Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot në Elbasan kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 11 majit. Gjatë prezantimit të tyre, kryesocialisti u përqendrua sërish në retorikën e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. *Teksa ironizoi partitë e reja për faktin se kanë futur familjarë të tyre në listat e mbyllura, Rama la të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Dashnor Sulën. Ai tha se pavarësisht të gjithave, deputeti i cili tashmë është larguar nga PD, ishte ndër personat më me vlerë tek demokratët dhe shtoi se derën e ka të hapur te PS. *Në fjalën e mbajtur, Rama u përqendrua sërish tek Reforma në Drejtësi dhe tha se kreu i SPAK, Altin Dumani ka qenë edhe më parë prokuror, por nuk e kishte fuqinë që ka tani për të hetuar zyrtarë të lartë.
Rama i lë derën hapur Dash Sulës për t’u bashkuar me PS: Duhet vetëm të dezinfektohet
Kreu i qeverisë, Edi Rama ka folur sërish lidhur me largimin e Dashnor Sulës nga Partia Demokratike duke ia lënë derën hapur për t’u bashkuar me Partinë Socialiste në të ardhmen.
Teksa i bëri ofertën, Rama mes batutash dhe ironish për PD-në, tha se kushti i vetëm është që Sula të dezinfektohet nga këneta.
“Duhet të jemi të hapur edhe për blutë. Vetëm kukumjaçkat dhe salamandrat nuk hyjnë sot. Edhe Dash Sula mund të jetë, por duhet të dezinfektohet fillimisht. Aty një njeri me ulërima për miletin dhe komunitetin e tij ishte, duhet t’i japim atë që meriton. Por duhet të heqë fillimisht morrat e kënetës, aty të mbyll morri”, tha Rama. Versus.al
“Altin Dumani aty ishte”, Rama për kreun e SPAK: Përse nuk thirri ndonjë politikan më përpara?
Gjatë prezantimit të kandidatëve të PS për deputetë në qarkun e Elbasanit, kryeministri Edi Rama përmendi sërish Reformën në Drejtësi dhe politikanët e hetuar apo dënuar.
Duke përmendur me emër, kreun e SPAK, Altin Dumani, Rama tha se edhe më parë ka qenë prokuror, por nuk e kishte fuqinë të thërriste politikanë e t’i hetonte.
“Ky është shpëtimi kombëtar nga hijet e historisë tonë. Ne sot për herë të parë si popull që kur u ndamë nga Perandoria Ottomane, kemi jetuar në lloj lloj sistemesh. Për herë të parë kemi një situatë kur barazia përpara ligjit duket mundësi reale. Sot për herë të parë populli sheh njerëz me pushtet politik që hetohen e gjykohen nga prokurorë e gjyqtarë të pavarur. Nuk ka rëndësi se çfarë gjërash të çuditshme ka brenda këtyre proceseve.
Nuk është puna se doli Altin Dumani që ka të gjithë respektin dhe solidaritetin tonë për punën që bën, por edhe për punën kafshërore që ka marrë. Altin Dumani ka qenë aty, prokuror nuk e di sesa vite ka dhe virtytet nuk besoj se i erdhën nga Reforma. I ka pasur, por përse nuk thirri ndonjë politikan gjithë ato vite që ishte prokuror? Përse nuk doli ndonjë gjykatës? Është çështja e shpatës, nuk kishte shpatë në dorë Altini, por pushteti politik”- tha Rama. Versus.al
Rama ironizon partitë e reja: Moçale pranë kënetës me baballarë e teze në listat e mbyllura
Kryeministri Edi Rama sot ka zhvilluar një takim në Elbasan ku ka prezantuar kandidatët për deputetë të këtij qarku në zgjedhjet e 11 majit. Ai vijoi me retorikën e domosdoshmërisë së votës për të vazhduar rrugën e anëtarësimit të vendit në BE.
“Në 12 maj kemi punën tonë, numërimi votat etj. Por ata që shkojnë në zyrë për të punuar me negociatat, që janë rreth 1 mijë veta në të gjithë rrjetin e punonjësve të shtetit, nuk duhet të kenë asnjë luhatje apo lëkundje”- tha Rama.
Ndërsa nuk la pa ironizuar edhe partitë e reja, për faktin se ato kanë futur në lista të mbyllura familjarë të tyre me qëllim që pas zgjedhjeve të dorëhiqen dhe më pas mandati t’u kalojë më të votuarve nga listat e hapura.
“Ata të tjerët do marrin mesazhin e qartë që populli shqiptar konfirmoi vazhdimin e negociatave dhe jo një rrjedhje sado të vogël të kënetës apo moçale të vogla të krijuara rreth saj që i thonë vetes jemi parti të reja, me baballarë e teze në listat e mbyllura”- shtoi kryeministri.
Më tej tha se plani është që Shqipëria dhe Mali i Zi të anëtarësohen njëkohësisht në Bashkimin Europian.
“Ka njerëz që thonë, po çfarë është ky muhabet, 12 vite nuk na futët në BE dhe tani doni mandatin e katërt. Serbia ka filluar negociatat në vitin 2014, sot jemi në 2025-ën, Serbia është prapa nesh. Mali i Zi ka filluar negociatat në vitin 2012, sot ne jemi njëjtë me Malin e Zi dhe plani është që të hyjmë njëkohësisht në BE”- deklaroi kreu i qeverisë. Versus.al
"Mos shihni majtas apo djathtas kur të votoni", Rama publikon foton për renditjen e PS në fletën e votimit
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një foto e cila pritet të shoqërojë PS-në gjatë kësaj fushate elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Teksa PS renditet e pesta në fletën e votimit, Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që ta investojnë votën pa u ndikuar nga partitë e djathta apo të majta, por sipas tij duke pasur parasysh ecurinë e vendit drejt rrugës së anëtarësimit në BE.
“Mirëmëngjes, dhe me numrin 5 të Partisë Socialiste në fletën e 11 majit, ku çdo shqiptar e shqiptare do të duhet ta investojë votën për të vazhduar pa asnjë ndalesë a lëkundje negociatat me BE, anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Europian, siguruar pashaportën europiane për vete e familjen, duke mos parë majtas e djathtas, po drejt, tek maja e Shqipërisë 2030 në BE, ju uroj një ditë të mbarë”- shkruan Rama. Versus.al









