Çfarë do të gjeni në brendësi
*Këtë të dielë u mbajten zgjedhjet e pjeshme në 5 bashki të vendit, Mat, Cërrik, Berat, Tepelenë dhe Vlorë. Në total në të gjitha këto bashki rezultojnë 334.539 mijë qytetarë me të drejtë vote. *Procesi nisi në orën 07:00 për t’u mbyllur në orën 18:00. Pati vonesa në disa qendra votimi në Tepelenë ku munguan komisionerët e PD. *Në garë janë 13 kandidatë, prej të cilëve 5 të PS dhe të tjerët të gjithë të pavarur. *Procesi është raportuar i qetë dhe pa incidente. I vetmi rast i denoncuar është ai i bashkisë Mat ku deputetja e PD, Denisa Vata pretendoi se punonjës të administratës publike po mbanin shënim votuesit dhe u bënin presion zgjedhësve. *Në Mat rezulton edhe pjesëmarrja më e lartë e votuesve. Ndërsa në total deri në orën 13:00 në të gjitha bashkitë raportohet që të kenë votuar 13% e votuesve.
1 në 5 votues shkoi në qendrat e votimit, KQZ publikon të dhënat paraprake deri në orën 18:00
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar të dhënat e fundit paraprake për pjesëmarrjen në zgjedhjet e pjesshme lokale të zhvilluara këtë të shtunë, më 9 nëntor, në pesë bashki të vendit: Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë.
Sipas KQZ-së, deri në orën 18:00, në mbyllje të procesit të votimit, kanë marrë pjesë vetëm 18,72% e mbi 330 mijë qytetarëve me të drejtë vote në këto bashki.
Ky rezultat konfirmon një pjesëmarrje shumë të ulët në shkallë kombëtare, me dallime të ndjeshme nga një bashki në tjetrën.
Pjesëmarrja sipas bashkive:
Mat: 39,36% (pjesëmarrja më e lartë)
Tepelenë: 34,63%
Cërrik: 25%
Berat: 19,98%
Vlorë: 12,54% (pjesëmarrja më e ulët)
Në disa zona, raportimi i qendrave të votimit është ende i paplotë, çka mund të sjellë ndryshime të vogla në përqindjet përfundimtare. Sipas KQZ-së, rreth 30% e qendrave nuk kanë dorëzuar ende të dhënat për pjesëmarrjen.
Konkretisht, në Vlorë mungojnë raportimet nga të paktën 30 qendra, në Berat nga 20, në Cërrik nga 10, në Tepelenë nga 8, dhe në Mat nga 13 qendra votimi.
Procesi i votimit përfundoi në orën 18:00, me përjashtim të disa qendrave ku kishte radhë pritjeje, ku votimi u lejua të vazhdojë deri në votuesin e fundit.
KQZ pritet të publikojë gjatë mbrëmjes të dhënat përfundimtare të pjesëmarrjes dhe rezultatet paraprake të numërimit.
Mbyllet votimi në 5 bashkitë, pjesëmarrja "katastrofë". Të rinjtë "bojkot", të moshuarit vendosin

Mbyllet procesi i votimit në 5 bashkitë ku u mbajtën zgjedhjet e pjesshme lokale
Pjesëmarrje e ulët në disa bashki, të rinjtë mungojnë në qendrat e votimit
Është mbyllur procesi i votimit në pesë bashkitë e vendit, ku qytetarët u thirrën sot në zgjedhje të pjesshme për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë.
Në total, 334.539 qytetarë kishin të drejtën e votës në këto bashki, ndërsa qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 të mëngjesit. Në disa zona u raportuan vonesa të vogla në nisjen e procesit, por ai vijoi pa probleme të mëdha.
Sipas Kodit Zgjedhor, kur zgjedhjet zhvillohen gjatë periudhës 15 tetor – 15 nëntor, qendrat e votimit mbyllen në orën 18:00, siç ndodhi edhe në këtë rast.
Të dhënat sipas bashkive
Vlorë: 171.895 qytetarë me të drejtë vote në 232 qendra votimi.
Berat: 82.161 zgjedhës në 116 qendra votimi.
Cërrik: 38.724 zgjedhës në 57 qendra votimi.
Mat: 29.092 qytetarë me të drejtë vote në 47 qendra votimi.
Tepelenë: 12.667 zgjedhës në 22 qendra votimi.
Sipas të dhënave paraprake, qarku i Vlorës regjistroi pjesëmarrjen më të ulët, me rreth 12%, ndërsa Mati kryeson me një pjesëmarrje rreth 39%. Këto shifra mbeten ende paraprake dhe mund të ndryshojnë pas përditësimit zyrtar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Kush votoi më shumë?
Në një dalje për mediat, Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se grupmosha më aktive në këto zgjedhje ka qenë ajo mbi 65 vjeç, ndërsa është vënë re një mungesë e dukshme e pjesëmarrjes së të rinjve.
Një garë e qetë dhe pa zhurmë politike
Në këto zgjedhje, ku u zëvendësuan pesë kryebashkiakë që janë bërë deputetë ose ministra – mes tyre edhe Andis Salla i Cërrikut – morën pjesë 13 kandidatë në total.
Fushata elektorale u zhvillua pa shumë zhurmë dhe pa protagonizëm politik. Nuk pati mitingje madhështore dhe as pjesëmarrje të liderëve kryesorë të partive.
Në këto zgjedhje, Partia Demokratike nuk regjistroi kandidatë zyrtarë nën siglën e saj apo të ndonjë partie tjetër opozitare, megjithëse ka shprehur mbështetje për disa kandidatë të pavarur.
Rezultatet përfundimtare pritet të publikohen nga KQZ pas numërimit të votave në të gjitha qendrat.
Përditësimi i shifrave nga KQZ (klikoni këtu)
2 orë nga përfundimi i votimit në 5 Bashki, KQZ publikon tabelat! Ja sa është pjesëmarrja
Ndërsa kanë mbetur vetëm dy orë nga mbyllja e qendrave të votimit në zgjedhjet e pjesshme lokale në pesë bashki të vendit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka raportuar një pjesëmarrje ende të ulët të qytetarëve.
Sipas të dhënave të KQZ-së, deri në orën 16:00 kanë votuar 16,93% e mbi 330 mijë zgjedhësve të regjistruar në të pesë bashkitë ku po zhvillohet procesi.
Në renditjen sipas bashkive, Mati kryeson me 37,5% pjesëmarrje, e ndjekur nga Tepelena me 31,05%, Cërriku me 23,8%, Berati me 17,2%, ndërsa Vlora mban vendin e fundit me vetëm 11,36%, duke ruajtur trendin e zakonshëm të pjesëmarrjes së ulët në votime.
KQZ thekson se këto shifra janë paraprake, pasi jo të gjitha qendrat e votimit kanë raportuar ende. Në shumicën e bashkive, vetëm rreth gjysma e qendrave kanë dërguar të dhënat e pjesëmarrjes, ndaj përqindjet pritet të ndryshojnë gjatë orëve në vijim.
Procesi i votimit pritet të mbyllet zyrtarisht në orën 18:00.
Tabela e KQZ deri në orën 16:00:
Perditesimi i te dhenave ne kohe reale
“Persona të paautorizuar në qendrat e votimit”- Policia reagon pas denoncimit në Cërrik

Policia e Elbasanit ka reaguar pas deklaratave të kandidatit të subjektit “Shqipëria Bëhet”, Eligert Hima, i cili akuzoi se pranë qendrës së votimit në gjimnazin “Tomorr Sinani” në qytetin e Cërrikut ndodheshin persona të paautorizuar që po intimidonin qytetarët.
Në një prononcim për mediat, Hima tha se individë të panjohur qëndronin në hyrje të qendrave të votimit me qëllim ushtrimin e presionit ndaj votuesve.
Menjëherë pas këtij denoncimi, Policia e Elbasanit njoftoi se ka kryer verifikimet e nevojshme në terren. Sipas saj, nga kontrollet e zhvilluara nuk janë konstatuar persona të dyshimtë apo të paautorizuar në afërsi të gjimnazit “Tomorr Sinani”, si dhe nuk është evidentuar asnjë problematikë lidhur me procesin zgjedhor.
Në njoftimin zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan thuhet:
“Pas pretendimeve të njërit prej kandidatëve për zgjedhjet vendore, se pranë gjimnazit ‘Tomorr Sinani’ ndodheshin persona që po intimidonin qytetarët, shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Nga verifikimet e kryera nuk janë konstatuar shtetas në afërsi, apo pranë qendrës së votimit. Gjithashtu, nuk janë vërejtur persona të paautorizuar të grumbulluar jashtë qendrave të votimit dhe nuk është konstatuar asnjë problematikë.”
Policia e Elbasanit shton se mbetet plotësisht e angazhuar për të garantuar rendin, qetësinë dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si dhe për të verifikuar me përgjegjësi çdo njoftim apo denoncim që lidhet me zgjedhjet. / Versus
Pjesëmarrje e ulët, 1 person brenda 2 orëve, qytetari në Vlorë harron kartën e ID: S'kam fuqi të vij sërish

Pjesëmarrja në votimet për bashkinë e Vlorës është aq e ulët saqë brenda dy orësh në Dukat të Vlorës është paraqitur për të votuar vetëm një person, por edhe ky i fundit kishte harruar kartën e identitetit.
Megjithëse pati gatishmëri nga anëtarët e komisionit për ta shoqëruar me makinë, votuesi tha se nuk ka fuqi të shkojë prapë pasi banesën e ka larg nga shkolla Hasan Mëhilli ku kishte qendrën e votimit. Versus.al
Dalin shifrat e pjesëmarrjes për zgjedhjet në 5 bashki deri në orën 11:00, Mati kryeson listën

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet e pjesëmarrjes në votimet për zgjedhjet e pjesshme në 5 bashki deri në orën 11:00.
Sipas KQZ, deri në këtë orë kanë votuar 8.21% e zgjedhësve me të drejtë vote të regjistruar në sistem. Pjesëmarrja më e lartë regjistrohet në Mat ku deri më tani kanë votuar 19.20% të votuesve.
Konkretisht:
Bashkia Vlorë: 6,045 votues nga 119,374 të regjistruar → 5.07%
Bashkia Berat: 4,882 votues nga 58,798 të regjistruar → 8.31%
Bashkia Cërrik: 3,363 votues nga 29,014 të regjistruar → 11.59%
Bashkia Mat: 3,843 votues nga 20,007 të regjistruar → 19.20%
Bashkia Tepelenë: 1,197 votues nga 7,795 të regjistruar → 15.36%. Versus.al
Me fëmijën me vete, voton kandidati i pavarur në Tepelenë: Qytetarët të votojnë masivisht

Kandidati i pavarur për bashkinë e Tepelenës, Gabriel Guma u shfaq në qendrën e votimit për të votuar së bashku me bashkëshorten e tij dhe fëmijën e vogël.
Pasi votoi ai e përshkroi procesin si tepër të qetë krahasuar me herët e tjera kur ishin mbajtur votime ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të votonin masivisht.
“U bëj thirrje të gjithë të dalin të votojnë masivisht. Të bëjnë zgjedhjen e duhur. Jam shumë i lumtur që zgjedhjet këtë herë janë demokratike. Vonesa ka pasur, por incidente jo”-u shpreh Guma i cili kandidon përballë ish-kreut të Gardës, Gramoz Sakos. Versus.al
90 vjeçari në Vlorë që s’ka munguar në asnjë palë zgjedhje: S’ka kuptim po nuk votove
Një i moshuar 90 vjeçar ka Novosela është paraqitur sot për të votuar në qendrën përkatëse të votimit në kuadër të zgjedhjeve për bashkinë e Vlorës. Duke e konsideruar si detyrim që duhet përmbushur, 90 vjeçari Ismail Mahilaj shprehet se duhet që të gjithë të votojnë në mënyrë që shteti të funksionojë.
“Jam 90-vjeç. Kam votuar gjithmonë, jam korrekt. S’ka kuptim po nuk votove. Shteti funksionon duke votuar”, tha i moshuari, Ismail Mahilaj.
Deri më tani procesi i votimit në Vlorë paraqitet i qetë dhe pa incidente. Versus.al
Numërim me Inteligjencë Artificiale në Tepelenë, Celibashi zbulon si do funksionojë: Kamera në çdo tavolinë

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka shpjeguar sesi do të funksionojë sot numërimi i votave me Inteligjencën Artificiale në Tepelenë, gjë që aplikohet për të parën herë.
Ai tha se ky sistem i përgatitur prej tyre do të shfaqë rezultatin në KQZ në kohë reale.
“Në çdo tavolinë kemi të instaluar kamera që regjistrojnë procesin e numërimit të fletëve, fletët vendosen mbi tavolinë, filmohen. Ajo çfarë kemi bërë ne dhe ku e përdorim, ëhstë që të gjitha këto filmime, nëpërmjet një programi kompjuterik me IA do të bëjë leximin automatik, sistemit kamera, të fletës së votimit. Do ta kuptojë ky sistem duke përdor Ai se për kë është votuar dhe rezultati vjen automatikisht në KQZ, pa pritur që të bëhet tabulimi i rezultatit nga anëtarët e grupit të të numërimit. Çdo fletë votimi vjen dhe transmetohet në KQZ. Jo shumë janë të familjarizuar me IA, se çfarë domethënie ka dhe se si funksionon, jo vetëm për vlerësimin e fletëve, por edhe për aspekte të tjera të përdorimit të saj. Është një program i cili të lehtëson për aspekte të ndryshme, në rastin tonë për procesin e numërimit të fletëve të votimit”, tha Celibashi. Versus.al
''Punonjës të administratës mbajnë shënim votuesit'', deputetja e PD në Mat: U bëhet presion qytetarëve

Deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale shprehet se votuesit në Mat po intimidohen nga punonjës të administratës të cilët mbajnë shënim personat që paraqiten për të votuar.
Ajo i bëri thirrje policisë dhe SPAK-ut të ndërhyjë për të mos lejuar presionin ndaj qytetarëve.
“Jam te gjimnazi 28 nëntori, këtu përballë ndodhet një kafe, ku janë drejtorë të administratës shtetërore, punonjës që mbajnë shënime pranë qendrës së votimit dhe numërojnë të gjithë njerëzit që futen dhe dalin nga qendra e votimit, i bëj thirrje prokurorisë së qarkut Dibër dhe SPAK të marrin masa të mos infitmdojnë qytetarët, edhe mbrëmë kemi bërë thirrje, ku e kam paralajmëruar këtë sipas informacioneve që vinin nga PS. Po e bëj publike sepse është e pamundur të çash me policinë, me strukturat e tjera që merren me këto punë, këta persona këtu nuk duhet të lejohen’’- shprehet ligjvënësja në videon e publikuar në rrjetin e saj social.
Kjo nuk është hera e parë që PD raporton persona që patronazhojnë votuesit, pasi e njëjta situatë është përsëritur edhe në zgjedhjet e 11 majit në disa zona. Versus.al
Zgjedhjet e pjesshme, Celibashi zbulon në cilën bashki ka pjesëmarrje më të lartë: Të rinjtë, votues të paktë

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka dalë në një konferencë për mediat për të dhënë informacion mbi ecurinë e procesit zgjedhor në 5 bashki deri në orën 09:00. Pjesëmarrja deri më tani paraqitet e ulët, ndërsa bashkia me pjesëmarrjen më të madhe është ajo e Matit ku deri më tani kanë votuar 6% e personave me të drejtë vote.
‘’Ajo çfarë vlen të theksohet është se nuk kemi patur asnjë problem me përdorimin e pajisjeve PEI. Sa i përket pjesëmarrjes, është 2.42% pjesëmarrja në total në të gjitha bashkitë. 1.49% në Vlorë, 2.57% në Berat, 3.36% në Cërrik, 6 % në Mat dhe 4.73% në Tepelenë.
Në këto zgjedhje duke bërë disa përmirësime në procesin e transmetimit të të dhënave, kemi mundësi të marrim informacion në kohë reale mbi përqindjen e pjesëmarrjes sipas grupmoshave. Në Vlorë, grupmosha mbi 65 vjeç janë 2.91% e pjesëmarrësve nga totali i atyre që kanë marrë pjesë deri më tani. Pjesëmarrja për moshat e reja paraqitet mjaft e ulët’’- u shpreh Celibashi.
Ndërsa përsëriti se në bashkinë e Tepelenës, numërimi do të bëhet me anë të Inteligjencës Artificiale.
‘’Do të aplikojmë numërimin e fletëve të votimit me Inteligjencën Artrificiale dhe ky informacion do jetë publik në kohë reale në faqen e internetit të KQZ’’- shtoi kryekomisioneri. Versus.al
Zgjedhjet në Tepelenë, vonesa në nisjen e votimit! Komisionerët e PD mungojnë në disa qendra

Në disa qendra votimi të bashkisë Tepelenë, procesi i votimit nuk nisi në orën 07:00 siç pritej pasi raportohet se mungojnë komisionerët e Partisë Demokratike.
Janë në total 21 Qendra Votimi dhe rreth 12 mijë qytetarë me të drejtë vote. PD mbështet kandidatin e pavarur, të riun Gabriel Guma. Ndërsa PS mbështet ish-kreun e Gardës, Gramoz Sakon i cili pretendon të pasojë Tërmet Peçin i cili u dorëhoq pasi u zgjodh deputet i PS.
Që prej vitit 2011, Tepelena drejtohej nga Tërmet Peçi dhe e vetmja fitore e PD në këtë ka qenë në vitin 2007 me kandidatin Sevo Miçi.
Historiku i zgjedhjeve në Tepelenë
2007-2011 Sevo Miçi PD ( e vetmja fitore)
2011-2015 Tërmet Peçi PS
2015-2019 Tërmet Peçi PS
2019-2023 Tërmet Peçi PS
2023 Tërmet Peçi PS. Versus.al
Mbahen sot zgjedhjet e pjesshme në 5 bashki, 330 mijë qytetarë me të drejtë vote zgjedhin mes 13 kandidatëve
Nga ora 07:00 ka nisur votimi në 5 bashkitë e vendit ku mbahen zgjedhjet e pjesshme. Plot 334.539 mijë qytetarë me të drejtë vote do të zgjedhin kryebashkiakët e rinj në Vlorë, Berat, Cërrik, Mat e Tepelenë ku garojnë 13 kandidatë.
Votimi në 473 qendrat përkatëse do të jetë i hapur deri në orën 18:00. Ndërsa për të garantuar mbarëvajtjen e procesit janë angazhuar 612 policë. Në Vlorë, numri i qytetarëve me të drejtë vote është afro 172 mijë, në Berat mbi 82 mijë, në Cërrik afro 39 mijë, në Mat 29 mijë ndërsa në Tepelenë, 12 mijë.
Kjo është një ndër fushatat zgjedhore me më së paku aktivitete dhe takime. Asnjëri prej drejtuesve kryesorë të partive nuk ka organizuar mitingje, ndërsa PD vendosi të mbështeste kandidatura të pavarura.
Socialistët kanë pretenduar më herët se do fitojnë me rezultat të thellë në të gjitha bashkitë ku sot ka zgjedhje.
E vetmja risi në këto zgjedhje të parakohshme është sistemi i testimit në Tepelenë me numërim nëpërmjet inteligjencës artificiale në mënyrë që në fund ky rezultat të ballafaqohet me atë të numërursve. Versus.al
