Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama ndodhet në Estoni ku po zhvillon një vizitë pune dhe do të marrë pjesë në forumin që do të mbahet në Tallinn për politikën e jashtme dhe sigurinë. *Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin estonian Kristen Michal, Rama tha se Shqipëria duhet të marrë shembull nga Estonia e cila është anëtare e BE. Gjatë fjalës së tij, u bëri thirrje edhe qytetarëve estonezë që të vizitojnë Shqipërinë edhe gjatë dimrit. *Nga ana tjetër, homologu i tij estonez shprehu mbështetjen e vendit të tij për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, ndërsa lavdëroi edhe punën e bërë nga qeveria me digjitalizimin dhe ministren artificiale Diellën.
''Shqipëria ka një ministre IA'', kryeministri i Estonisë: Duhet të ecim që t'ju kapim te kjo pjesë

Kryeministri i Estonisë, Kristen Michal tha se vendi i tij mbështet Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në BE.
Ndërsa tha se përvoja e Estonisë si vend digjital tregon reduktimin e burokracisë, përmendi edhe ministren me Inteligjencë Artificiale ''Diellën'' duke thënë se Estonia ka punë për të bërë për ta kapu Shqipërinë tek kjo pjesë.
“Estonia mbështet fort zgjerimin e BE. Kemi mbështetur Shqipërinë në rrugëtimin drejt BE dhe do të vijojmë ta bëjmë këtë gjë. Vazhdoni të ecni përpara me reforma për të ardhmen e vendit dhe popullit tuaj. Nëse Shqipëria përmbush angazhimet e saj, atëherë edhe BE do të bëjë të njëjtën gjë.
Fluturimet e drejtpërdrejta çelin mundësi të reja për turizmin dhe bizneset. Kemi shumë të përbashkëta, bashkëpunimi për çmimet digjitale, interesi në rritje për AI. Përvoja e Estonisë si vend digjital tregon se teknologjia mund të reduktojë burokracinë dhe përmirësojë shërbimet publike.
Nisma jonë e sapo prezantuar e AI është investim i rëndësishëm në të ardhmen e ekonomisë, pres me padurim të thellojmë bashkëpunimin për çështjet digjitale dhe inteligjencën artificiale. Shqipëria ka një ministre për AI, Estonia duhet të ecë që t’ju kapë aty”, tha Michal gjatë konferencës me Edi Ramën. Versus.al
‘’Starmer na solli shiun’’, Rama batuta me kryeministrin estonian: Unë ju solla diellin nga Shqipëria

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Estoni ku zhvilloi edhe një konferencë për shtyp me homologun e tij Kristen Michal. Me batutë, Rama i tha se gjatë samitit të zhvilluar në Tiranë ishte ditë me shi për shkak të pranisë së kryeministrit britanik Keir Starmer, ndërsa tha se sot në Estoni ishte diell sepse e kishte sjellë ai nga Shqipëria.
“Së pari më lejoni që të saktësoj pak gjërat. Kur erdhët në Tiranë, ishte ditë me shi. Ishte gjithmonë ngrohtë, por ishte ditë me shi, sepse Keir Starmer e solli nga Londra. Sot është ditë me diell në Talin, sepse e solla nga Tirana’’- tha Rama.
Ndërsa shtoi më tej se Shqipëria ka shumë për të mësuar nga një vend i vogël si Estonia që është anëtare e BE dhe ka arritur zhvillime të mëdha në sistemin arsimor dhe fusha të ndryshme.
‘’Më lini t’ju them, me ju jo vetëm që kërkojmë bashkëpunim, por kërkojmë atë udhërrëfyes estonez. Jam shumë mirënjohës kur më thatë se jeni gati të mirëprisni njerëzit tanë, të mësojnë prej jush dhe nga ajo që ju po bëni në sektorin arsimor, duke nisur nga fëmijët për t’i dhënë atyre instrumentet që ta çojnë vendin në një tjetër nivel.
Ne duam të sigurohemi që edhe rrugëtimi ynë drejt 2030 të shtrohet me të njëjtin novacion që e ka bërë Estoninë një markë globale. Ju përmendët ministren e IA, jemi shumë të lumtur t’ju a prezantojmë. Nga ana tjetër, më drejtë përmendët që Estonia dhe Shqipëria janë shumë të bashkuara, jo vetëm nga NATO, por nga një refuzim i palëkundur për të mos lënë fuqitë e huaja që të minojnë mënyrën tonë të jetesës’- u shpreh Rama më tej duke u bërë thirrje estonezëve që të vizitojnë Shqipërinë edhe gjatë dimrit. Versus.al

