Çfarë do të gjeni në brendësi
• Rexhep Ismaili, pronari i një karburanti në Sarandë, u vra mbrëmjen e 7 majit brenda lokalit të tij në fshatin Gjashtë. • Motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta, por dyshohet për një konflikt të lidhur me një tentativë rrëmbimi. • Sipas një burimi, 66-vjeçari ka ndërhyrë për të ndaluar marrjen peng të një të riu që ndodhej në lokal. • Një grup prej rreth 10 personash ka mësy ambientet e biznesit duke përdorur sende të forta. • Nuk dihet ende identiteti i personit që dyshohet se do të rrëmbehej. • Konflikti ka nisur kur pronari ka ndërhyrë duke thënë se “djalin nuk mund ta prekni në shtëpinë time”. • Më pas situata ka degraduar në përplasje fizike dhe përdorim armësh zjarri. • Policia e Shtetit po heton pistën e një konflikti pronësie si motiv të mundshëm të ngjarjes.
Shoqata “Çamëria” reagon pas vrasjes së kryetarit Rexhep Ismaili: Kërkojmë zbardhjen e menjëhershme të atentatit

Shoqata “Çamëria” ka reaguar pas atentatit në Sarandë, ku mbeti i vrarë kryetari i saj Rexhep Ismaili, duke dënuar ashpër ngjarjen dhe duke kërkuar zbardhjen e menjëhershme të saj.
Në një postim në rrjetet sociale, shoqata shpreh dhimbjen për humbjen e 66-vjeçarit dhe thekson rolin e tij si një “zë i palëkundur” dhe “mbrojtës i çështjes çame” ndër vite.
“Me dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen tragjike nga jeta të z. Rexhep Ismaili… Shoqata ‘Çamëria’ dënon këtë vrasje të rëndë dhe kërkon zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes,” thuhet në reagim, ku i shprehen edhe ngushëllime familjes dhe bashkëpunëtorëve.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik dhe hetimet për identifikimin e autorëve vijojnë nga autoritetet.
Reagimi i plotë:
Me dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen tragjike nga jeta të z. Rexhep Ismaili, Kryetar i Shoqatës 'Çamëria' Sarandë. Ai ishte një zë i palëkundur dhe mbrojtës i pashoq i çështjes çame që prej fillimeve të demokracisë. Shoqata 'Çamëria' dega Vlorë dënon këtë vrasje të rëndë dhe kërkon zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe bashkëpunëtorëve. I paharruar qoftë kujtimi i tij!/Versus.al
“Djali është në shtëpinë tonë nuk e prekni dot këtu”, biznesmeni s’ishte shënjestra e vrasjes në Sarandë?
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e biznesmenit Rexhep Ismaili në fshatin Gjashtë të Sarandë, ngjarje e ndodhur në lokalin dhe karburantin në pronësi të tij.
Sipas burimeve për mediat, konflikti që çoi në përshkallëzimin e situatës nuk e përfshinte drejtpërdrejt viktimën, por një tjetër person që ndodhej në lokal. Mësohet se gjatë mbrëmjes në ambientet e biznesit kanë shkuar rreth 10 persona, të cilët dyshohet se kanë pasur një konflikt pronësie dhe kanë tentuar të rrëmbejnë një individ.
Në këtë moment, Rexhep Ismaili ka ndërhyrë duke u thënë autorëve se “djali është në shtëpinë tonë dhe nuk e prekni dot këtu”, çka ka sjellë agravimin e situatës dhe nisjen e shkëmbimit të zjarrit.
Gjatë përplasjes me armë, dyshohet se ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër, i cili nuk është paraqitur në spital dhe së bashku me një prej autorëve, të identifikuar si Lulzim Tabaku, janë larguar dhe vijojnë të jenë në kërkim.
Në vendngjarje ka mbetur edhe një automjet i dyshuar i përdorur nga autorët. Policia e Shtetit ka ngritur pika kontrolli dhe po kreh zonën për kapjen e tyre, ndërsa kontrolle po kryhen edhe në spitale dhe klinika private për identifikimin e të plagosurit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 pranë karburantit “Vëllezërit Ismaili”, në zonën e njohur si Qafa e Gjashtës, ndërsa familjarët dhe banorët e zonës janë tronditur nga vrasja e biznesmenit, i cili ishte edhe drejtues lokal i Shoqatës Patriotike “Çamëria”./Versus.al
Detaje të reja nga atentati në Sarandë! Biznesmeni u vra para karburantit, identifikohet autori
Një atentat me armë zjarri ka tronditur mbrëmjen e djeshme fshatin Gjashtë, në dalje të qytetit të Sarandë, ku mbeti i vrarë biznesmeni Rexhep Ismaili, 66 vjeç.
Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 në lokalin e karburantit “Vëllezërit Ismaili sh.p.k”, në pronësi të viktimës.
Ismaili ndodhej i ulur në tavolinë me persona të tjerë, kur autori i armatosur ka hyrë në lokal dhe ka hapur zjarr në drejtim të tij, duke e goditur me një plumb në kokë.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se personat që ndodheshin me 66-vjeçarin i janë kundërpërgjigjur autorit, ndërsa ky i fundit ka arritur të largohet menjëherë pas ngjarjes.
Në reagimin zyrtar, policia sqaron se konflikti fillimisht ka nisur me sende të forta dhe më pas ka degraduar në përdorimin e armëve të zjarrit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se autor i vrasjes është shtetasi Lulëzim Tabaku, i cili pas ngjarjes është larguar së bashku me persona të tjerë të përfshirë në konflikt.
Policia dyshon gjithashtu se gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër, i cili ende nuk është paraqitur në spital dhe nuk është identifikuar.
Forca të shumta policie kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për kapjen e autorit, ndërsa kontrolle po kryhen edhe në spitale dhe klinika private për identifikimin e personit të plagosur.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa hetimet mbeten në zhvillim./Versus.al

