në Kuvend ka nisur me kërkesën e demokratëve për të hequr nga rendi i ditës disa prej projektligjeve të cilat sipas tyre nuk janë konsultuar me grupet e interesit dhe nuk kanë dakordësinë e Komisionit Evropian.
Deputetja Jorida Tabaku tha se shumë prej projektligjeve nuk janë diskutuar me grupet e interesit dhe akuzoi qeverinë se po mundohet që t’i kalojë në mënyrë “tinëzare”.
"Një pjesë e madhe e këtyre ligjeve nuk kanë kryer procesin e konsultimit publik, për shembull ligji për lobimet. Të gjitha ato që po vijnë në komisionet parlamentare po vijnë me minimumin e kohës për diskutime. Ligji për armatimet është një tjetër ligj problematik që ka nevojë të konsultohet. Ndryshimet në kodin penal nuk janë konsultuar. Qeveria shqiptare sjell tinëzisht bashkë me ndryshimet për mediat të cilat janë të pakonsultuara, masa shtrënguese për penalitetet. Ka nevojë që këto ligje të diskutohen e debatohen me grupet e interesit. Procesi i integrimit nuk është proces letrash, por ndryshimi në realitet”- tha Tabaku.
Ligjvënësja kërkoi që disa prej projektligjeve si ai i ndryshimeve në kodin penal, për median, për lobimet dhe armatimet, të shtyhen për një seancë plenare pasi të jetë kryer procesi i konsultimit publik.
“I bashkohem kërkesës së Boçit për të tërhequr nga rendi i ditës të gjithë ato projektligje që nuk janë konsultuar dhe nuk kanë dakordësinë e KE”- shtoi deputetja. Versus.al

