Çfarë do të gjeni në brendësi
Një javë vetëm në letër, Ministrja e Ekonomisë: Ja pse nuk e kemi ngritur më parë Bordin e Transparencës
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, deklaroi se ngritja e Bordit të Transparencës për hidrokarburet u bë si pasojë e mosreflektimit të menjëhershëm të çmimeve të bursës nga ana e tregtarëve.
Sipas saj, bordi u krijua pas një periudhe monitorimi ditor të çmimeve të bursës, kostove të zhdoganimit dhe çmimeve në treg, ndërsa vetëm së fundmi është vërejtur një mospërputhje mes çmimit të mbylljes së bursës dhe atij në pikat e shitjes.
Ibrahimaj theksoi se deri në atë moment nuk është konstatuar abuzim, por situata e luhatjeve të shpeshta në bursë ka sjellë nevojën për ndërhyrje dhe transparencë më të madhe.
Ajo shtoi se një ekip i posaçëm monitoron çdo ditë çmimet dhe lëvizjet në treg, me qëllim identifikimin në kohë të çdo ndryshimi apo nevoje për ndërhyrje rregulluese.
“Bordin nuk e ngritëm më parë se kemi bërë monitorim ditor të çmimeve të bursës, të kostove të taksave të zhdoganimit, dhe të çmimit të tabelave. Vetëm dje është materializuar një mosreflektimi i çmimit të mbylljes së bursës me çmimin në tabelë. Nuk ka pasur abuzim deri ditën e djeshme, edhe dita e djeshme nuk mund të konsiderohet abuzim se jemi kujdesur të monitorojmë. Kemi komunikuar që në momentin që nuk do të ketë reflektim direkt, do të ndërhyjmë me bordin. Në bazë ditore kemi kalkuluar çmimet dhe kanë qenë të balancuara deri ditën e djeshme. Për mosreflektimin nga ana e tregtarëve, është sepse pardje pati një rënie të bursë dhe dje pati një rritje përsëri të saj. Bursa po luhatet me baza ditore. Ne kemi ekip që përditë monitoron jo vetëm çmimet e burës, jo vetëm në fund por dhe gjatë ditës edhe çmimet e tabelës me qëllim që të jemi të vëmendshëm nëse ka luhatje apo nevojë për ndërhyrje”, tha Ibrahimaj./Versus.al
Ushqimet e shportës rriten me 50%, Ibrahimaj: Qeveria e ka të pamundur të ulë çmimet, do dalim t’i monitorojmë!
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi në një konferencë për mediat se konflikti në Lindjen e Mesme ka nisur të japë efekte edhe në tregun shqiptar, duke ndikuar në rritjen e çmimeve të disa produkteve bazë të shportës ushqimore.
Në përgjigje, ministrja theksoi se shteti nuk mund të ndërhyjë drejtpërdrejt në përcaktimin e çmimeve në një ekonomi tregu, por po monitoron situatën për të shmangur çdo abuzim të mundshëm.
“Ne nuk ndërhyjmë në çmime, por i monitorojmë ato në mënyrë të vazhdueshme dhe do të verifikojmë në terren nëse ka raste spekulimi,” u shpreh Ibrahimaj.
Ajo shtoi se në rast të një ndikimi të vazhdueshëm në rritjen e kostove të jetesës, qeveria mund të shqyrtojë masa mbështetëse për shtresat më të ndjeshme, duke vënë theksin te pensionistët.
Pjesë nga fjala e minsitres:
Unë nuk thashë ne do ndërhyjmë në çmime. E shpjegova dhe pse nuk aplikojmë dot të njëjtin mekanizëm sepse është e pamundur që ne të ndërhyjmë në çmime. Unë thashë që ne jemi duke i monitoruar me bazë ditore dhe do dalim për të verifikuar që këto çmime nuk janë abuzive dhe ajo që thashë është se në rast se do të kemi një ndikim të vazhdueshëm në çmimet e konsumit atëherë ne do suportojmë shtresa që nuk e përballojnë rritjen e çmimit, as për një periudhë të përkohshme pasi siç dihet luftërat fillojnë dhe mbarojnë.
Dhe fokusi ynë është te pensionistët. Asnjëherë nuk e kam thënë që do të ndërhyjmë te çmimet, sepse e kemi të pamundur qoftë nga ekonomia që kemi ngritur ku çmimet përcaktohen nga kërkesa dhe oferta, ndryshe janë karburantet dhe ndryshe tregu i ushqimeve./Versus.al
“Po u ul çmimi i naftës në bursë, do ulet dhe tek ne”, Ibrahimaj: Ekonomia shqiptare rritet me 3.8%, tejkalon BE-në dhe Ballkanin Perëndimor
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se ekonomia shqiptare ka shënuar një rritje prej 3.8% në tremujorin e fundit të vitit 2025, duke tejkaluar mesataren e Bashkimit Evropian prej 1.4% dhe atë të Ballkanit Perëndimor prej 3%.
Sipas saj, ky rezultat tregon qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe performancën pozitive në raport me rajonin dhe më gjerë.
Gjatë një konference për shtyp, Ibrahimaj u ndal edhe te funksionimi i Bordit të Transparencës, i riaktivizuar për të monitoruar çmimet e karburanteve në vend.
Ajo bëri të ditur se pas një periudhe stabiliteti në fund të shkurtit, në mars është regjistruar rritje e ndjeshme e çmimit të naftës, i cili ka arritur deri në 215 lekë për litër.
Ministrja theksoi se Bordi ka ndërhyrë për vendosjen e çmimeve tavan, bazuar në një formulë të miratuar më herët që merr në konsideratë çmimet ndërkombëtare të bursës dhe kostot e tregtimit, duke shtuar marzhe minimale prej 3 lekësh për shumicën dhe 12 lekësh për pakicën.
Sipas saj, qëllimi i këtij mekanizmi nuk është fitimi, por mbulimi i kostove dhe parandalimi i abuzimeve në treg.
Ibrahimaj shtoi se institucionet po ndjekin gjithashtu me vëmendje edhe çmimet e produkteve ushqimore, të cilat kanë shfaqur luhatje kohët e fundit.
Ajo theksoi se është nisur një monitorim i shtuar përmes strukturave përkatëse dhe Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut, me synimin për të mbrojtur konsumatorët dhe për të minimizuar ndikimin e rritjes së çmimeve, veçanërisht tek shtresat më të ndjeshme të shoqërisë si pensionistët dhe familjet në nevojë.
''Ne kemi qenë të kujdesshëm në monitorimin ditor të çmimit të karburanteve dhe kemi parë që gjatë, që nga fundi i muajit shkurt, një situatë e cila ishte stabile. Ku çmimi ishte 173 lekë kemi pasur luhatje të çmimit në muajin mars, ku çmimi në max ka arritur deri në 215 lekë. Duke parë maksimumin kemi parë një rritje të çmimit të naftës, ndërkohë sa i takon bursës dhe çmimeve të bursës, çmimi i bursës nga shkurti deri më sot është rritur me 97%.
Dje ne mblodhëm Bordin së bashku me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe anëtarë të tjerë të bordit me qëllim diskutimin për çmimet dhe vendosjen e çmimeve maksimale të tregtimeve. Mekanizmi që përdoret është një formulë që është bazuar në aktin normativ që është ndërmarrë në 2022 kur kishim një situatë të ngjashme. E cila bazohet në çmimet ditore të bursës të një dite më parë dhe bëhet një llogaritje e të gjitha kostove të tregtimit të karburantit duke i shtuar një marzh 3 lekë për shumicën dhe 12 lekë për pakicën. Marzhet janë minimale, nuk janë marzhe fitimi, janë të përballimit të shpenzimeve kryesore që kompanitë kanë.
Ne me ngritjen e Bordit do të vijojmë të jemi në monitorim të vazhdueshëm të çmimeve. Qëllimi ynë është që në një situatë kur çmimet po rriten, ne të jemi transparentë dhe të mos lejojmë asnjë abuzim. Të njëjtën mbikëqyrje dhe vëmendje jemi duke e bërë dhe për çmimet e shportës të ushqimeve, të cilat kanë pasur disa luhatje gjatë ditëve të fundit dhe për këtë arsye jo vetëm që kemi nisur vëzhgimin ditor, por do të nisim një mbikëqyrje më të thelluar përmes Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut.
Qëllimi ynë është që të kujdesemi që efektet e luftës të kenë sa më pak ndikim për konsumatorët shqiptarë. Monitorimi do të jetë i vazhdueshëm pasi kujdesi ynë është që të mos ketë abuzime dhe të ardhurat e familjeve shqiptare mos reduktohen, sidomos ato familje që nuk përballojnë rritje të çmimeve, këtu e kam fjalën për pensionistët dhe shtresat në nevojë.' tha ndër të tjera Ibrahimaj. /Versus.al

