Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama ishte sot në Berat ku zhvilloi një takim me përfaqësues të start up-eve dhe ekspertë të teknologjisë. Teksa theksoi se vendi po përballet gjithnjë e më shumë me rrezikun e sulmeve kibernetike, kreu i qeverisë tha se nevoja për të patur sisteme gjithnjë e më të sofistikuara të mbrojtjes nga këto sulme është në rritje. *Por teksa foli për këtë fushë, u përqendrua në nevojën e krijimit të një sistemi që me anë të AI dhe dronëve të përdoret për të kontrolluar territorin edhe sa i takon ndërtimeve pa leje. Në këtë pjesë ai komentoi edhe aksionin e shembjes së rreth 100 strukturave në Theth, për të cilat tha se inspektorët përgjegjës nuk e kishin bërë detyrën siç duhet duke mos lajmëruar institucionet. *Më tej tha se duke parë zhvillimin dhe integrimin e sistemeve të Inteligjencës Artificiale, shpejt mund të vijë koha që e gjithë qeveria të jetë me ministra të AI.
"Qeveri e Inteligjencës Artificiale", Rama: Shpejt mund të vijë dita! S'do ketë ministra me kushërinj për të punësuar
Teksa foli për integrimin e shërbimeve të Inteligjencës Artificiale në institucionet shtetërore, kryeministri Edi Rama dha edhe një detaj nga ajo çfarë kishte parë nga një vizitë në Emiratet e Bashkuara ku mbledhjet e bordit bëheshin me pranin e një vëzhguesi të Inteligjencës Artificiale.
Ai tha se zhvillime të tilla mund të bëjnë së shpejti që krijohen mundësi që qeveria e drejtuar nga kryeministri të jetë e gjitha Inteligjencë Artificiale duke thënë se nuk do ketë ministra që do kenë kushërinj për të futur në punë.
“Pashë një produkt që ata e kishin nisur në fondin e tyre të madh të zhvillimit. Mbledhjet e bordit të tyre bëheshin me praninë e një vëzhguesi AI. Mbasi flisnin ai mbante gjithë shënimet dhe jepte opinion mbi çfarë u tha duke iu referuar gjërave që i kanë bërë më para dhe mund t’i kishin harruar në atë diskutim. Ata thonin është akoma si vëzhgues, por ajo që vëzhguesi po bën dhe po na e provon përditë, është që shumë shpejt ai mund të bëhet anëtari më efikas i bordit. Kjo con në mundësinë që ti qeverinë ta kesh AI. Shumë shpejt mund të vijë dita që ministrin X e ke AI. S’ka as kushërinj për të futur në punë, as interesa të asnjë natyre që të prishë proceset. Nuk po them se ky është synimi ynë, megjithëse me shumë dëshirë do ta merrja përsipër, por është e pafundme kjo botë”- deklaroi kreu i qeverisë. Versus.al
“Më pyesin ku ishit kur u bënë”, Rama për ndërtimet në Theth: Nuk na lajmëruan ata që e kishin për detyrë

Në takimin që pati me përfaqësues të start up-eve në fushën e teknologjisë, kryeministri Edi Rama nuk la pa përmendur as aksionet që po zhvillohen aktualisht në territor që nga heqja e zaptimeve të hapësirave publike deri tek shembjet e strukturave në Theth.
Rama tha se e kishte të vështirë përgjigjien kur pyetet përse këto ndërtime nuk u ndaluan më herët dhe nuk u raportuan askund. Por shtoi se sipas tij nuk ka funksionuar zinxhiri që nga inspektorët që nuk kanë vepruar për këto ndërtime pa leje e deri tek mungesa e veprimit nga prokuroria.
“Kontrolli mbi terrritorin ka një transformim të jashtëzakonshëm pozitiv, por problematikat janë prapë të jashtëzakonshme përsa luftë është bërë. Ne kemi kohë që kemi thënë dhe jemi përpjekur që ta kalojmë kontrollin e territorit në nivelin teknologjik. Sepse pyetja më e rëndomtë që bëhet, është u nisët me një armatë në Theth dhe shkatërruat mbi 100 objekte, por ku ishit kur këto u bënë? Detyrimisht përgjigjia bëhet e vështirë sepse kuptohet se ata që duhet t’i shikonin dhe të lajmëronin, nuk kanë bërë gjënë e duhur. Zinxhiri nuk ka funksionuar sepse një strukturë e ka çuar rastin në prokurori, prokurorja ka thënë nuk ka problem etj etj. Koha për të ndërtuar një administratë si në vendet e BE, ka qenë plotësisht e pamjaftueshme”- deklaroi kryeministri duke thënë se 12 vite nuk i kanë mjaftuar për të patur një administratë si në vendet e BE. Versus.al
“Folni lirshëm”, Rama batuta me përfaqësuesit e teknologjisë: Mund të hakmarreni nëse nuk sillemi mirë

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim sot në Berat me përfaqësues të teknologjisë dhe start up-eve mbi sfidat e vendit drejt rrugëtimit për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Përpara nisjes së diskutimeve kreu i qeverisë u bëri thirrje të pranishmëve që të flisnin haptas lidhur me çdo lloj kritike që kanë mbi punën që duhet të bëjë qeveria në këtë fushë.
Madje nuk ngurroi të përdorte batutat duke thënë se në rast se ndonjë prej qeverisë do të kishte komunikim jo të përshtatshëm me ta, atëherë ata mund të ‘hakmerreshin’ me metoda që vetëm ata i dinë nëpërmjet teknologjisë.
“Nuk kemi ardhur këtu të bëjmë mbledhje apo takim si në raste të tjera që ka një sebep për të shpallur fituesit e një raundi aplikimesh për start upet. Çohen disa nga ju e thonë fjalët e tyre. Këtu iu kemi ftuar të na flisni shumë hapur. Ju e keni edhe lirinë që të thoni atë që doni dhe mendoni sepse nuk keni asnjë lloj varësie nga ne. jo vetëm kaq, por dispononi edhe elemente që mund të na bëni dëm në rast se doni të merrni hak për ndonjë komunikim të papërshtatshëm nga ana jonë. Madje të na e bëni dëmin pa e kuptuar se jeni ju që e bëni dëmin dhe ta shijoni me ato talentet sesi na bllokoni. Kështu që ju lutem shumë, do doja maksimumin e lirisë në këtë komunikim sepse na intereson të kuptojmë se çfarë mund të bëjmë më mirë nga këndvështrimi juaj që na shikoni nga një nivel i ndryshëm interesash dhe nevojash. Ndihuni të lirë për çdo lloj rezerve që lidhet me ato pjesë të qeverisë që lidhen me punën tuaj”- u shpreh Rama. Versus.al







