Live Updates /

PD thërret protestë kombëtare më 24 janar, Berisha: Shqiptarët duhet t’i përvishen Ramës

*Kryesia e Partisë Demokratike u mblodh sot për të vendosur datën e protestës kombëtare të radhës për rrëzimin e kryeministrit Edi Rama. Demokratët caktuan 24 janarin për t’u mbledhur sërish para kryeministrisë për t’i kërkuar Ramës të dorëhiqet pas skandaleve të publikuara. *Gjatë mbledhjes, kryedemokrati Sali Berisha tha se qytetarët shqiptarë duhet ta marrin vetë në dorë fatin e tyre dhe të mos presin që Rama të rrëzohet nga SHBA apo dosjet e drejtësisë. *Protesta e fundit kombëtare u mbajt më 22 dhjetor të vitit të kaluar ku protestuesit hodhën edhe molotovë drejt efektivëve të policisë.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Kryesia e Partisë Demokratike u mblodh sot për të vendosur datën e protestës kombëtare të radhës për rrëzimin e kryeministrit Edi Rama. Demokratët caktuan 24 janarin për t’u mbledhur sërish para kryeministrisë për t’i kërkuar Ramës të dorëhiqet pas skandaleve të publikuara. *Gjatë mbledhjes, kryedemokrati Sali Berisha tha se qytetarët shqiptarë duhet ta marrin vetë në dorë fatin e tyre dhe të mos presin që Rama të rrëzohet nga SHBA apo dosjet e drejtësisë. *Protesta e fundit kombëtare u mbajt më 22 dhjetor të vitit të kaluar ku protestuesit hodhën edhe molotovë drejt efektivëve të policisë.

4 Postime
12 ORE ME PARE

"Vetëm dorëheqja, nuk marrim pushtet me dhunë" Berisha për skenaret e protestës më 24 janar

PD thërret protestë kombëtare më 24 janar, Berisha:
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur për mediat pas mbledhjes së Kryesisë së PD-së, ku u vendos që më 24 janar të mbahet protesta e radhës kombëtare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe, sipas opozitës, skandaleve të rënda që përfshijnë zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe AKSHI-n.

Berisha theksoi se opozita nuk synon marrjen e pushtetit me dhunë, duke iu referuar ngjarjeve të 21 janarit 2011, për të cilat fajësoi drejtpërdrejt Edi Ramën.

“21 janari është vepër e Edi Ramës, e burracakut dhe frikacakut Edi Ramës. Sali Berisha nuk merr pushtet me dhunë. E ka deklaruar këtë më 12 dhjetor 1990 dhe ka qenë konsekuent në këtë linjë.”

Sipas kryedemokratit, protesta e 24 janarit do të jetë shprehje e një zemërimi të madh popullor, i nxitur nga ajo që ai e cilëson si kapje e shtetit dhe korrupsion masiv.

“Zemërimi popullor është i jashtëzakonshëm, i papërmbajtur. Mesazhi ynë për narkoshtetin është: ik një minutë e më parë. Jemi të vendosur të shkojmë gjer në fund për largimin e kësaj organizate kriminale.”

Berisha iu referua edhe deklaratave të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, duke thënë se ato zbulojnë miliarda euro të vjedhura dhe të amnistuara.

“Në 5 dosje nxori rreth 12 miliardë euro të amnistuara, të vjedhura nga qeveritarët, nga Edi Rama dhe anturazhi i tij dhe të amnistuara nga SPAK-u i partisë.”

I pyetur nëse protesta e 24 janarit mund t’i ngjajë asaj të 21 janarit, Berisha e hodhi poshtë kategorikisht këtë krahasim, duke deklaruar se Rama ndodhet në “grahmat e fundit politike”.

“Edi Rama është i pashpresë. Dhe zemërimi popullor do të bjerë mbi të.”
Në lidhje me mungesën e një proteste të përbashkët me të gjitha partitë opozitare, Berisha tha se dyert janë të hapura për këdo që dëshiron të luftojë kundër qeverisë.

“Të gjithë ata që janë të vendosur të luftojnë të keqen që quhet Edi Rama, vendin e kanë të hapur.”
Ai përmendi edhe protestën e vazhdueshme të Adriatik Lapajt para Kryeministrisë, duke theksuar se e ka përgëzuar publikisht.

Sa i përket mobilizimit, Berisha tha se nuk do të ketë kuota për deputetët apo drejtuesit e PD-së për të sjellë protestues.

“Njerëzit i sjell këtu revolta e brendshme shpirtërore, urrejtja e pakufishme që kanë për Belinda Ballukun, Edi Ramën, Lindat e tij.”
I pyetur nëse opozita ka një skenar të qartë për protestën, Berisha u shpreh se është transparent dhe se mediat do të informohen në çdo hap.

“Nuk do të gjeni kurrë një njeri më transparent se unë. Çdo ditë u them atë që kam ndërmend të bëj.”
Në fund, kreu i PD-së e bëri të qartë se kërkesa kryesore e protestës së 24 janarit do të jetë dorëheqja e qeverisë.

“Dorëheqja, dorëheqja, vetëm dorëheqja. Shqipëria nuk do më t’i shohë këta njerëz. Kanë fituar një urrejtje të madhe popullore.”
Protesta e 24 janarit pritet të jetë një tjetër përplasje e fortë politike mes opozitës dhe mazhorancës, ndërsa Berisha paralajmëron se beteja sapo ka nisur. 

12 ORE ME PARE

Berisha: Deklaratat e Ahmetajt, “autopsia” e korrupsionit të Edi Ramës

PD thërret protestë kombëtare më 24 janar, Berisha:

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka cilësuar deklaratat e ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj si një “autopsi të plotë” të vjedhjeve dhe korrupsionit të kryeministrit Edi Rama.

Gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së, Berisha u shpreh se faktet e bëra publike nga Ahmetaj dëshmojnë se shteti shqiptar është vënë nën kontrollin e grupeve kriminale të lidhura me pushtetin. Ai përmendi në mënyrë të drejtpërdrejtë grupin e Troplinëve, duke deklaruar se, së bashku me Duranën dhe Ergys Agasin, kanë pasur akses dhe kontroll mbi të dhëna shumë të ndjeshme shtetërore, përfshirë dosje të prokurorive, gjykatave dhe shërbimeve sekrete.

Intervista e zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj ishte autopsia më e thellë e vjedhjeve dhe korrupsionit të Edi Ramës, me dosje, dokumente dhe fakte. A mund ta imagjinoni ju, Durana – zona teknologjike e Durrësit – de facto territor i Troplinëve, të cilët me Agasin kanë kontrolluar çdo të dhënë të këtij shteti, nga dosjet më sekrete të prokurorive e gjykatave, deri te shërbimi i fshehtë. Këto dosje janë një aktakuzë e rëndë edhe për sistemin e kapur të drejtësisë”, - deklaroi Berisha.

Sipas tij, këto dosje tregojnë qartë dështimin e institucioneve të drejtësisë, të cilat, pavarësisht denoncimeve të shumta, nuk kanë vepruar. Berisha solli si shembuj konkretë çështjet e Porto Romanos dhe Ekoparkut në Durrës, për të cilat tha se janë denoncuar dhjetëra, në mos qindra herë, me dokumente dhe prova, pa asnjë reagim institucional.

Sa herë është denoncuar dosja e Porto Romanos? E Ekoparkut në Durrës? Me dhjetëra herë, me dokumente, me çdo gjë. Asgjë nuk ndodh. Pse? Sepse janë direkt Edi Rama dhe thjeshtra të implikuar”, u shpreh ai.
Berisha u ndal edhe te shpenzimet e pajisjeve të policisë, duke i quajtur ato abuzive dhe simbol të korrupsionit: “15 mijë euro kamera e policit – në asnjë vend të botës policët nuk përdorin kamera me këtë çmim. Është njëlloj si historia e kapeles së policit: polici suedez e ka 15 euro, polici shqiptar 320 euro”.
Në përfundim, kreu i PD-së theksoi se vetëm populli mund t’i japë përgjigjen përfundimtare kryeministrit, duke bërë thirrje për largimin e tij nga pushteti.

“Është populli dhe vetëm populli ai që duhet t’i japë Edi Ramës ndëshkimin e merituar, largimin e tij një minutë e më parë nga pushteti”, - përfundoi Berisha.

13 ORE ME PARE

PD thërret protestë kombëtare më 24 janar

PD thërret protestë kombëtare më 24 janar, Berisha:

Data 24 janar është caktuar nga anëtarët e kryesisë së PD si dita e duhur për mbajtjen e protestës kombëtare të radhës përballë kryeministrisë.

Berisha tha gjatë mbledhjes së janë vetë shqiptarët ata që duhet të reagojnë për rrëzimin e Ramës dhe se nuk duhet pritur vetëm nga drejtësia apo zhvillimet në SHBA.  Ndërkohë nuk është caktuar ende ora se kur do të zhvillohet protesta e radhës.

Protesta e fundit kombëtare u mbajt më 22 dhjetor ku pati edhe molotovë të hedhur drejt efektivëve të policisë. Nga radhët e opozitës u shoqëruan 10 protestues të cilët u liruan më pas për t'u proceduar në gjendje të lirë. Versus.al

13 ORE ME PARE

“Nëse mendoni se Ramën e rrëzon SHBA, gaboheni”, Berisha: Shqiptarët duhet t’i përvishen

PD thërret protestë kombëtare më 24 janar, Berisha:

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mblodhi sot kryesinë e demokratëve në një mbledhje ku tha se do të caktohet data e protestës së radhës.

Ai tha se kushdo që mendon se Rama do të rrëzohet si kryeministër nga dosjet e drejtësisë apo SHBA-të, gabohet teksa shtoi se ai do përdorë gjithë pushtetin për t’u mbrojtur.

“Është diskutuar dhe menduam që të jetë kryesia sepse domosdoshmëria e protestave, pra koha për protestë ka kaluar në fakt, duhet të përcaktojmë datën e protestës së ardhshme, duke theksuar edhe njëherë, rruga e vetme... se duhet të jemi shumë të ndershëm dhe të kthjellët.... rruga e vetme për largimin e kësaj qeverie është kalimi në protestë të vazhdueshme.

Në vlerësimin tim, variantet e tjera janë iluzive. Nëse besojmë se Edi Ramën do ta marrin me vete dosjet dhe krimet e tij, ne gabohemi, dhe nuk duhet të gabohemi. Edi Rama do keqpërdorë të gjithë pushtetin për t’u mbrojtur.

Në qoftë se ne ai presim që ai të bëhet përgjegjës nga drejtësia, të themi e SHBA, që ka motiv të plotë, qoftë me dosjen e Bilalit, qoftë me dosjen e McGonigalit, përsëri ne nuk jemi realistë, pasi ky proces dhe ky problem është i komplikuar, nuk është një problem i thjeshtë”- tha Berisha.

Sipas Berishës duhet që shqiptarët të mobilizohen në protesta të vazhdueshme.

“Por ata që duhet t’i përvishen Edi Ramës duhet të jenë qytetarët shqiptarë. Unë mendoj se zhvillimet janë pozitivë në krahun e opozitës. Janë shtatë rezoluta që damkosin Edi Ramën njëlloj sa Maduron. Juve u kujtohet, në San Paolo, pika e parë e rendit të ditës ishte Venezuela, pika e dytë ishte Shqipëria, për ngjashmëritë që ka Maduro me Ramaduron. Kam bindjen se partnerët tanë, kudo, nga këto zhvillime, do të arrijnë në konkluzione të drejta për rrezikshmërinë e madhe që paraqet Edi Rama në pushtet”- shtoi kryedemokrati. Versus.al

Poll