Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot episodin e radhës të podkastit të tij ‘’Flasim’’ ku të ftuar ishin disa sipërmarrës në fushën e prodhimit të vajit të ullirit. Rama e nisi këtë episod duke folur mbi praninë e tij në Bordin e Paqes ku ngriti shqetësimin për gjykimin e padrejtë ndaj ish-krerëve të UÇK-së për të cilët është kërkuar dënimi me nga 45 vite burg. *Më tej foli dhe për projekt rezolutën e PE për Shqipërinë duek deklaruar se vendi ynë po ecte me ritme të shpejta drejt anëtarësimit në BE. Në vazhdim deklaroi se do të kishte rritje page për 720 efektivë policie të forcave të posaçme. Për një inspektor të RENEA-s, pagat do jenë deri në 1600 euro. *Rama u shpreh gjithashtu se fondet e kursyera buxhetore të vitit 2025 janë depozituar në Fondin e Veçantë të Pensioneve pranë Bankës së Shqipërisë, në një shumë prej 167 milionë euro
''Rritje pagash për 720 efektivë'', Rama: Një inspektor i RENEA-s do paguhet 1600 euro

Kreu i qeverisë Edi Rama gjatrë podkastit të tij ‘’Flasim’’ deklaroi se për 720 efektivë të forcave të posaçme do të ketë rritje page. Sipas Ramës, një inspektor i RENEA-s do ta ketë pagën deri në 1600 euro, ndërsa një kryekomisar deri në 1700 euro.
‘’Rreth 720 efektivë të Policisë së Shtetit, ata që shërbejnë në vijën e parë të përballjes me rrezikun më të lartë, do të përfitojnë rritje të mëtejshme page. Forcat RENEA, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Forcat e Posaçme Operacionale do të mbështeten ende më shumë për punën sfiduese dhe të vyer që bëjnë në shërbim të komuniteteve, në shërbim të atdheut tonë të përbashkët.
Një inspektor në RENEA do të paguhet tanimë afro 1.600 euro, ndërsa një drejtues në këtë strukturë do të arrijë në afro 2.300 euro. Për forcat operacionale, paga e një inspektori do të shkojë rreth 1.200 euro, ndërsa për një kryekomisar mes 1.600 dhe 1.700 euro.
Bashkë me investimet serioze në teknologji, trajnim dhe pajisje, kjo rritje është një pjesë tjetër e qasjes konstante për forcimin e rendit dhe vendosjen e një raporti sa më të drejtë mes kërkesës për rezultate dhe vlerësimit sa më të përshtatshëm të këtyre rezultateve”, u shpreh Rama. Versus.al
Draft rezoluta e PE, Rama: Kemi forcuar institucionet demokratike, po ecim me ritëm të shpejtë

Në episodin e radhës të podkastit të tij ‘’Flasim’’, kryeministri Edi Rama foli për draft rezolutën e Parlamentit Europian mbi Shqipërinë duke e konsideruar atë si dëshmi të progresit të vendit dhe forcimit të institucioneve demokratike.
Pavarësisht se në draft rezolutë paraqiteshin një sërë kritikash, Rama nuk u ndal tek to, por u përqendrua tek ecuria e procesit të negociatave duke thënë se Shqipëria po ecën më ritëm të shpejtë.
‘’Draft rezoluta e Parlamentit Europian për Shqipërinë është vlerësim i qartë për ecurinë e Shqipërisë. Ai dokument vlerëson hapjen e të gjithë grupkapitujve brenda 13 muajve. Gjë që përbën rekord në historinë e integrimeve europiane dhe ndërkohë theksohet ritmi i shpejtë në procesin e negociatave me nënvizimin që të mbyllen brenda vitit 2027. Duke evidentuar progresin në forcimin e institucioneve demokratike, shtetin e së drejtës, reformën socio ekonomike, politikat mjedisore, bashkëpunimi europian dhe përputhshmërinë me politikën e jashtme të BE. Kjo draft rezolutë është tjetër sinjal shumë i rëndësishëm për publikun tonë. Shqipëria po ecën me ritëm, qëndrueshmëri dhe qartësi strategjike në drejtimin e duhur’’- tha Rama. Versus.al

