Çfarë do të gjeni në brendësi
*Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste u mblodh sot për herë të parë për këtë vit për të diskutuar mbi arritjet dhe sfidat në vazhdim. Fjalën hapëse e mbajti kryeministri Edi Rama i cili u përqëndrua tek procesi i integrimit europian të vendit. *Duke nënvizuar se Shqipëria është ende dobët në sektorin e sigurisë ushqimore, Rama tha se duhen bërë përgatitje për të arritur standartin që kërkon BE dhe paralajmëroi se nuk do të ketë tolerime. Por nënvizoi gjithashtu se sipas tij para se PS të vinte në pushtet, thertoret e mishit ishin nëpër rrugët e vendit dhe siguria ushqimore ishte në kushte shumë më të vështira. *Në vazhdim u kërkoi deputetëve që të mos e shkëpusnin kontaktin me terrenin duke thënë se në 2027-ën për zgjedhjet e radhës do t’u thonin shqiptarëve se e kishin përmbushur detyrën e tyre, e cila sipas Ramës ka qenë përmbyllja e kapitujve të anëtarësimit në BE.
“Në 2027-ën t’u themi shqiptarëve se i përmbushëm detyrat”, Rama-deputetëve: Mos braktisni terrenin

Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist nënvizoi nevojën e transformimit të administratës së Kuvendit ndërsa tha se do të ketë një godinë të re për organin legjislativ.
Në vazhdim, u kërkoi deputetëve të partisë Socialiste që të ishin të pranishëm në terren me takime me qytetarët duke shtuar se kur të japin llogari në vitin 2027 për zgjedhjet vendore, t’u thonë shqiptarëve se i përmbushën detyrat për mbylljen e negociatave.
“Duhet ta vazhdojmë me administratën e kuvendit e cila kemi kohë që themi se duhet të modernizohet dhe duhet të mbështetet nga një transformim i rëndësishëm teknologjik, punë për të cilën me siguri do flasë kryetari dhe nga ana tjetër duhet të vendosim piketat për godinën e re të parlamentit të Shqipërisë. Këto bashkë shkojnë në të njëjtin drejtim. Natyrisht asnjëra nga këto nuk pengojnë asnjë prej punëve të përbashkëta që bëjmë.
Shërbejnë për t’u dhënë më shumë energji punës së deputetëve të cilët duhet të mos e ndërpresin, por ta artikulojnë edhe më mirë punën që vijuan pas zgjedhjeve. Ribraktisja e territorit si zakonisht në të shkuarën, nuk duhet të jetë opsion për këtë grup parlamentar. Sa i përket kësaj do të flasim më konkretisht në asamblenë e ardhshme. Dua ta theksoj këtë pasi besoj se 83 mandatet e kërkojnë këtë me një ngulm të panjohur më parë. 83 mandatet imponojnë shumë gjëra për këtë forcë politike duke nisur nga detyrimi që në fundin e 2027-ës ne të dalim para atyre që na i dhanë 83 mandate dhe t’u themi që ne e bëmë atë për të cilën iu kërkuam votën, i mbyllëm negociatat me BE, i mbaruam detyrat tona”- u shpreh Rama. Versus.al
"Të paintegrueshëm në BE për sigurinë ushqimore", Rama: Kur erdhëm ne në pushtet, rrugët ishin thertore

Kryeministri Edi Rama e nisi fjalën e tij në mbledhjen me grupin parlamentar me procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Ai tha se përveç sfidave të tjera, një prej sektorëve që e pengon integrimin e vendit është siguria ushqimore. Sipas tij, vendi është i paintegrueshëm në BE sa i takon këtij sektori.
Por nënvizoi se kur PS erdhi në pushtet në vitin 2013, thertoret e mishit ishin nëpër rrugët e vendit dhe nuk kishte asnjë lloj kriteri sigurie ushqimore.
“Beteja kryesore është për sektorin e prodhimit ushqimor. Për të gjithë prodhuesit në fshat, sipërmarrjen që përpunon prodhimet ushqimore. Në kushtet e sotme jemi të paintegrueshëm në BE për shkak të nivelit të pamjaftueshëm të sigurisë ushqimore sipas kritereve të BE. Për këtë arsye po përpiqemi të fitojmë një fazë të ndërmjetme prej 5 vjetësh pas anëtarësimit. Vitet kalojnë shpejt dhe përgatitjet duhet të fillojnë tani në vazhdën e gjithë atyre arritjeve që kemi patur.
Kur kemi marrë detyrën rrugët e Shqipërisë ishin tregje ushqimore e thertore. Nuk besoj se është e vështirë që duke u kthyer pas në vitin 2013 të gjithë të kalonin në filmin e kujtesës gjënë e gjallë që therej në rrugë që nga kthesa e Kamzës. Apo të gjitha autostradat e Shqipërisë të ashtuquajtura që përveçse ishin lënë rrugëve ishin të kufizuara. Në momentin kur përfundon periudha e ndërmjetme asnjë ushqim i prodhuar në Shqipëri nuk mund të shitet përveçse në Shqipëri. Edhe në Shqipëri ushqimet mund të bllokohen sepse nuk përmbushin kriteret e sigurisë. Pastaj në skenarin më pesimist, do të thotë që gjithçka që hahet të importohet. Për këtë arsye duhet një super punë, por edhe një super vendosmëri nga ana jonë për të mos falur asgjë dhe askënd në emër të nevojës që vazhdojë të punojë”- u shpreh Rama. Versus.al

