Çfarë do të gjeni në brendësi
*Sali Berisha u zgjodh kryetar i Partisë Demokratike pas zgjedhjeve të mbajtura sot në selitë e degëve ku demokratët votuan në fletën ku Berisha ishte kandidati i vetëm. *Ai siguroi 96% të votave pro, ndërsa i konsideroi këto si zgjedhjet më të rëndësishme brenda PD që prej vitit 1991.
Referendumi i PD-së, fiton Berisha me 96% të votave: Votimi më i rëndësishëm që prej vitit 1991, ecim drejt qëllimeve të mëdha
“Ky është votimi më i rëndësishëm prej vitit 1991”, Berisha i drejtohet demokratëve pas fitores: Zgjodhët të ecni drejt qëllimeve madhore

Pas shpalljes së rezultatit të referendumit që u zhvillua në të gjitha degët e PD për rikonfirmimin ose jo të Sali Berishës në krye të PD, vetë Berisha ka dhënë një deklaratë në ambientet e selisë blu.
Berisha teksa falenderoi mijëra demokratë që morën pjesë në votime, tha se votimi i sotëm ishte më i rëndësishmi për të prej vitit 1991.
“Unë sonte dua tju them të gjithë dhjetëra mijëra demokratëve se për mua, nga 1991 deri më sot ky është votimi më i rëndësishëm sepse me këtë votëbesim ju vendosët të ecni të pamposhtur drejt qëllimeve tona madhore”, tha Berisha.
Fjala e plotë
Mirënjohje për të gjithë demokratët që më votëbesuan masivisht në krye të PD! Ne jemi një familje e mbrujtur në palcë me diversitetin dhe standardin demokratik
Mirëmbrëma dhe përshëndetje të përzemërta.
Jam këtu para së gjithash për të shprehur mirënjohjen time më të pakufishme, nderimin më të thellë për të gjithë ata demokrate e demokratë, që sot votuan për riafirmimin tim në një votëbesim masiv në krye të Partisë Demokratike.
Një mirënjohje e veçantë shkon edhe për ata që votuan ndryshe.
I garantoj se vota e tyre ndryshe, apo kundër abstenim qoftë, do mbahet shënim në kuptimin e asaj që do bëj gjithçka për t’u dhënë përgjigje më të mirë atyre hezitimeve apo vërejtjeve për të cilat ata votuan kundër ose abstenuan.
Jemi një familje e mbrujtur në palcë, në qelizë me diversitetin, me standardin demokratik.
Shumë mirënjohje për ata qindra e qindra komisionerë në të katër anët e vendit, të cilët organizuan këtë proces shembullor në të gjitha degët e PD të Shqipërisë.
Falënderim të përzemërt për kryetarët, udhëheqësit politikë të qarqeve, kryetarëve të degëve në mbarë vendin, kryesitë dhe të gjithë ata që kontribuan në këtë proces.
Me votën tuaj keni lënë pa gjumë organizatën kriminale dhe kreun e saj. Me votën tuaj keni tmerruar mafien e fjalës së lirë! Fitorja jonë është e pashmangshme
Por unë sonte dua t’u them të gjithë këtyre dhjetëra mijëra demokratëve se për muam në të gjitha votimet nga shtatori i vitit 1991 gjer sot, ky është votimi më i rëndësishëm, më i jashtëzakonshëm sepse me këtë votëbesim ju vendosët të ecim të pamposhtur drejt qëllimeve tona madhore.
Të ecim të pamposhtur në përmbushjen e misionit të madh.
Imagjinoni ju, rreth 40 mijë gra dhe burra, djem dhe vajza politikë që ngrihen fuqishëm pas betejash të fuqishme për të vazhduar luftën tonë gjer në fitore të plotë.
Ky është një besim i madh i të gjithë ju që morët pjesë sot në votim, në forcën, në vizionin, në vendosmërinë e PD për të përmbysur diktaturën e dytë në Shqipëri.
Me votën tuaj ju keni lënë pa gjumë organizatën kriminale dhe kreun e saj.
Keni lënë pa gjumë kartelet e drogës dhe lidhjet e tyre me qeverinë.
Keni lënë pa gjumë mafien e tmerrshme të fjalës së lirë, e cila ka dy muaj që në një agresion mediatik të paparë bën gjithçka të përbaltë këtë proces më të fuqishmin që ka njohur PD në tërë ekzistencën e saj.
Bënë gjithçka t’u mashtrojnë, t’u dekurajojnë.
Bënë gjithçka në zbatim të porosive të kreut të narkoshtetit.
Garantoj mafien qeveritare dhe vasalët e saj se lufta jonë është absolutisht e pakompromis.
Se fitorja jonë është e pashmangshme.
Se ky proces zgjedhor, që mbyllet sot, ka nxjerrë PD-në më të fortë se kurrë në ekzistencën e saj.
Sali Berisha rikonfirmohet kryetar i PD me 37 341 vota “pro”

Sali Berisha ka marrë 37341 vota duke u rikonfirmuar masivisht si kryetar i ri i PD.
Deputetja e PD, Albana Vokshi tha se gjithsej morën pjesë në votim 39.441 demokratë, ndërsa vota të pavlefshme ishin 539.
"Nga përpunimi i të dhënave paraprake, pra kontaktet që kemi pasur me degët, 77 degët e Partisë Demokratike, ku votuan në 87 qendra votimi, nga rezultatet paraprake pra të procesit, kemi si më poshtë vijon.
Numri total i votave të numëruara pra, numri total i pjesëmarrësve është 39,441.
Nga këto, rezulton, vota të vlefshme 38,902.
Vota të pavlefshme 539.
Nga votat e vlefshme, vota pro kryetarit Sali Berisha 37,341.
Vota kundër 1,055.
Vota abstenim 506", tha Vokshi.
Përfundon votimi për kreun e PD-së, mbyllet procesi në të gjitha qendrat e votimit

Ka përfunduar procesi i votimit këtë të shtunë për referendumin mbi konfirmimin ose jo të zgjedhjes së Sali Berisha në krye të Partia Demokratike.
Procesi nisi në orën 08:00 në të gjithë vendin dhe fillimisht ishte parashikuar të mbyllej në orën 18:00. Megjithatë, sekretari për çështjet zgjedhore në PD, Ivi Kaso, njoftoi shtyrjen e afatit deri në orën 19:00 për disa degë të mëdha, për shkak të fluksit të votuesve.
Sipas të dhënave të publikuara gjatë ditës, procesi u zhvillua në rreth 87 qendra votimi në të gjithë Shqipërinë, ndërsa të drejtën e votës e kishin mbi 51 mijë anëtarë të Partisë Demokratike.
Në disa qarqe u raportua pjesëmarrje e konsiderueshme. Vetëm në qarkun e Beratit ishin thirrur për të votuar rreth 1 640 anëtarë, ndërsa në degën e Gjirokastrës numri i anëtarëve të regjistruar arriti në afro 2 mijë. Në Sarandë, lista përfundimtare e votuesve përfshinte rreth 870 anëtarë me të drejtë vote.
Ky referendum u zhvillua sipas parimit “një anëtar, një votë”, ndërsa në fletën e votimit demokratët kishin tre alternativa: “pro”, “kundër” ose “abstenim” për kandidaturën e vetme të Sali Berishës. Numërimi i votave pritet të kryhet në degët ku u zhvillua votimi dhe rezultatet paraprake priten të publikohen gjatë mbrëmjes.
Zgjedhjet për kreun e PD, shtyhet deri në orën 19:00 votimi në degët e mëdha

Partia Demokratike ka vendosur shtyrjen e votimit deri në orën 19:00 për degët e mëdha ku do të vijojë votimi për kreun e PD.
Në një komunikim për mediat, deputeti democrat Ivi Kaso tha se me vendim të KOKOE-s është parashikuar ora 18:00 si orari i mbylljes së procesit të zgjedhjeve të ditës së sotme.
Shkak sipas tij është fluksi i votimit që pritet të vazhdojë edhe pas orës 18:00.
“Procesi të qëndrojë i hapur deri në orën 19:00 për këto degë të mëdha, në mënyrë që t'u jepet mundësia të gjithë demokratëve që të votojnë dhe të shprehin pëlqimin e tyre për procesin e rikonfirmimit të kryetarit të parties”, tha Kaso.
Prononcimi i Ivi Kasos
Jam këtu përpara jush për të ndarë një komunikim në emër të Komisionit të Organizimit dhe të Kontrollit të Operacioneve Elektorale.
Sikurse e dini, edhe me vendim të KOKOE-s është parashikuar ora 18:00 si orari i mbylljes së procesit të zgjedhjeve të ditës së sotme.
Si pasojë e disa kërkesave që kanë ardhur pranë KOKOE-s nga disa degë të mëdha, sikurse është edhe dega 2 që voton këtu në seli, KOKOE ka marrë vendim që për këto degë të mëdha, të cilat, në të cilat ka fluks votimi dhe presin fluks që të vazhdojë edhe mbas orës 18:00, procesi të qëndrojë i hapur deri në orën 19:00 për këto degë të mëdha, në mënyrë që t’u jepet mundësia të gjithë demokratëve që të votojnë dhe të shprehin pëlqimin e tyre për procesin e rikonfirmimit të kryetarit të partisë.
Është proces i cili është drejt përfundimit në disa degë të vogla, të cilat e kanë ezauruar procesin për shkak të kohëzgjatjes së tyre.
Por veçanërisht në degët qendër qarku si dhe në disa degët më të mëdha të Tiranës, të cilët kanë një numër të lartë votuesish, është parashikuar mbas komunikimit të tyre me KOKOE-n, është marrë vendim përkatësisht për çdo degë, që ky proces të mbyllet në orën 19:00.
Përfitoj nga rasti t’u bëj thirrje të gjithë demokratëve të degëve të mëdha të Tiranës si dhe të degëve veçanërisht të qendrës së qarkut, të qarqeve më të mëdha të cilat kanë kërkuar që procesi të zgjatet deri në orën 19:00, që të dalin dhe të kenë mundësi që të ushtrojnë të drejtën dhe detyrimin e tyre statutor për të votuar në procesin e sotëm.Versus.al
Berisha kandidati i vetëm në garë, PD publikon shifrat e pjesëmarrjes në votime. Ja sa kanë votuar deri në orën 15:00

Në të gjitha degët e PD, po votohet për kreun e Partisë Demokratike ku në garë është vetëm Sali Berisha.
Në një komunikim për mediat Albana Vokshi theksoi se dëri më 15:00 në 77 degët e Partisë Demokratike, rezulton 28 379 votues.
Procesi i votimit nisi në orën 08:00 dhe do të mbyllet në 18:00 në të gjitha degët e PD-së në rrethe.
Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme brenda partisë, këtë herë votat do të numërohen në qendrat ku është votuar dhe jo në selinë qendrore të PD-së në Tiranë.
Rezultati paraprak pritet të publikohet mbrëmjen e së shtunës, ndërsa drejtuesit e partisë e kanë cilësuar procesin si një moment të rëndësishëm për konsolidimin e strukturave të demokratëve./Versus.al

