Çfarë do të gjeni në brendësi
*Në selinë e Partisë Demokratike u zhvilluan sot takime mes negociatorëve Belind Këlliçi e Alimehmeti me përfaqësuesit e partisë “Mundësia” Erald Kapri dhe Barbara Doda lidhur me gjetjen e një kandidati të përbashkët për bashkinë e Tiranës. *Pas përfundimit të takimit, deputeti Kapri u shpreh për mediat se ishte respektuar parimi që kandidatura të jetë një person jo nga radhët e partive politike. *Ndërsa Këlliçi e Alimehmeti u shprehën para mediave se ishte folur për emra konkretë dhe se brenda 2 ditëve të ardhshme pritet të përfundojnë edhe takimet negociuese me partitë e tjera për një emër të përbashkët. *Ndërkohë, pas përfundimit të mbledhjes burime kanë bërë me dije 3 emrat që janë diskutuar mes partive opozitare si kandidatë të mundshëm, konkretisht: Edlira Çepani, Ermal Hasimja dhe Florian Haçkaj.
Profilet/ Një juriste, pedagog dhe aktivist i diasporës, cilët janë 3 kandidatët e mundshëm të opozitës për Tiranën

Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare po zhvillojnë së fundmi bisedime për të arritur në daljen me një kandidat të përbashkët për bashkinë e Tiranës përballë Ogerta Manasitrliut. Qëllimi sipas tyre është maksimalizimi i votave duke nxjerrë një kandidaturë që nuk është pjesë e partive politike dhe që nuk mund të shantazhohet.
Pas takimit të sotëm mes PD dhe përfaqësuesve të partisë “Mundësia” në media kanë qarkulluar 3 emra, Edlira Çepani, Ermal Hasimja dhe Florian Haçkaj.
Por kush janë figurat publike të cilat mund të jenë kandidatë potenticalë për zgjedhjet e parakohshme në bashkinë e Tiranës?
Edlira Çepani, është juriste me profesion dhe aktiviste për të drejtat e njeriut. Aktualisht është Koordinatore Kombëtare e Rrjetit të Grave "Barazi në Vendimmarrje", një rrjet i grave dhe vajzave në politikë dhe vendimmarrje, nga të gjitha partitë politike (50% nga e majta dhe 50% nga e djathta), media, biznesi dhe shoqëria civile. Ky Rrjet, i pari i këtij lloji në Shqipëri, krijuar në vitin 2008, është tashmë një zë i fortë për fuqizimin e barazisë gjinore në vend.
Gjatë viteve të para të karrierës së saj në fushën e avokatisë ajo ka qënë pjesë e nismave ligjore dhe ekonomike me impakt për vendin. Përgjatë një periudhe të shkurtër kohore ajo ishte pjesë e partisë “Lëvizja Shqipëria Bëhet”, por hoqi dorë nga aktivizimi politik, për arsye personale.
Ermal Hasimja, analist dhe pedagog shihet si një tjetër mundësi për të qenë kandidat për bashkinë e Tiranës. Ai është shkolluar në Angli dhe Francë, ndërsa ka punuar si pedagog në disa universitete.
Florian Haçkaj, njihet si aktivist i organizatës “Diaspora për Shqipërinë e Lirë”. Një prej sukseseve të tijë më të mëdha ishte fitorja në Gjykatën Kushtetuese për të bërë të mundur votën e Diasporës nga jashtë vendit. I formuar profesionalisht në Evropë, Haçkaj ka ndërtuar karrierë të shuar në mbrojtje të kauzës së diasporës shqiptare duke ndërtuar ura që lidhin shqiptarët që jetojnë jashtë vendit me Shqipërinë.
Megjithatë, emrat e përmendur ende nuk janë bërë zyrtare nga PD apo partitë e tjera opozitare. Por deri më tani, të tre këto kandidatura mund të thuhet se i përmbahen kushtit që kandidati të mos jetë pjesë e partive politike me qëllim gjetjen e një figure përbashkuese opozitare. Versus.al
Takimi i PD me partitë e tjera, zbardhen 3 emrat që po diskutohen si kandidatë për bashkinë e Tiranës
Sot u mbajtën takime mes PD-së dhe partive opozitare mbi diskutimet lidhur me gjetjen e një emri për kandidat të bashkisë së Tiranës.
Në përfundim të takimeve, askush prej negociatorëve nuk dha emra konkretë, pavarësisht se u shprehën se kishin diskutuar për persona të përveçëm si mundësi kandidimi.
Por burime për Versus.al bëjnë me dije se mes emrave që janë diskutuar në mbledhjen e PD-së me partitë e tjera janë: Edlira Çepani, Ermal Hasimja dhe Florian Haçkaj. Versus.al
Këlliçi e Alimehmeti pas takimit me opozitarët: U fol për emra konkretë që mund të kandidojnë për Tiranën
Deputeti Belind Këlliçi dhe këshilltari bashkiak i Tiranës, Ilir Alimehmeti kanë zhvilluar sot takime në selinë e PD-së me përfaqësues të partisë “Mundësia” lidhur me mundësinë e gjetjes së një kandidature të përbashkët për bashkinë e Tiranës.
Këlliçi bëri me dije se në takim janë diskutuar emra të përveçëm të cilët nuk pranoi që t’i bënte publikë për mediat pasi janë ende në fazën e diskutimeve.
“Kemi diskutuar emra të përveçëm dhe për profilin që duhet të kemi për një kandidat apo kandidate. Duke qenë se mbetet objekt i diskutimeve dhe negociatave, nuk kemi ndërmend të dalim me emra konkretë. Qëllimi është maksimalizimi i votave. Do ta shqyrtojmë në ditët në vijim dhe do ia bëjmë me dije publikut në momentin e parë. Qëllimi është shumë pozitiv që ne të kemi një kandidaturë që të bëjë ndryshimin në Tiranë”- tha Këlliçi.
Nga ana tjetër Alimehmeti zbuloi se kishte patur takime miqësore me Endri Shabanin dhe Adriatik Lapajn, por deri më tani asgjë zyrtare lidhur me një kandidat të përbashkët.
“Endri Shabani? Ne kemi bisedime, kujtoj që ai është këshilltar në bashkinë e Tiranës. Edhe me Lapajn takim shoqëror ka qenë. Takimet formale janë këtu në selitë përkatëse”- u shpreh Alimehmeti.
Në përfundim, Këlliçi tha se mundet që negociatat të përfundojnë brenda 2 ditëve të ardhshme. Versus.al
Deputeti i "Mundësisë" pas bisedimeve me PD për bashkinë e Tiranës: Na duhet një njeri i pashantazhueshëm

Deputeti Erald Kapri dhe Barbara Doda ishin sot në selinë e PD si përfaqësues të partisë “Mundësia” për të zhvilluar bisedime me Belind Këlliçin dhe Ilir Alimehmetin për një kandidaturë të përbashkët sa i takon zgjedhjeve të parakohshme për bashkinë Tiranë.
Në dalje, Kapri nuk zbuloi një emër konkret, por tha se deri më tani po respektohet parimi që propozimet të jenë jashtë partive politike. Sipas tij me rëndësi është që të gjendet një kandidaturë që nuk mund të shantazhohet dhe të jetë njëri me integritet të plotë në publik.
“Për ne ka rëndësi parimi, nuk po vëmë kushte për emrin. Po respektohet ky parim, ndryshe ne nuk do të ishim këtu. Është shuëm e rëndësishme kjo sepse mendojmë se kjo është forma e vetme që mund të fitohet Tirana. Një emër me integritet të plotë të pashantazhueshëm. Njeri profesionist, publik dhe që i ka shanset të fitojë përballë Manastirliut”- u shpreh Kapri mes të tjerash.
Në këtë takim nuk ishin të pranishëm Agron Shehaj dhe Flamur Noka të cilët kanë patur edhe përplasje me njëri-tjetrin në Kuvend. Versus.al
Nga Shabani tek Lapaj e Shehaj, PD takime me partitë e reja për të gjetur një kandidat për Tiranën

Ashtu siç e njoftoi disa ditë më parë, Partia Demokratike po zhvillon takime të vazhdueshme me përfaqësues të partive politike të ndryshme me qëllim arritjen e një marrëveshje për të nxjerrë një kandidat të përbashkët për bashkinë e Tiranës.
Mësohet se takime janë zhvilluar me kreun e Lëvizjes Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapajn, me kreun e Nismës Thurje, Endri Shabanin, si dhe me Shpëtim Idrizin dhe Agron Shehajn e partisë “Mundësia”.
Ky i fundit i ka vendosur si kusht bashkëpunimi PD-së që kandidati të jetë një figurë jashtë partive politike në mënyrë që të jetë përbashkues dhe të sjellë një frymë ndryshimi përballë kandidaturës së PS, Ogerta Manastirliut.
Ende nuk ka emra të përfolur si kandidatë. Por deri më tani vetëm partia “Lëvizja Bashkë” e Arlind Qorit është e përjashtuar nga negociatat me PD-në për një kandidat të përbashkët. Versus.al







