Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot takimin përmbyllës elektoral me qytetarët e Gjirokastrës, ku foli për disa prej arritjeve të qeverisë, si rritja e numrit të turistëve për qytetin. *Mes të tjerash premtoi se brenda 2030-ës do jetë përfunduar aeroporti i Gjirokastrës dhe do të kenë nisur fluturimet sezonale. *Ndërsa lidhur me problematikat e dërgesave të zarfeve me fletët e votimit për emigrantët shqiptarë në Greqi, Rama tha se ishte bërë një ngatërresë e vërtetë dhe u kërkoi shqiptarëve që të paraqiteshin në zyrat e postës për të votuar. *Para përmbylljes së fjalimit, Rama e pati edhe një tjetër thirrje për qytetarëve të cilëve u kërkoi që të mos votonin partitë e reja duke u kujtuar LSI-në që e quajti “farë të keqe” paçka se qeverisi katër vite me këtë parti.
“I fiken llampat në 5 fjali”, Rama ironizon Berishën dhe partitë e reja: Janë të tërë bufa të vegjël
Pas 12 vitesh në pushtet, kryeministri Edi Rama gjatë fjalimit të tij në Gjirokastër u përqendrua sërish tek kundërshtarët, edhe tek ata të cilët nuk kanë asnjë mandat ende në Kuvend.
Duke i cilësuar drejtuesit e partive të reja si “bufa të vegjël”, Rama u kërkoi qytetarëve që të mos i votojnë në mënyrë që të mos krijohet një forcë e ngjashme si ish-LSI-ja.
“E dini shumë mirë se çfarë është fara e keqe. Është ajo farë e keqe që polli të ndjerën LSI dhe ju e dini se çfarë kemi hequr me atë farë të keqe. Sot ajo farë e keqe nuk duhet lënë të mbijë e të marrë tokat e politikës shqiptare. Sepse nuk ka asnjë ofertë të re, por të njëjtën gjuhë të kënetës. Po sharjet e kënetës, po akuzat e kënetës. Ndryshe nga këneta, ka vetëm një gjë, këneta ka një buf të lodhur të mbaruar që i fiken llampat në çdo 5 fjali, kurse ata kanë ca djem të rinj në moshë, se në tru janë të gjithë bufa të vegjël”- u shpreh Rama duke dhënë mesazhin se ka dëshirë që votat të jenë të fokusuara në dy pole të mëdha. Versus.al
Ndarja e zarfeve në Greqi, Rama thirrje emigrantëve: U bë një mishmash, shkoni dhe merreni te posta
Në takimin përmbyllës elektoral të zhvilluar në Gjirokastër, kryeministri Edi Rama pati një thirrje për herë të parë ndaj emigrantëve shqiptarë sa i takon problemeve me shpërndarjen e zarfeve të votimit.
Duke e cilësuar si një “mishmash” situatën, Rama u kërkoi emigrantëve që të shkojnë në zyrat e postës DHL për të marrë fletën e votimit dhe më pas ta dorëzojnë po aty.
“Këtu përfitoj nga rasti, duke shpresuar dhe besuar që na shohin nga Greqia. Ju them, ju që jeni regjistruar për të votuar. U bë një mishmash, jo DHL, jo ku e di unë se ca. Por, tanimë mundësia është. Do ju lutesha atyre që janë regjistruar, të marrin zarfin, të marrin votën, të vendosin edhe ata për ta çuar në vend këtë amanet shekullor, për t’iu dhënë fëmijëve në Greqi dhe vetes tyre, këtë pasaportë europiane. Shqiptarët e Greqisë e janë ata që mund ta kuptojnë më mirë se gjithë shqiptarët, se ca do të thotë. Kjo pasaportë nuk është një dokument tjetër udhëtimi, kjo nuk është thjesht që ne kur shkojmë në aeroporte të mos na nxjerrin ashtu si të huaj, si që qytetarë të dorës së dytë, për të filluar të na kontrollojnë”, tha Rama.
Teksa në vijim të thirrjes së tij u tha emigrantëve shqiptarë në Greqi të cilët janë regjistruar për të votuar që të mos e lënë fletën si një copë të pavlerë, por të shkojnë dhe ta marrin.
“Ata që janë në antkh a do u njihet ndonjëherë pensioni, nuk mund ta lënë zarfin rrugëve, as votën për të cilën janë regjistruar të mbetet si një copë letër e pavlerë. Duhet të shkojnë ta marrin me çdo kusht dhe ta dërgojnë në Tiranë. Ka edhe disa ditë kohë, është plotësisht e mundur. U bëj thirrje ta dërgojnë në Tiranë”- deklaroi Rama. Versus.al
“Sollëm 600 mijë turistë në vit”, Rama në Gjirokastër: Brenda 2030-ës, nisin fluturimet nga aeroporti
Kryeministri Edi Rama mbajti sot një takim elektoral përmbyllës në Gjirokastër, ku nuk la pa ironizuar sërish konkratën prej 6 milionë dollarësh të lobimit të PD në SHBA.
Ai tha për fondacionin “MAGA” se u themelua nga patritoë shqiptarë që kanë dalë edhe garant për kontratën e lobimit.
“Aritmetika ka hyrë në një histori të panjohur, 7x7=42 habiteshim dhe qeshnim, po s’kishim parë asgjë, se u bë 7x7 =6 mln, me këtë kontratën e patriotëve, që befasisht 3 patriotë nga e njëjta familje u lindi në zemër të nxjerrin 6 mln që të mbrojnë Shqipërinë nga unë dhe nga ju dhe të tregojnë në Amerikë se sa e bukur është këneta. Është e habitshme se si pastaj, në kënete thuhet ca janë këto 6 mln, këto s’janë asgjë me çfarë ka bërë narko regjimi, çfarë ka bërë Rama me qeverinë, është fundi ky”, tha Rama.
Më tej ai foli për numrin e turistëve duke thënë se vitin e kaluar qyteti u vizitua nga 600 mijë persona.
“Kur ne themi që Gjirokastra, kur ne morëm, detyrën kishte 6 mijë turistë në vit, ndërkohë vjet kishte 600 mijë, këtë berberhanet e përqeshin. Ndërkohë që gjirokastritët e dinë, e jetojnë përditë, e shohin përditë faktin që ky qytet që i ishte vënë shqelmi në fyt dhe ngjante sikur po jepte shpirt, sot merr frymë, rritet, zhvillohet dhe shkëlqen hap pas hapi”, shtoi Rama.
Sipas kreut të qeverisë, brenda vitit 2030 do të nisin fluturimet nga aeroporti i Gjirokastrës që sipas tij do të jetë sezonal, jo i madh si i ai i Vlorës.
“Aeroporti i Gjirokastrës, që sot është një areroport funksional për aktivitete sportive, ka rezultuar që të ketë pika më ideale për të bërë aeroportin turistik të jugut. Ne u nisëm me projektin e Sarandës, bëmë dhe garë, nuk rezultoi e sukseshme, kemi marrë konsulencë ndërkombëtare, kanë parë të gjitha parametrat e korridoreve të ajrit dhe duke pasur këtë lidhjen e shkurtër dhe të shpejtë mes Gjirokastrës dhe bregdetit, rezulton që pika më ideale për të ndërtuar aeroportin është Gjirokastra. Dhe projekti, koncepti, është gati. Nuk është aeroport i madh si Vlora, është sezonal. Kemi besim që në Shqipërinë 2030 do ketë fluturime që ulen dhe ngrihen nga aeroporti i Gjirokastrës”, deklaroi kryeministri. Versus.al








