Live Updates /

Shoqata e gjyqtarëve: Deklaratat e Ramës për çështjen e Ballukut, presion! Kryeministri: Nuk mbyll gojën kur shkelet pavarësia e pushteteve

*Sot Shoqata e Gjyqtarëve reagoi ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama sa i takon çështjes së Ballukut në Kushtetuese. Në reagim thuhej se shoqata është tepër e shqetësuar me deklaratat e kryeministrit, të cilat i konsideroi si “presion i fshehtë”. *Nuk vonoi as reagimi i Ramës i cili nëpërmjet një postimi në “X” shkroi se deklaratat e tij janë opinione dhe jo presion siç pretendon shoqata e gjyqtarëve. *Sipas Ramës, qëndrimi që ai ka mbajtur në këtë rast ka të bëjë me përpjekjen që pushteti gjyqësor të mos ndërhyjë në kompetencat e ekzekutiv.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Sot Shoqata e Gjyqtarëve reagoi ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama sa i takon çështjes së Ballukut në Kushtetuese. Në reagim thuhej se shoqata është tepër e shqetësuar me deklaratat e kryeministrit, të cilat i konsideroi si “presion i fshehtë”. *Nuk vonoi as reagimi i Ramës i cili nëpërmjet një postimi në “X” shkroi se deklaratat e tij janë opinione dhe jo presion siç pretendon shoqata e gjyqtarëve. *Sipas Ramës, qëndrimi që ai ka mbajtur në këtë rast ka të bëjë me përpjekjen që pushteti gjyqësor të mos ndërhyjë në kompetencat e ekzekutiv.

3 Postime
1 ORE ME PARE

Kryeministri Rama reagon sërish pas deklaratës së gjyqtarëve: Detin ku marrin 6130 Euro në muaj, duan ta kthejnë në kos

Shoqata e gjyqtarëve: Deklaratat e Ramës për çështjen

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish brenda pak orëve pas deklaratës së Shoqatës së Gjyqtarëve.

Kreu i qeverisë sqaron, sipas tij, ata që habiten me faktin se magjistratët kërkojnë rritje pagash me 1600 euro mbi aktualen. Numri një i ekzekutivit thotë se 1600 euro është shtesa në pagë që kërkojnë magjistratët e zakonshëm, pasi prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e GJKKO-së kërkojnë një rritje prej 3100 eurosh mbi pagën aktuale.

Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:

“S’ka mundësi”, më shkruajnë disa, lidhur me kërkesën e gjyqtarëve për ta rritur pagën me 1600 Euro mbi aktualen!

Jo vetëm që ka mundësi, po 1600 Euro është rritja që kërkojnë magjistratët e këshilltarët e zakonshëm, se mes rritjekërkuesve janë edhe specialët, pra ata të GJKKO dhe SPAK-ut, të cilët kanë pagat më të larta në republikë, por kërkojnë edhe një rritje prej 3100 Eurosh!

Po, asnjë shaka, detin ku aktualisht marrin 6130 Euro në muaj, tani duan që t’ua kthejë në kos Gjykata Kushtetuese me 3100 Euro plus, e si përfundim të marrin 9230 Euro në muaj.

Si ka mundësi?! Ka mundësi si jo, kur arrin të ndryshosh edhe qeverinë me një vendim gjykate, duke marrë kompetencat e kryeministrit, Presidentit e parlamentit bashkë, pa pasur marrë një kokërr vote të vetme nga populli tërë jetën tënde, si nuk arrike të marrësh nga arka e shtetit me një vendim tjetër gjykate, mijëra euro për të rritur pagën tënde?! Kush ka mbetur pa e kuptuar që s’e kam hallin tek një ministër unë, po tek rreziku real i përmbysjes së balancës demokratike mes pushteteve?

6 ORE ME PARE

Shoqata tha se po u bën presion gjyqtarëve, Rama: Gabojnë nëse presin të mbyll gojën, jap opinionin tim

Shoqata e gjyqtarëve: Deklaratat e Ramës për çështjen
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar deklaratës së Shoqatës së Gjyqtarëve e cila i konsideroi deklaratat e tij si presion ndaj gjyqtarëve që kanë në shqyrtim çështjen e Ballukut. Rama shkruan se nuk i ka parë të ankohen për akuzat dhe fyerjet e Berishës ndaj GJKKO.

Ndërsa shton më tej se nuk do të rrijë pa dhënë opinionin e tij mbi një çështje ku vetë kryeministria është palë duke mohuar akuzat se po bën presion. Sipas tij, funksioni i pushtetit ekzekutiv është goditur nga një prokuror e gjykatës duke shkelur pavarësinë e ndarjes së pushteteve. 

'Mirëpo gabon shumë Shoqata e Gjyqtarëve, nëse pret që unë të mbyll gojën e të mos ndaj me publikun opinionin tim, as edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues, për shkak se funksioni që mbuloj, me votat e afro 1 milionë shqiptarëve, është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen në shtyllën e vet kurrizore"- shkruan Rama mes të tjerash në rrjetin social "X". 

Reagimi i plotë:

Shoqata e Gjyqtarëve ka bërë deklaratë për t’u ankuar për “presionin” tim ndaj Kushtetueses. Dy mundësi ka këtu:

Ose nuk e dinë kuptimin e fjalës presion, sepse nuk i kam parë të ankohen për ca të tjerë, që prej vitesh u këndojnë librin e shtëpisë njerëzve të drejtësisë, ose e dinë që kur ankohen për mua, nuk u hyn gjemb në këmbë, sepse unë jam ai që kam 10 vjet që nuk luftoj me ta, po luftoj për ta -madje duke i përtypur në heshtje, si çështje të pavarësisë së shpallur botërisht me Reformën në Drejtësi, edhe jo pak “lajthitje” të dhimbshme të gjyqësorit, në dëm të lirive e të drejtave të njerëzve të këtij vendi dhe të interesave të këtij shteti.

Mirëpo gabon shumë Shoqata e Gjyqtarëve, nëse pret që unë të mbyll gojën e të mos ndaj me publikun opinionin tim, as edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues, për shkak se funksioni që mbuloj, me votat e afro 1 milionë shqiptarëve, është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen në shtyllën e vet kurrizore.

Jo vetëm kaq, po Shoqata e Gjyqtarëve duhet ta dijë, që do të gabonte po kaq shumë sikur të priste heshtjen time për kërkesën e saj skandaloze dhe të përsëritur, ndaj Gjykatës Kushtetuese, për (ri)rritjen e pagave të gjyqtarëve me vendim gjykate, duke rrëmbyer kompetencat e qeverisë e të parlamentit.

Heshtja ime herën e parë, përpara se sa të merrej ai vendim befasisht i turpshëm, nuk do të përsëritet këtë herë, kur me (ri)kërkesën në fjalë, shoqata e gjyqtarëve po tenton të marrë nga buxheti i shtetit, duke anashkaluar qeverinë dhe parlamentin, një rritje të re prej plot 1600 Eurosh - po po, 1600 Euro plus pagës aktuale - të pagave të magjistratëve e të këshilltarëve të tyre.

Në ndërkohë, unë dhe qeveria e shumica parlamentare që kam nderin të udhëheq, mirëpresim krahëhapur çdo komunikim institucional me shoqatën në fjalë, për të adresuar nevojat e sfidat e drejtësisë së re, ku parimi i shenjtë i pavarësisë së gjyqësorit, duhet mbrojtur me çdo kusht jo vetëm nga ndërhyrjet e jashtme të kujtdoqoftë, përfshirë dhe mua vetë, po edhe nga krimbi i brendshëm i papërgjegjshmërisë së gjyqtarëve, i cili bren përditë besimin e popullit tek drejtësia. Versus.al

7 ORE ME PARE

Pretendimet për ndërhyrje nga 'gjyqësori', reagon Shoqata e Gjyqtarëve: Të shqetësuar nga deklaratat e kryeministrit

Shoqata e gjyqtarëve: Deklaratat e Ramës për çështjen
Kryeministri Edi Rama

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar lidhur me deklaratat e vazhdueshme të kryeministrit Edi Rama në rrjetet sociale lidhur me atë që e konsideron ndërhyrje të pushtetit gjyqësor në atë ekzekutiv.

Në deklaratën zyrtare, Shoqata shprehet e shqetësuar për pretendimet e ngritura nga kryeministri Edi Rama duke thënë se këto deklarata të përditshme nga ana e tij lidhur me çështjen e Ballukut, minojnë besimin e publikut tek pushteti gjyqësor. Ndër të tjera deklaratat e kreut të ekzekutivit, shoqata i cilëson si mesazhe të fshehura presioni.

“Nën petkun e ankesës për uzurpimin e pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ nga ai gjyqësor në të vërtetë fshihet një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë që kanë për shqyrtim çështjen në fjalë. Gjithashtu, mesazhe të tilla të përditshme të ushqyera ndaj publikut të gjerë synojnë të krijojnë një klimë mosbesimi ndaj pushtetit gjyqësor dhe mund të përdoren më tej si pretekst për marrjen e masave erozive ndaj këtij të fundit”- thuhet mes të tjerash në qëndrimin zyrtar të shoqatës.

Reagimi i plotë:

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje prej disa ditësh komunikimin publik të Kryeministrit të vendit lidhur me çështjen gjyqësore në ngarkim të Zëvendëskryeministres dhe njëkohësisht Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila është duke u shqyrtuar në të njëjtën kohë nga Gjykata Kushtetuese, si dhe nga gjykatat e posaçme. Shoqata shpreh shqetësimin dhe indinjatën lidhur me qasjen që kreu i pushtetit ekzekutiv ka zgjedhur të bëjë për këtë problematikë, e cila është pjesë e juridiksionit të pushtetit gjyqësor. Nën petkun e ankesës për uzurpimin e pushteteve ekzekutiv dhe legjislativ nga ai gjyqësor në të vërtetë fshihet një mesazh presioni ndaj organeve të drejtësisë që kanë për shqyrtim çështjen në fjalë. Gjithashtu, mesazhe të tilla të përditshme të ushqyera ndaj publikut të gjerë synojnë të krijojnë një klimë mosbesimi ndaj pushtetit gjyqësor dhe mund të përdoren më tej si pretekst për marrjen e masave erozive ndaj këtij të fundit

Shoqata rithekson se ndarja dhe balancimi i pushteteve është një nga parimet themelore të demokracisë, prandaj pavarësia e pushtetit gjyqësor, arbitrit final për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve, përbën një gur themeli për ndërtimin e shtetit të së drejtës. Kjo pavarësi vihet në rrezik jo vetëm nga veprime konkrete që synojnë kufizimin e sferës së kompetencave të këtij pushteti, por edhe nga çdo akt ose deklaratë që perceptohet si kërcënim ose presion politik ndaj veprimtarisë gjyqësore apo që ul reputacionin e organeve të drejtësisë në sytë e publikut dhe, në këtë mënyrë, minon besimin e tij tek këto organe. Komisioni Evropian ne raportet për Shqipërisë ka adresuar si shqetësim vazhdimin e përpjekjeve te ndërhyrjes dhe presionit ndaj sistemit gjyqësor nga zyrtarë të lartë publikë dhe politikanë.

Gjyqtarët janë të pavarur dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve e si të tillë qëllimi i misionit të tyre nuk është fitimi i pëlqimit të shumicës së publikut apo një pjese të tij, por zbatimi me fanatizëm i vullnetit të sovranit të shprehur në këto akte. Vendimet gjyqësore mund të jenë të papëlqyeshme për disa subjekte, por kjo nuk i bën ato ilegjitime, pasi sistemi demokratik i qeverisjes vepron brenda kufijve që i përcaktohen nga standardet e shtetit të së drejtës dhe zbatuesit finalë të këtyre standardeve janë gjyqtarët. Në këtë kuadër, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë fton dhe i kërkon secilit zyrtar të lartë të dy pushteteve të tjera që të respektojë pavarësinë e gjyqtarëve në vendimmarrjen e tyre dhe të distancohet nga çdo sjellje që e cenon atë. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjyqtarëve gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësore përbën formën më të rrezikshme në shkeljen e parimit të ndarjes së pushteteve, pasi ka si qëllim deformimin e vendimmarrjes nëpërmjet formave të ndryshme të presionit. Versus.al

Poll