Çfarë do të gjeni në brendësi
*Partia Demokratike mblodhi kryesinë e saj sot në orën 13:00 për të diskutuar mbi vijimin e aksionit opozitar. Kryetari, Sali Berisha ka njoftuar protestë kombëtare më 22 dhjetor ku do të kërkohet dorëheqja e Edi Ramës nga posti i kryeministrit. *Duke njohur gabimin e bërë me firmat për Endri Shabanin i cili u zgjodh Avokat i Popullit vetëm me votat e PS, Berisha shpalli “bllok politik” me qeverinë duke nënkuptuar ndërprerjen e çdo debati apo diskutimi qoftë edhe në komisionet e posaçme për Reformën Territoriale dhe Zgjedhore. *I pranishëm në mbledhje ishte edhe ish-deputeti Ervin Salianji i cili prej ditësh po zhvillon mbledhje veçmas nga strukturat e tjera të partisë duke kërkuar një frymë të re veprimi. Gjatë mbledhjes pati debate me tone të larta mes tij dhe Flamur Nokës pasi ky i fundit e akuzoi se me këto takime që po bën, po i shërben vetëm qeverisë duke krijuar ndasi.
“Suel Çela u angazhua kundër foltores së PD dje”, Noka për përplasjen me Salianjin: Dorëheqja ime i shërben Ramës

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ka folur për mediat pas përfundimit të mbledhjes së gjatë të kryesisë së demokratëve ku pati përplasje me ish-deputetin Ervin Salianji pasi ky i fundit i ka kërkuar dorëheqjen.
I pyetur për këtë përplasje, Noka tha se dorëheqja e tij i shërben vetëm Ramës dhe shërbëtorëve të tij.
“Po flas këtu për agjendën e PD, ju po flisni për agjendën e qeverisë. Sot dorëheqja e vetme që kërkohet nga gjithkush është ajo e Edi Ramës. Asnjë tjetër nuk e qetëson shpirtin e shqiptarëve të vjedhur. Dorëheqja ime apo e dikujt tjetër qetëson vetëm Ramën dhe shërbëtorët e tij, kjo është mëse e qartë. Për firmat për avokatin e popullit ne kërkuam ndjesë”- u shpreh Noka.
Ndërsa ai thumboi sërish Salianjin, duke thënë se ka patur ankesa se Suel Çela ishte angazhuar në Elbasan për të mos lënë qytetarët që të merrnin pjesë në foltoren që mbajti dje Berisha, por të ishin të pranishëm në një foltore tjetër.
“Kemi patur ankesa nga Elbasani që Suel Çela është angazhuar për të kërcënuar dhe shantazhuar demokratë që të mos merrnin pjesë në foltoren e Sali Berishës, por në një foltore tjetër”- shtoi Noka. Versus.al
Berisha largohet pa folur, Salianji para mediave: Keqardhje që u zhvendos fokusi i mbledhjes

Pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së PD, Ervin Salianji foli për mediat lidhur me debatet e forta që kishte patur ku mes të tjerash kishte kërkuar dorëheqjen e Flamur Nokës.
Teksa shprehu keqardhjen që fokusi i mbledhjes u zhvendos tek lëvizja e tij në vend të protestave për rrëzimin e Ramës, Salianji tha se PD nuk mund të mbetet peng i interesave personale duke konfirmuar se i kishte kërkuar dorëheqjen Nokës.
“Jam i keqardhur që në mbledhjen e partisë, u zhvendos komplet fokusi nga protesta tek diskutimet e brendshme. Kishte mendime të ndryshme. Ajo që di t’ju them është që do ecim përpara, çdo ndryshim nuk vjen pa përplasje. Çdo akuze do i përgjigjemi me fakte konkrete.
Vendimmarrja e PD e cila ishte e paqartë në shumë situata bën përgjegjës. Ju kujtoj një rast të caktuar në zgjedhjen e ish-presidentit Bamir Topi, në momentin që 6 deputetë të PS votuan për presidentin e asaj kohe pati dorëheqje të menjëhershme. Nuk mund të rrimë peng i interesave personale. Po bëj përgjegjës drejtuesit e PD për vendimmarrjen”- u shpreh Salianji.
Në nisje të intervistës për mediat të Salianjit, Berisha u pa duke dalë nga selia e PD, por nuk pati asgjë për të thënë para gazetarëve. Versus.al
“Me këtë që po bën, po bashkëpunon me PS-në”, debate me tone të larta në kryesinë e PD
Në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike që po zhvillohet në selinë blu prej 2 orësh, ka patur edhe debate me tone të larta mes sekretarit të përgjithshëm, Flamur Noka dhe ish-deputetit Ervin Salianji për ‘foltoret’ që ky i fundit po organizon veçmas strukturave të tjera të PD.
Noka mësohet se i është drejtuar Salianjit me fjalët: “Me këtë që po bën, je duke bashkëpunuar me ata që kemi përballë”.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe kryedemokrati Sali Berisha i cili ka deklaruar se çdo lloj forme tjetër proteste vetëm sa e shuan revoltën. Versus.al
Kreu i ri i SPAK, Berisha: SHBA e BE u siguruan që Rama të mos vendoste kandidatin që do i mbyllte dosjet
Në mbledhjen e kryesisë së PD, Sali Berisha komentoi gjithashtu procesin e zgjedhjes së kreut të ri të SPAK, Klodian Braho. Sipas kryedemokratit, ambasadorët e BE dhe SHBA ndoqën nga afër mbledhjen në KLP me qëllim që kryeministri Edi Rama të mos vendoste në krye kandidatin me të cilin ka bërë marrëveshje për t’i mbyllur dosjet.
“Ky u thotë shqiptarëve se unë vjedh, ministrat e mi vjedhin, por ata nuk mund të gjykohen. Për shkak të tij, dy ditë më parë, u zhvillua ofensiva diplomatike më e madhe që kam parë ndonjëherë për të siguruar zgjedhjen e kryetarit të Prokurorisë Speciale, çka të bën me të drejtë të mendosh se Edi Rama duket se kishte bërë gjithçka të zgjidhte njeriun që ai ka bërë marrëveshje për mbylljen e dosjes së tij. Sepse e vërteta është se Dumani mbylli disa dosje të Edi Ramës, kjo është e pamohueshme.
Dumani mbylli dosjen e Edi Ramës, duke akuzuar Arben Ahmetajn për djegësin e Tiranës, të cilin ai e kishte kundërshtuar 4 herë, megjithëse e kishte firmosur Edi Rama. Dumani mbylli dosjen Alabar, dhe shqiptarët do e marrin vesh mirë se çfarë krimi në përmasa gjigante po kryhet me portin e Durrësit, çfarë goditje të rëndë po i jepet çdo shqiptari me portin e Durrësit, për aq sa ka peshë transporti i mallrave në çmimin e tyre. Dumani mbylli dosjen e Olsi Ramës, e nxori tjetër. Pra, Edi Rama duket se duhet me çdo kusht të kishte atë me të cilin ishte marrë vesh. Pra, përpjekja ndërkombëtare ishte shumë e drejtë, që qeveria të mos kapë kryetarin e Prokurorisë Speciale. Por problemi nuk është aty, problemi është se pse Edi Rama do ta kapë me çdo kusht atë”, tha Berisha. Versus.al
Berisha shpall ‘bllok politik’ me PS: Ndërpresim çdo lloj diskutimi me “partinë e krimit”! Endri Shabani nuk është kandidat i opozitës!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se Avokati i ri i Popullit, Endri Shabani, nuk ka shkuar në krye të institucionit si kandidat i opozitës, por është zgjedhur vetëm me votat e mazhorancës.
Duke iu referuar seancës së 11 dhjetorit në Kuvend, ku opozita tërhoqi firmat ndërsa shumica e votoi Shabanin, Berisha e cilësoi procesin “akt antikushtetues dhe antiligjor” dhe tha se PD do të ndërpresë çdo dialog me Partinë Socialiste.
Gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD, Berisha njoftoi se partia e tij “ndërpret çdo lloj diskutimi, debati dhe funksioni me partinë e krimit”, siç e quajti ai PSânë.
Sipas tij, mazhoranca ka uzurpuar institucionin e Avokatit të Popullit, duke e kaluar kandidaturën e Shabanit pa konsensus dhe duke tentuar më pas ta shesë përgjegjësinë tek opozita. Berisha theksoi se PD e njeh gabimin që bëri me dhënien e firmave dhe kujtoi se opozita i tërhoqi ato përpara votimit.
Ai u ndal edhe te Mandati i mëparshëm i Erinda Ballancës, duke theksuar se ajo “nuk ka qenë kurrë anëtare e PD, por avokate”, për të rrëzuar akuzat se opozita kontrollonte këtë post. Në fund, Berisha u kërkoi ndjesë mbështetësve të opozitës për situatën e krijuar dhe bëri të qartë se aksioni i PDâsë do të spostohet plotësisht në rrugë, me protestat si mjetin kryesor politik.
Sali Berisha: Ndërpresim çdo lloj diskutimi, debati dhe funksioni me partinë e krimit. E panë shqiptarët, akte antikushtetuese, antiligjore për të marrë Avokatin e Popullit. Zonja Ballanca nuk ka qenë kurrë anëtare e PD, ka qenë avokate. Ndaj atij akti i përgjigjemi me ndërprerjen e komunikimeve për debate për persona të caktuar, funksione të caktuara… Nuk mund të vazhdohet kur ai pa firma zgjedh dhe përpiqet gjen pastaj që e paska fajin opozita. Opozita para anëtarëve të vet njeh gabimin që bëri, opozita tërhoqi firmat. Prandaj, gjithçka
tek protesta./Versus.al
Berisha lajmëron protestë kombëtare më 22 dhjetor! I pranishëm në mbledhje ishte dhe Ervin Salianji

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar zhvillimin e një proteste kombëtare më 22 dhjetor, pas mbledhjes së Kryesisë ditën e sotme.
Ai ka deklaruar se protesta do të jetë boshti kryesor i veprimit politik të opozitës deri në arritjen e një qeverie teknike për zgjedhje të lira.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u bëri thirrje strukturave të PD-së dhe qytetarëve që t’i “besojnë protestës” dhe të organizohen sa më shpejt në të gjitha nivelet. Ai kujtoi se aksionet kanë nisur para Kryeministrisë, por theksoi se data 22 dhjetor do të shënojë një protestë kombëtare, ku janë të ftuar të gjithë qytetarët që ndajnë të njëjtat shqetësime.
Berisha theksoi se ata që i bashkohen protestës “janë të bekuar”, ndërsa shtoi se edhe ata që nuk do të jenë të pranishëm në këtë tubim do t’i bashkohen më vonë. Sipas tij, Partia Demokratike nuk do të bëhet kurrë pengesë, por nxitëse e protestave “deri ditën e fundit”, derisa të vendoset një qeveri teknike që garanton zgjedhje të lira.
'Kërkojnë ne që të mos filozofojmë, por të përqendrojmë të gjitha forcat tona për të larguar nga pushteti këtë pushtet krimi, përndryshe zgjedhjet e tjera do i kishte 63 përqind minimumi. Ose sa të dojë. Ndaj dhe duhet të fillojmë protestat. Duhet t’i besojmë protestës. Duhet të organizojmë protestat, duhet t’i fillojmë sa më parë. I kemi filluar ato që janë te kryeministria. Por me datën 22, duhet të thërrasim protestë kombëtare. Ata shqiptarë që vijnë, ata janë të bekuar.
Ata që nuk do vijnë, do vijnë më vonë. Por ne kurrë nuk do bëhemi pengesë, përkundrazi nxitës të protestave gjer ditën e fundit që të krijohet qeveria teknike në këtë vend për zgjedhjet e lira.
Agjendë tjetër nuk ka dhe nuk mund të ketë PD.' u shpreh ndër të tjera Berisha.
Në mbledhjen e kryesisë i pranishë ishte edhe ish-deputeti Ervin Salianji, i cili nisi veç një lëvizje me qëllim ringritjen e Partisë Demokratike, por edhe një analizë për humbjen e njëpasnjëshme të zgjedhjeve. /Versus.al

