Çfarë do të gjeni në brendësi
Rama: Të ardhurat buxhetore në nivel historik, priten mbi 1 miliard euro shtesë
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria po shënon një rritje historike të të ardhurave buxhetore, duke e cilësuar këtë si një tregues të qartë të forcimit të ekonomisë.
Në podkastin “Flasim”, Rama u shpreh se sipas projeksioneve, gjatë kësaj periudhe pritet të mblidhen mbi 1 miliard euro të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit.
Ai theksoi se kjo rritje nuk vjen si rezultat i rritjes së taksave, por si pasojë e zgjerimit të ekonomisë dhe përmirësimit të administrimit tatimor dhe doganor.
Sipas kreut të qeverisë, nivelet e reja të të ardhurave janë reflektim i një administrimi më efikas dhe i uljes së korrupsionit dhe abuzimeve, duke shtuar se këto të fundit nuk mund të bashkëjetojnë me një ekonomi në rritje.
Rama nënvizoi gjithashtu se përmirësimi i kontrollit mbi transaksionet, si dhe rritja e ndërgjegjësimit fiskal, kanë ndikuar drejtpërdrejt në këtë performancë pozitive të të ardhurave.
Në përfundim, ai e cilësoi këtë zhvillim si një moment të rëndësishëm që, sipas tij, dëshmon efektin e politikave ekonomike dhe besimin e qytetarëve te qeveria.
“Kjo javë është karakterizuar edhe nga një tjetër bilanc inkurajues: rritja e të ardhurave buxhetore në një nivel absolutisht historik. Një tregues i rëndësishëm i fazës ku ndodhet sot ekonomia shqiptare, një pasqyrë kuptimplotë e fuqizimit të saj. Në të kundërt të gjithë atyre që predikojnë rritjen e korrupsionit dhe rritjen e abuzimit, ekonomia provon se rritet pikërisht sepse ulet korrupsioni dhe ulen abuzimet, sepse këto të dyja bashkë nuk shkojnë përndryshe.
Të ardhurat që kanë arritur në nivele të reja janë pikërisht rezultat i një administrimi shumë më efikas, me shumë më pak korrupsion dhe abuzim, një karakteristikë e sëmundjes së rëndë të trashëguar nga e shkuara, të cilën e kemi luftuar dhe do të vazhdojmë ta luftojmë ditë për ditë.
Sipas projeksioneve, në periudhën që kalojmë pritet të mblidhen mbi 1 miliard euro të ardhura shtesë, dhe jo nga rritja e taksave, sepse nuk kemi bërë rritje të taksave, por nga rritja e ekonomisë dhe, patjetër, edhe nga rritja e cilësisë së administrimit tatimor dhe doganor, rritja e cilësisë së kontrollit për sa i përket transaksioneve në nivelin e biznesit, mes biznesit dhe konsumatorit dhe biznesit me biznesin, si dhe rritja e ndërgjegjësimit fiskal. Jemi në kushtet kur mund të ndajmë me ata që na kanë mbështetur dhe na kanë zgjedhur këtë moment të rëndësishëm, duke u thënë se vota e tyre vlen dhe vlerësohet çdo ditë, në çdo hap, në çdo sektor, dhe ky i rritjes së të ardhurave është një shembull shumë kuptimplotë”, tha mes të tjerash Rama./Versus.al
Rritja e çmimit të naftës, Rama shpjegon uljen e akcizës së karburanteve! Ja kur hyn në fuqi masa
Kryeministri Edi Rama ka sqaruar mënyrën se si do të zbatohet në praktikë akti normativ për uljen e akcizës së karburanteve, një vendim i miratuar së fundmi nga qeveria.
Gjatë podkastit të tij, Rama bëri me dije se mekanizmi parashikon ndërhyrje automatike në momentin kur çmimet në treg kapërcejnë pragjet e përcaktuara. Konkretisht, ulja e akcizës me 20% për naftën do të hyjë në fuqi sapo çmimi të kalojë 220 lekë për litër, ndërsa për benzinën pragu është 200 lekë për litër.
Sipas tij, këto kufij janë vendosur për të garantuar një reagim të balancuar ndaj zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare, mbi të cilat Shqipëria nuk ka kontroll të drejtpërdrejtë.
Rama theksoi se masa synon të amortizojë ndikimin e menjëhershëm te qytetarët, pa cenuar stabilitetin e financave publike në një kohë pasigurie globale. Ai shtoi se ulja e akcizës do të mbetet në fuqi deri në stabilizimin e situatës ndërkombëtare.
Kreu i qeverisë nënvizoi gjithashtu rolin e Bordi i Transparencës, i cili do të monitorojë tregun dhe do të garantojë reflektimin korrekt të çmimeve në vend, duke paralajmëruar masa të forta ndaj çdo abuzimi nga distributorët.
“Këtë javë kemi miratuar edhe aktin e premtuar normativ për uljen e akcizës së naftës, në momentin kur nafta, si pasojë e impaktit të luftës mbi tregjet ndërkombëtare, të kalojë limitin e 220 lekëve. Pra, ulja e akcizës me 20% është një masë që hyn në fuqi menjëherë kur çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër. Këto pragje janë paracaktuar për të garantuar një ndërhyrje të drejtë dhe të balancuar në raport me zhvillimet e tregut, të cilat janë zhvillime që ne nuk i kemi në dorë, nuk jemi shkaktarë të tyre dhe nuk kemi as fuqinë që t’i ndalojmë, përveçse kemi detyrimin që t’i trajtojmë në funksion të amortizimit të goditjes së menjëhershme mbi konsumatorët, pa cenuar, nga ana tjetër, stabilitetin e financave publike në një kohë kur pasiguria në tregjet ndërkombëtare mbetet e lartë dhe po aq edhe dinamike. Masa do të mbetet në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës ndërkombëtare, ndërsa Bordi i
Transparencës, që është vënë në lëvizje, do të mbetet garant i çdo zhvillimi në tregjet globale për të reflektuar në mënyrë të drejtë dhe të verifikueshme atë çka duhet të ndodhë në tregun vendas. Ky është një reagim i duhur, i matur në kohë, që garanton vendimmarrje të shpejta, që mishëron përgjegjësi të plotë dhe që do të bëjë të mundur që qytetarët, drejtuesit e automjeteve, të mos abuzohen nga distributorët e naftës. Masat për të gjithë ata që do të shkelin çmimin e përcaktuar nga Bordi i Transparencës, në bazë të tregjeve, do të jenë drastike”, tha Rama.
Në të njëjtën kohë, Rama foli edhe për skemën e re të mbështetjes në bujqësi, duke theksuar se ajo rrit financimin dhe lehtëson kushtet për fermerët, veçanërisht për të rinjtë, si dhe nxit përdorimin e praktikave të qëndrueshme dhe metodave biologjike në prodhim.
“Kjo skemë rrit ndjeshëm mbështetjen jo vetëm në aspektin e volumit financiar, por edhe për lehtësimin e kushteve për të përfituar atë që i takon çdo fermeri dhe duke financuar në ato drejtime prioritare që garantojnë më shumë produktivitet dhe fuqizim të zinxhirit të vlerës. Për herë të parë, forma mbështetjeje që nuk janë përdorur deri më sot, një tjetër risi është nxitja e praktikave të qëndrueshme në bujqësi përmes metodave biologjike”, tha Rama./Versus.al
Rama akuza opozitës: Bëjnë çmos që punët e Shqipërisë të mbulohen me ziftin e dëshpërimit! Integrimi në BE po ecën, së shpejti lajme të mira

Kryeministri Edi Rama ka hedhur akuza ndaj opozitës dhe Partia Demokratike, duke i akuzuar se po përpiqen të errësojnë punën e qeverisë me sulme politike.
Në podkastin e tij “Flasim”, Rama u shpreh se opozita “hedh baltë” mbi arritjet e vendit, ndërsa sipas tij, proceset kryesore shtetërore, veçanërisht integrimi në Bashkimi Evropian, po ecin sipas planit.
Ai theksoi se negociatat për anëtarësim nuk janë të bllokuara, siç pretendohet nga kundërshtarët politikë, por vijojnë normalisht dhe përbëjnë një nga proceset më të rëndësishme historike për vendin.
“Shqipëria punon dhe punët e saj janë në vijë. Procesi i anëtarësimit në BE vazhdon çdo ditë, pavarësisht përpjekjeve për ta paraqitur ndryshe,” deklaroi Rama.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu se në ditët në vijim priten zhvillime pozitive për Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke lënë të kuptohet për hapje të reja kapitujsh në negociata.
Kryeministri Rama: Nuk flitet për punët e Shqipërisë. Por përkundrazi, punët e Shqipërisë identifikohen me një luftë mizerabël politike. Bëjnë çmos që punët e Shqipërisë të mbulohen me ziftin e dëshpërimit të tyre dhe me baltën e gjithë inateve të tyre. Shqipëria punon dhe punët e Shqipërisë në tërësi janë në vijë. Është në vijë procesi më i rëndësishëm historik i anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Negociatat vazhdojnë, por ato lidhen me gënjeshtrën e madhe se janë bllokuar. E vërteta e thjeshtë është se kjo punë e madhe e Shqipërisë vazhdon përditë. Dhe së shpëjti, siç kemi pasur lajmet e hapjes së kapitujve, do të kemi lajme shumë të mira për të gjithë./Versus.al

