Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kuvendi shpalli sot Iranin si shtet financues të terrorizmit. Me 79 vota të socialistëve dhe një abstenim të Redi Muçit nga Lëvizja Bashkë, Shqipëria njëjtë si SHBA-të e cilëson tashmë Iranin shtet terrorist duke dënuar edhe sulmet kibernetike ndaj institucioneve të vendit tonë. *Rezoluta u prezantua nga kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla i cili e konsideroi urgjente seancën për votimin e saj, ndërsa shprehu keqardhje për Partinë Demokratike të zgjodhi ta bojkotonte. *Nga ana tjetër opozitarët kishin deklaruar më herët se nuk do të merrnin pjesë për shkak se e shihnin seancën si agjendë personale të Ramës dhe jo të shprehjes së problematikave të qytetarëve.
Socialistët miratojnë rezolutën, Shqipëria shpall Iranin "shtet terrorist"

Ashtu siç pritej, socialistët u mblodhën në seancë plenare sot dhe brenda 22 minutash miratuan rezolutën e paraqitur prej tyre për shpallen e Gardës Revolucionare të Iranit dhe të Hezbollahut si financues të terrorizmit.
Në total 79 deputetë votuan pro rezolutës dhe vetëm një votë ishte abstenim nga deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi.

Më herët në foltore, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se miratimi i kësaj rezolute është urgjencë për të treguar qëndrimin e Shqipërisë përkrahë partnerëve strategjikë.
Partia Demokratike bojkotoi seancën duke e konsideruar këtë një “fasadë” të PS me argumentin se Kuvendi ka çështje shumë më të rëndësishme për të diskutuar që lidhen me problemet e qytetarëve shqiptarë. Versus.al
“Irani shtet terrorist”, Balla: Ta miratojmë urgjentisht rezolutën, keqardhje që PD bojkotoi

Kreu i grupit parlamentar Taulant Balla e konsideroi urgjente seancën plenare të ditës së sotme ku do të votohet projekt rezoluta e socialistëve për ta shpallur Iranin shtet terrorist. Ai tha se kjo nuk ka të bëjë me qytetarët iranianë, të cilët i konsideroi viktima të regjimit.
“Kjo rezolutë nuk është kundër një populli, nuk u drejtohet kurrsesi qytetarëve të Iranit që janë vetë viktima të një regjimi represiv. Është qëndrim kundër praktikave shtetërore që mbështesin terrorizmin dhe destabilitetin si akt i pastër politik. Shqipëria ka treguar vazhdimisht se është partner i besueshëm në luftën kundër terrorizmit. Kontributi ynë në NATO është dëshmi e këtij angazhimi të qëndrueshëm. Rezoluta është mesazh se Shqipëria nuk e toleron terrorizmin dhe institucionet janë të vendosura të mbrojnë demokracinë. I ftoj të gjithë kolegët ta votojmë njëzëri këtë rezolutë”- tha Balla.
Më tej ironizoi edhe mungesën e deputetëve të PD në seancë duke thënë se nuk ditën të mbanin qëndrim urgjent për këtë çështje që sipas tij është më e rëndësishme sesa skandalet e denoncuara nga opozita dhe situata ku ndodhet vendi.
“Keqardhje për mungesën në këtë seancë të deputetëve të 3 grupeve parlamentare të opozitës që nuk ditën që në një moment të një qendrimi urgjent të domosdoshëm të Shqipërisë të SHBA e BE, nuk dolën sot në interesin e vogël të javës së njoftuar për një tjetër tjetër protestë pa krye e ta mbështesin këtë qëndrim i cili është i domosdoshëm”- shtoi socialisti. Versus.al
Sot Kuvend për shpalljen e Iranit shtet terrorist, PD bojkoton: Fasadë! PS: Eshtë urgjente, reflektoni

Kuvendi mblidhet sot në orën 10:00 për të zhvilluar seancën plenare me qëllim miratimin e projektrezolutës së socialistëve për të shpallur Iranin “shtet financues të terrorizmit”, duke u bërë vendi i dytë në botë pas SHBA që e bën një gjë të tillë që prej viteve ’90.
Në këtë projektrezolutë të cilën e ka paralajmëruar më herët kryeministri Edi Rama, i kërkohet qeverisë që pas miratimit të shpallë organizata terroriste Hezbollahun dhe Pasdaranët.
Partia Demokratike ka vendosur të bojkotojë seancën duke e quajtur fasadë dhe agjendë personale të Ramës.
“Kjo nuk është një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për axhendën personale të Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit, pa asnjë rend dite të miratuar apo të shpallur zyrtarisht, si dhe në shkelje të procedurave minimale që garanton Rregullorja e Kuvendit. Opozita refuzon të bëhet pjesë e kësaj fasade parlamentare nesër dhe zgjedh të jetë aty ku duhet të jetë çdo opozitë e përgjegjshme: pranë qytetarëve. Prioriteti ynë këtë javë mbetet takimi me qytetarët në të gjithë vendin dhe mobilizimi për protestën e 22 marsit”- u shpreh kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi.
Këtij qëndrimi iu përgjigj Taulant Balla i cili tha se kjo rezolutë është një nevojë urgjente.
“Sipas tyre nevoja e menjëhershme e një qëndrimi të Shqipërisë përkrah SHBA ndaj veprimeve terroriste të Iranit, qenka një agjendë personale. Seriozisht e mendoni këtë, apo ta kuptojmë si një lapsus?! Sonte mund t’ju them se sqarimet se pse kjo Rezolutë është urgjente do t’i japim nesër në Konferencën e Kryetarëve dhe urojmë që deri nesër keni ende kohë të reflektoni”, tha ai. Versus.al

