Çfarë do të gjeni në brendësi
Procesi votimit nisi në orën 08:00 në të gjitha degët e partisë, ndërsa rezultati pritet të shpallet mbrëmjen e së shtunës. * Kreu i PD thërret anëtarët të marrin pjesë në votim: “Vullneti i tyre do të respektohet me përkushtim” * Ish-deputeti i PD-së akuzon kreun demokrat për uzurpim të partisë dhe manipulim të procesit zgjedhor: “Demokratët po e bojkotojnë farsën”
Përfundon votimi për kreun e PD-së, mbyllet procesi në të gjitha qendrat e votimit

Ka përfunduar procesi i votimit këtë të shtunë për referendumin mbi konfirmimin ose jo të zgjedhjes së Sali Berisha në krye të Partia Demokratike.
Procesi nisi në orën 08:00 në të gjithë vendin dhe fillimisht ishte parashikuar të mbyllej në orën 18:00. Megjithatë, sekretari për çështjet zgjedhore në PD, Ivi Kaso, njoftoi shtyrjen e afatit deri në orën 19:00 për disa degë të mëdha, për shkak të fluksit të votuesve.
Sipas të dhënave të publikuara gjatë ditës, procesi u zhvillua në rreth 87 qendra votimi në të gjithë Shqipërinë, ndërsa të drejtën e votës e kishin mbi 51 mijë anëtarë të Partisë Demokratike.
Në disa qarqe u raportua pjesëmarrje e konsiderueshme. Vetëm në qarkun e Beratit ishin thirrur për të votuar rreth 1 640 anëtarë, ndërsa në degën e Gjirokastrës numri i anëtarëve të regjistruar arriti në afro 2 mijë. Në Sarandë, lista përfundimtare e votuesve përfshinte rreth 870 anëtarë me të drejtë vote.
Ky referendum u zhvillua sipas parimit “një anëtar, një votë”, ndërsa në fletën e votimit demokratët kishin tre alternativa: “pro”, “kundër” ose “abstenim” për kandidaturën e vetme të Sali Berishës. Numërimi i votave pritet të kryhet në degët ku u zhvillua votimi dhe rezultatet paraprake priten të publikohen gjatë mbrëmjes.
Zgjedhjet për kreun e PD, shtyhet deri në orën 19:00 votimi në degët e mëdha

Partia Demokratike ka vendosur shtyrjen e votimit deri në orën 19:00 për degët e mëdha ku do të vijojë votimi për kreun e PD.
Në një komunikim për mediat, deputeti democrat Ivi Kaso tha se me vendim të KOKOE-s është parashikuar ora 18:00 si orari i mbylljes së procesit të zgjedhjeve të ditës së sotme.
Shkak sipas tij është fluksi i votimit që pritet të vazhdojë edhe pas orës 18:00.
“Procesi të qëndrojë i hapur deri në orën 19:00 për këto degë të mëdha, në mënyrë që t'u jepet mundësia të gjithë demokratëve që të votojnë dhe të shprehin pëlqimin e tyre për procesin e rikonfirmimit të kryetarit të parties”, tha Kaso.
Prononcimi i Ivi Kasos
Jam këtu përpara jush për të ndarë një komunikim në emër të Komisionit të Organizimit dhe të Kontrollit të Operacioneve Elektorale.
Sikurse e dini, edhe me vendim të KOKOE-s është parashikuar ora 18:00 si orari i mbylljes së procesit të zgjedhjeve të ditës së sotme.
Si pasojë e disa kërkesave që kanë ardhur pranë KOKOE-s nga disa degë të mëdha, sikurse është edhe dega 2 që voton këtu në seli, KOKOE ka marrë vendim që për këto degë të mëdha, të cilat, në të cilat ka fluks votimi dhe presin fluks që të vazhdojë edhe mbas orës 18:00, procesi të qëndrojë i hapur deri në orën 19:00 për këto degë të mëdha, në mënyrë që t’u jepet mundësia të gjithë demokratëve që të votojnë dhe të shprehin pëlqimin e tyre për procesin e rikonfirmimit të kryetarit të partisë.
Është proces i cili është drejt përfundimit në disa degë të vogla, të cilat e kanë ezauruar procesin për shkak të kohëzgjatjes së tyre.
Por veçanërisht në degët qendër qarku si dhe në disa degët më të mëdha të Tiranës, të cilët kanë një numër të lartë votuesish, është parashikuar mbas komunikimit të tyre me KOKOE-n, është marrë vendim përkatësisht për çdo degë, që ky proces të mbyllet në orën 19:00.
Përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje të gjithë demokratëve të degëve të mëdha të Tiranës si dhe të degëve veçanërisht të qendrës së qarkut, të qarqeve më të mëdha të cilat kanë kërkuar që procesi të zgjatet deri në orën 19:00, që të dalin dhe të kenë mundësi që të ushtrojnë të drejtën dhe detyrimin e tyre statutor për të votuar në procesin e sotëm.Versus.al
Berisha kandidati i vetëm në garë, PD publikon shifrat e pjesëmarrjes në votime. Ja sa kanë votuar deri në orën 15:00

Në të gjitha degët e PD, po votohet për kreun e Partisë Demokratike ku në garë është vetëm Sali Berisha.
Në një komunikim për mediat Albana Vokshi theksoi se dëri më 15:00 në 77 degët e Partisë Demokratike, rezulton 28 379 votues.
Procesi i votimit nisi në orën 08:00 dhe do të mbyllet në 18:00 në të gjitha degët e PD-së në rrethe.
Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme brenda partisë, këtë herë votat do të numërohen në qendrat ku është votuar dhe jo në selinë qendrore të PD-së në Tiranë.
Rezultati paraprak pritet të publikohet mbrëmjen e së shtunës, ndërsa drejtuesit e partisë e kanë cilësuar procesin si një moment të rëndësishëm për konsolidimin e strukturave të demokratëve./Versus.al
“Vetëm 1.898 votues” / Salianji publikon shifrat dhe sulmon Berishën: Referendum farsë, demokratët e braktisën
Nga Tirana në Gjirokastër, ish-deputeti thotë se pjesëmarrja në votimin për kreun e PD-së është minimale dhe akuzon për manipulim politik
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka publikuar shifrat që sipas tij tregojnë pjesëmarrjen reale në votimin për kreun e PD-së, ku kandidat i vetëm është Sali Berisha.
Në një reagim të fortë në rrjetet sociale, Salianji deklaron se deri në orën 13:00 kanë votuar vetëm 1.898 anëtarë në të gjithë Shqipërinë, duke e cilësuar procesin një “farsë të braktisur masivisht nga demokratët”.
Postimi është shoqëruar edhe me një “meme” ironizuese, ku shfaqet një mjet me tre rrota i braktisur në rrugë, me mbishkrimin “referen-dum-dum”.
Salianji akuzon drejtuesit aktualë të PD-së për manipulim të shifrave dhe për uzurpim të partisë për interesa personale.
“121 mijë anëtarë ka pasur Partia Demokratike, ndërsa sot uzurpatori pretendon 51 mijë. Kjo nuk është garë, është farsë me pjesëmarrje qesharake”, shkruan ai.
Sipas shifrave të publikuara prej tij, në Tiranë kanë votuar 430 demokratë, në Durrës 178, në Shkodër 191, në Lezhë 233, ndërsa në qarqe si Gjirokastra dhe Korça pjesëmarrja rezulton shumë më e ulët.
Në fund të reagimit, Salianji thekson se demokratët “folën qartë” përmes bojkotit të procesit dhe se nuk pranojnë, sipas tij, “pronësimin e Partisë Demokratike nga një individ”.
Zgjedhjet për kreun e PD/ “Shpërthen” demokrati: U kthyem si në kohën e Enverit, votojmë me urdhër"

Një demokrat ka shprehur pakënaqësi lidhur me procesin e zgjedhjeve për kreun e PartisԹ Demokratike, ku në fletën e votimit figuron vetëm emri i Sali Berisha.
Teksa Berisha e ka cilësuar procesin si një “referendum”, mbështetësi demokrat e krahasoi situatën me periudhën e diktaturës komuniste.
“Në kohën e Enverit votonim me urdhër për një. U kthye sistemi me urdhra edhe sot në PD”, u shpreh ai.
View this post on Instagram
Zgjedhjet në PD / Topalli pas votimit: Berisha u rikthye nga izolimi politik, ështësimbol

Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka votuar këtë të shtunë në zgjedhjet për kreun e PD-së, ku kandidat i vetëm është Sali Berisha.
Në një prononcim për mediat, Topalli e cilësoi rastin e Berishës si “unik” në politikën shqiptare, duke theksuar se ai arriti të rikthehej pavarësisht izolimit politik, shpalljes “non grata” dhe arrestimit.
Sipas saj, Berisha është një lider që ka fituar mbështetje të gjerë jo për shkak të pushtetit, por për shkak të besimit të qytetarëve.
“Politika është provë karakteri. Ka liderë që janë të fortë sepse kanë pushtetin, por në rastin e Berishës ndodhi diçka krejt tjetër. U lobua për ta shpallur non grata, u izolua politikisht, iu hoq vula e partisë dhe nisi fushatën elektorale nga arresti”, u shpreh Topalli.
Ajo shtoi se, kur një lider përballet me pengesa të tilla dhe arrin sërish të marrë mbështetjen e qindra mijëra qytetarëve, ai kalon përtej politikës tradicionale.
“Kur në këto kushte merr besimin e mbi 500 mijë shqiptarëve, ai hyn në territorin e simbolikës dhe nuk funksionon më me logjikën klasike të establishmentit politik”, deklaroi deputetja demokrate.
Salianji shpërthen ndaj Berishës: “Sali kolltuku", je simboli i votimit pa garë dhe vrasësi i shpresës”

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër ndaj procesit zgjedhor për kreun e PD-së, ku Sali Berisha kandidon i vetëm, pasi kandidaturat e tjera, mes tyre edhe ajo e Salianjit, nuk u pranuan nga strukturat e partisë.
Në një reagim publik, Salianji ironizoi Berishën duke e quajtur “Sali kolltuku”, ndërsa e akuzoi se është kthyer në simbol të votimit pa garë dhe të uzurpimit të Partisë Demokratike.
“Sot je kthyer në simbolin e votimit pa garë, uzurpatorit pa zgjedhje dhe pa dinjitet politik, vrasësin e shpresës së qytetarëve për ndryshim”, shprehet Salianji në reagimin e tij.
Ai pretendon se pjesëmarrja në votime ka qenë shumë e ulët, duke deklaruar se në të gjithë vendin nuk kanë marrë pjesë as 1000 anëtarë, ndërsa paralajmëroi publikimin e provave për, sipas tij, manipulimin e shifrave të pjesëmarrjes.
Salianji akuzon Berishën për frikë nga gara dhe për krijimin e një aleance të heshtur me kryeministrin Edi Rama, duke folur për një “regjim Rama-Berisha” që, sipas tij, po mban peng opozitën dhe pluralizmin politik në vend.
Në fund të reagimit, ai falënderoi demokratët që, sipas tij, kanë bojkotuar procesin dhe i kanë dërguar fotografi të fletëve të votimit, duke e cilësuar të gjithë garën si një “farsë pa alternativë”.
Berisha voton si i vetmi kandidat për kryetar të PD: “Proces shembullor, demokraci referendare”

Kryetari i Partisë Demokratike ka votuar sot në procesin për zgjedhjen e drejtuesit të ri të partisë, ku emri i tij është i vetmi në fletën e votimit.
Pas votimit, Sali Berisha përshëndeti anëtarët e PD-së që kanë marrë pjesë në proces, duke e cilësuar atë si shembullor dhe si një formë demokratike për të shprehur besimin ose kundërshtimin ndaj drejtimit të partisë.
Ai u bëri thirrje demokratëve që ende nuk kanë votuar të marrin pjesë, duke theksuar se ky është një standard që, sipas tij, zbatohet në parti moderne europiane dhe botërore.
Në deklaratën e tij, Berisha u shpreh se do të përmbushë me përkushtim detyrimet që burojnë nga vullneti i anëtarëve të partisë.
“Përshëndes të gjithë demokratët që kanë votuar deri tani në mbarë Shqipërinë në një proces shembullor, në të cilin në mënyrën më demokratike referendare i shprehim besimin ose shprehin vullnetin e tyre për kryetarin apo edhe kundër tij. Ftoj demokratët që ende nuk kanë votuar të përmbushin detyrimin e rëndësishëm statutor ndaj një procesi më demokratik që ekziston në disa parti moderne europiane dhe botërore… Do të përmbush me përkushtim detyrimet e mia ndaj qëndrimit të tyre”, u shpreh Berisha për mediat.
Berisha në votim si kandidat i vetëm, demokratët zgjedhin sot kryetarin e PD-së

Demokratët i drejtohen këtë të shtunë kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin që do të drejtojë Partinë Demokratike në katër vitet e ardhshme. Në garë është vetëm lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, i cili e ka cilësuar procesin e 23 majit si një “referendum” për drejtimin dhe të ardhmen e forcës politike.
Berisha ka deklaruar se, edhe pse në garë si kandidat i vetëm, procesi mbetet demokratik dhe synon ripërtëritjen e Partisë Demokratike pas zhvillimeve politike dhe zgjedhore të muajve të fundit.
Procesi i votimit nisi në orën 08:00 dhe do të mbyllet në 18:00 në të gjitha degët e PD-së në rrethe. Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme brenda partisë, këtë herë votat do të numërohen në qendrat ku është votuar dhe jo në selinë qendrore të PD-së në Tiranë.
Rezultati paraprak pritet të publikohet mbrëmjen e së shtunës, ndërsa drejtuesit e partisë e kanë cilësuar procesin si një moment të rëndësishëm për konsolidimin e strukturave të demokratëve.
Gjatë periudhës parazgjedhore, Komisioni i Zgjedhjeve në PD përjashtoi kandidatët që kërkuan të hynin në garë përballë Berishës, duke lënë në fletën e votimit vetëm emrin e tij.

