
Këngëtarja shqiptaro-amerikane Bebe Rexha është rikthyer në qendër të vëmendjes me albumin e saj të ri “Dirty Blonde”, pas një mungese trevjeçare në muzikë. Megjithatë, përveç rikthimit artistik, artistja është përballur sërish me komente fyese dhe kritika për pamjen e saj fizike.
36-vjeçarja u komentua gjerësisht pas paraqitjes në American Music Awards, ku u shfaq me një fustan të zi elegant. Në rrjetet sociale nuk munguan komentet tallëse për shtimin e saj në peshë, ndërsa disa përdorues ironizuan edhe përdorimin e medikamentit Ozempic.
Pavarësisht kritikave, Bebe Rexha ka zgjedhur të flasë hapur për problemet shëndetësore me të cilat përballet. Artistja ka treguar se vuan nga Polycystic Ovary Syndrome, një çrregullim hormonal që ndikon në metabolizëm dhe shkakton shtim në peshë, cikle të çrregullta dhe probleme të tjera shëndetësore.
Në intervista të fundit, ajo ka rrëfyer se gjatë fillimeve të karrierës iu kërkua të humbiste peshë për t’u përshtatur me standardet e industrisë muzikore. “Askush nuk i pëlqen një yll i shëndoshë popi”, kujton ajo se i ishte thënë në të kaluarën.
Këngëtarja ka folur gjithashtu për përpjekjet e saj me dietat ekstreme, ushtrimet intensive dhe pasiguritë personale, duke theksuar se tashmë ndihet më e sigurt me veten dhe trupin e saj.
Përveç Polycystic Ovary Syndrome, Bebe Rexha ka qenë e hapur edhe për diagnozën me çrregullim bipolar, duke u kthyer në një zë të rëndësishëm për shëndetin mendor dhe pranimin e vetes.
Artistja vazhdon t’u kundërpërgjigjet kritikëve në rrjetet sociale dhe të promovojë mesazhe për vetëbesimin trupor dhe pranimin e çdo forme fizike. Versus.al

