Pamje si nga një film në rrugët e Detroit-it, ku një funeral i pazakontë u shndërrua në një festë të mirëfilltë lagjeje. Nga një helikopter që fluturonte mbi zonën e Gratiot Ave dhe Conner Street, u hodhën mijëra dollarë në formë kartëmonedhash, ndërsa njerëzit të befasuar dhe të emocionuar nxituan nga çdo cep për të qenë pjesë e këtij momenti të paharrueshëm.
Ky ishte amaneti i Darrell “Plant” Thomas, 58 vjeç, banor i dashur i qytetit, i cili ndërroi jetë pas një sëmundjeje të gjatë. Dhe për lamtumirën e fundit, kishte një dëshirë të veçantë: t’u dhuronte një bekim të fundit të gjithë atyre që e kishin dashur dhe që ai i kishte dashur – komunitetit të tij.
“Ishte mënyra e tij për të treguar dashurinë për komunitetin edhe një herë të fundit,” – rrëfyen të afërmit. Dhe amaneti u përmbush: helikopteri që “shiu” para nga qielli, makinat klasike, grupi muzikor, dhe dhuratat për banorët – të gjitha ishin pjesë e këtij homazhi ndryshe.
Darrell nuk ishte thjesht një sipërmarrës e koleksionist makinash. Ishte edhe pilot garash, i njohur për pasionin e tij për motorët dhe për zemrën e madhe. Në funeralin e tij, makinat klasike parakalonin me krenari, ndërsa rrugët jehonin nga muzika dhe duartrokitjet e njerëzve.
Djali i tij u shpreh me krenari:
“Detroit, ndoshta nuk e keni njohur babain tim personalisht, por për ne dhe për lagjen tonë ai ishte një legjendë. Ishte bujar, një baba i mrekullueshëm. Kjo ishte bekimi i tij i fundit për të gjithë ju.”
Rreth 5 mijë dollarë u hodhën nga helikopteri, ndërkohë që policia u detyrua të mbyllte rrugën për 30 minuta për shkak të turmës. Por në vend të kaosit, ajo që mbeti ishte një ndjenjë falënderimi, emocion dhe kujtim i një jete që la gjurmë.







