Çfarë do të gjeni në brendësi
*Qytetarët shqiptarë kanë shpërndarë në rrjetet sociale thirrjet për të vijuar protestën që vazhdon tashmë prej 6 ditësh në sheshin para kryeministrisë. *Në thirrjen e publikuar kërkohet prania e qytetarëve në protestën e 7-të para godinës së kryeministrisë ku kërkohet anulimi i projektit të Zvërnecit, dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndryshimi i Kodit Zgjedhor, anulimi i ligjit për investitorët strategjikë dhe zgjedhjet e parakohshme. *Protesta është zgjeruar edhe në diasporë. Në Berlin, qindra shqiptarë kërkuan dorëheqjen e Ramës dhe të kastës politike 35 vjeçare që ka qeverisur vendin gjatë tranzicionit të stërgjatur. Po ashtu në Milano e Firence, qytetarët u mblodhën duke kërkuar anulimin e ligjit për investitorët strategjikë dhe largimin e Ramës e Berishës.
Vijon protesta për anulimin e projektit të Zvërnecit dhe dorëheqjen e Ramës, sot dita e 7-të

Ashtu si në ditët e kaluara, sot pritet të mbahet protesta e shtatë në sheshin “Dëshmorët e Kombit” përpara qeverisë ku kërkohet anulimi i projektit të Zvërnecit dhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e klasës së vjetër politike.
Me anë të një posteri të shpërndarë në rrjetet sociale, qytetarët e kanë caktuar tashmë orën 18:00 dhe sheshin para kryeministrisë si vendtakimin e përhershëm për protestën e tyre që zgjat prej një jave tashmë.
Ditën e djeshme, kreu i qeverisë, Edi Rama gjatë një takimi me socialistët në Vlorë tha se edhe sikur 500 mijë veta të zbresin në shesh, sërish nuk ka në plan që të japë dorëheqjen apo të anulojë projektin. Versus.al
Diaspora shqiptare mbush rrugët e Milanos dhe Firences me protesta: Rama të dorëhiqet

Protesta e nisur në Tiranë ku mijëra qytetarë po mbushin sheshin prej 1 jave duke kërkuar anulimin e projektit në Zvërnec dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, është shtrirë edhe në Itali.
Paraditen e sotme qindra shqiptarë janë mbledhur në sheshin Duomo të Milanos dhe në Firence për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë. Pavarësisht se protesta ka nisur për Zvërnecin, emigrantët shqiptarë artikuluan kërkesat e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama duke renditur si arsye: emigracionin masiv të të rinjve, varfërinë, korrupsionin dhe mungesën e besimit tek shteti.
Thirrja e dëgjuar në korin e protestës në Tiranë "Rama n'burg, Berisha n'burg" u përsërit edhe në Itali.
Ata thanë se largimi masiv i shqiptarëve nga vendi dhe vështirësitë ekonomike tregojnë për dështimin total të qeverisjes në këto vite. Versus.al
Protestat zgjerohen edhe në diasporë, emigrantët shqiptarë në Berlin: Rama n’burg, Berisha n’burg

Ditën e djeshme, në Berlin të Gjermanisë u mbajt një protestë në mbështetje të protestave masive që kanë nisur në disa qytete të Shqipërisë.
Qindra emigrant shqiptarë të mbledhur kërkuan largimin e qeverisë, transparencë për Zvërnecin dhe llogaridhënie nga ana e institucioneve. Organizatorët e paraqitën protestën si një rritje të madhe të pakënaqësisë ndaj qeverisë që sipas tyre i ka detyruar të emigrojnë jashtë vendit.
“Kur Shqipëria është në rrezik, ne duhet t’i përgjigjemi atdheut. Ne na dhemb zemra kur nisemi të ikim nga Shqipëria”- u shpreh njëri prej folësve.
Ndërsa të pranishmit e tjerë përsëritën në kor thirrjet që janë përmendur më së shumti gjatë protestave në Shqipëri “Rama n’burg, Berisha n’burg”. Versus.al

