Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama që prej ditës së djeshme ndodhet në një vizitë në Izrael ku do të qëndrojë deri të martën. Sot kryeministri i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama është pritur nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. *Ai vizitoi edhe Murin e Lotëve në Jerusalem ndërsa shprehu lutjen që Zoti t’i sigurojë paqen këtij qyteti. Rreth orës 16:00, pritet që Rama t’i drejtohet kuvendit të Izraelit me një fjalim.
Deklarata e përbashkët/ Rama: Shqiptarët u bashkuan me vuajtjen e popullit palestinez, por nuk shprehën urrejtje ndaj Izraelit
Gjatë deklaratës së përbashkët me homologun e tij izraelit Benjamin Netanyahu, kryeministri shqiptar, Edi Rama, theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Izraelit, të cilat, sipas tij, kanë rrënjët në miqësinë e thellë midis popullit shqiptar dhe atij hebre që është forcuar gjatë shekujve.
Rama vuri në dukje se trashëgimia historike e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit e bën këtë lidhje të veçantë, duke e cilësuar si një dëshmi të kurajës morale të gjyshërve tanë, që duhet të ruhet brez pas brezi.
Kryeministri nënvizoi se qeveria shqiptare është plotësisht e përkushtuar për të promovuar këtë trashëgimi të çmuar dhe mban një qëndrim të vendosur kundër antisemitizmit, si brenda vendit, ashtu edhe ndërkombëtarisht.
Rama gjithashtu komentoi mbi qëndrimin e shqiptarëve ndaj konfliktit në Gaza, duke vënë në dukje se popullsia shqiptare, me shumicë myslimane, ka treguar solidaritet ndaj popullit palestinez pa u ngritur në urrejtje kundër Izraelit.
Ai theksoi se kjo tregon maturinë dhe respektin e vendit tonë për marrëdhëniet ndërkombëtare, duke theksuar se Shqipëria qëndron fuqishëm kundër antisemitizmit dhe islamofobisë dhe nuk lejon që urrejtja apo diskriminimi të udhëheqë vendimet dhe veprimet e saj.
Kryeministri Rama: Dua ta theksoj dhe një herë se Shqipëria dhe Izraeli ndajnë marrëdhënie të shkëlqyera që i kanë rrënjët në miqësinë e thellë midis popujve shqiptar dhe hebre, farkëtuar përmes shekujsh historie, kur më shumë se një herë, hebrenjtë që i iknin persekutimit në perëndim erdhën e u vendosën në brigjet tona. Trashëgimia unike historike e Shqipërisë në mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit e bën këtë lidhje thellësisht të veçantë, e për mua, për ne, është dëshmia e kurajës morale të gjyshërve tanë, një dëshmi që kurrë nuk duhet ta harrojmë dhe duhet të bëjmë gjithçka për ta trashëguar brez pas brezi.Qeveria është plotësisht e përkushtuar për ta kremtuar këtë trashëgimi të çmuar nga historia dhe mban një qëndrim të vendosur, të qartë e të pandryshuar kundër antisemitizmit, si brenda vendit ashtu edhe ndërkombëtarisht.
Edhe pse popullsia shqiptare, me shumicë myslimane, u bashkua me solidaritetin në mbarë botën, me vuajtjen e popullit të thjeshtë palestinez, gjatë luftës në Gaza, shqiptarët nuk u mblodhën në mitingje urrejtjeje kundër Izraelit, e as projektuan zemëratën e tyre për dhimbjen e tmerrshme të popullit palestinez, mbi numrin në rritje të vizitorëve hebrenj në vendin tonë. Kjo përbën një kontrast shumë të theksuar me atë çka për fat të keq ka ndodhur në shumë pjesë të tjera të Evropës, ku antisemitizmi edhe një herë u shndërrua në një prani thellësisht trazuese. Vendi ynë qëndron në mënyrë të palëkundur kundër antisemitizmit, po aq sa qëndron kundër islamofobisë. Ne qartësisht refuzojmë të lejojmë urrejtjen apo diskriminimin të udhëheqë mendimin, veprimet apo marrëdhëniet tona me popuj e vende të tjera./Versus.al
Rama në Izrael, Netanyahu: U them popullit tim që Shqipëria është një vend i mrekullueshëm!

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, priti sot në një takim zyrtar kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Gjatë fjalës së tij publike, Netanyahu vlerësoi rolin e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke theksuar se numri i hebrenjve në vend nuk u pakësua, por u rrit falë mbrojtjes dhe ndihmës së dhënë nga shqiptarët.
Ai përmendi se myslimanët shqiptarë shpëtuan qindra hebrenj, duke ndihmuar edhe të tjerët të mbijetonin, një histori që sipas Netanyahut meriton të njihet më gjerësisht në nivel ndërkombëtar.
Kryeministri izraelit e cilësoi këtë si një rol moral të rëndësishëm të Shqipërisë gjatë orëve më të errëta të historisë.
Netanyahu u ndal gjithashtu tek mbështetja e Shqipërisë ndaj Izraelit pas sulmeve të fundit, duke theksuar se kjo vlerësohet lart nga autoritetet izraelite.
Në fushën ekonomike dhe turistike, ai deklaroi se numri i turistëve izraelitë në Shqipëri është rritur rreth 800%, me pritshmëri për rritje të mëtejshme. Po ashtu, sipas tij, kompani izraelite shohin në Shqipëri mundësi për investime dhe bashkëpunim ekonomik.
“Ju qëndruat krah së vërtetës, krah Izraelit kur u sulmuan, është diçka që e vlerësojmë thellësish. Ne po ndërtojmë marrëdhënie të shkëlqyera mes Izraelit dhe Shqipërisë. U them izraeliteve që Shqipëria është një vend i mrekullueshëm: shkoni atje.
Ne po kështu kemi mirëkuptim që shkon përtej interesave. Në ndjesën më të thellë njohim që ka një themel afërsie dhe vëllazërie mes popujve tanë”, u shpreh kryeministri i Izraelit.
Netanyahu shtoi se marrëdhëniet mes dy vendeve do të forcohen edhe më tej me hapjen e Dhomës së Tregtisë në Jerusalem, e cila pritet të inaugurohet nesër në prani të kryeministrit Rama.
Në përmbyllje, ai theksoi se lidhjet mes Shqipërisë dhe Izraelit shkojnë përtej interesave praktike, duke u mbështetur edhe në një ndjesi afrimi dhe simpatie midis dy popujve./Versus.al
Edi Rama viziton Murin e Lotëve në Jerusalem: Uroj që Zoti, t’i dërgojë këtij qyteti forcën e Paqes!
Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama, vizituan sot Murit të Lotëve në Jerusalem, vendi i shenjtë ku hebrenjtë lutën për paqen në tokën e shenjtë.
Rama la një shënim ku shkruante: “Është gjithmonë një përvojë unike të jesh përpara këtij muri. Uroj që Zoti, përmes këtij muri të fuqishëm, t’i dërgojë këtij qyteti forcën e Paqes!”
Mediat izraelite publikuan foto të kryeministrit duke vendosur letrën në mur, ndërsa në kokë mban një Kipah, kapelë që mbahet nga izraelitët si shenjë respekti dhe përulësie ndaj Zotit.

Nga konferenca me Netanyahun tek fjalimi në kuvend, zbardhet agjenda e Ramës në Izrael
Kryeministri Edi Rama që prej ditës së djeshme ndodhet në një vizitë pune në Jerusalem të Izraelit, e cila do të zgjasë deri të martën më 27 janar. Kjo vizitë zhvillohet në kuadër të konferencës ndërkombëtare për luftën kundër Antisemitizmit.
Pjesa kulminante e vizitës pritet të shënohet në orën 16:15 kur Rama t’i drejtohet Kuvendit të Izraelit me anë të një fjalimi gjatë seancës plenare në Knesset. Pjesë e delegacionit në këtë vizitë është edhe Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit. Në orën 11:00, pas takimit me homologun izraelit, Benjamin Netahyanu, dy delegacionet do të mbajnë edhe një deklaratë për shtyp.
Axhenda e plotë:
Ditën e hënë, më 26 janar, ora 11:00 – 12:30 Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili do të pasohet nga takimi mes dy delegacioneve, në përfundim të të cilit do të ketë edhe deklaratë për shtyp.
Paralelisht, znj. Linda Rama, në shoqërinë e znj. Herzog, bashkëshortes së Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, do të zhvillojë një vizitë në Bibliotekën Kombëtare.
Në orën 14:00, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga znj. Linda Rama, do të mbërrijë në Knesset “Plaza”, Parlamenti i Izraelit, ku do të pritet me një ceremoni të posaçme shtetërore nga Kryetari i Knessetit. Ceremonia përfshin rojet e nderit, ekzekutimin e himneve kombëtare, si dhe vendosjen e kurorave në monumentin e ushtarëve të rënë dhe në monumentin e viktimave të terrorit.
Më pas, Kryeministri Rama do të firmosë Librin e Përshtypjeve në Hollin Shagall.
Në orën 14:30, Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar do të zhvillojnë një takim me Kryetarin e Knessetit, z. Amir Ohana.
Në orën 16:15, do të nisë seanca plenare speciale e Knessetit, e shoqëruar nga hyrja ceremoniale në sallë. Gjatë kësaj seance do të mbajnë fjalën Kryetari i Knessetit, z. Amir Ohana, Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, Lideri i Opozitës, Yair Lapid, si dhe Kryeministri Edi Rama, i cili do t’i drejtohet Parlamentit të Izraelit me një fjalim historik sipas protokollit të posaçëm që Knesseti u ka rezervuar një numri të kufizuar udhëheqësish të huaj dhe së fundmi Presidentit të SHBA, Donald J. Trump.
Në orën 17:15, do të zhvillohet një pritje zyrtare në nder të Kryeministrit Rama, me pjesëmarrjen e ambasadorëve dhe të ftuarve të posaçëm, në Jerusalem Hall të Knessetit.
Ndërsa, znj. Linda Rama do të ketë një takim të veçantë me gratë parlamentare.
Më 27 janar, Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit, ku do të mbajë një fjalë, në praninë e Presidentit të Izraelit, Isaac Herzog. Gjatë qëndrimit në Jeruzalem, Kryeministri Rama do të kryejë gjithashtu vizita simbolike në Ëestern Ëall (Muri i Lotëve) dhe në Kishën e Varrit të Krishtit. Versus.al

