MAGAZINË /

Ekspozita “WeBalkans” mbërrin në Shtëpinë e Evropës në Tiranë

Shkruar nga Versus

Ekspozita “WeBalkans” mbërrin në Shtëpinë e

Nën kujdesin e ambasadorit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, u çel sot në Shtëpinë e Evropës ekspozita e fotografive “Gati. Qëndro. Evropa jonë!”, një shfaqje vizuale e fotografive më përfaqësuese të realizuara nga të rinj të talentuar nga i gjithë Ballkani Perëndimor.

Ambasadori Gonzato hapi zyrtarisht ekspozitën, duke vënë në dukje rëndësinë e nismës si një platformë për të afruar të rinjtë e rajonit përmes artit dhe për t’i inkurajuar ata të mendojnë dhe veprojnë në frymën evropiane.

“Së pari, ju uroj mirëseardhjen në shtëpinë e Europës, pavarësisht klimës. Natyrisht që sot nuk po shohim thjesht disa foto, por po dëgjojmë zëra, zëra të të rinjve nga i gjithë rajoni, që kanë përdorur kamerën e tyre, aparatin, për të na treguar si e shohin Evropën, si e përjetojnë vlerat e saj dhe cili është përfytyrimi që ata kanë për vlerat e kësaj Evrope. Në fakt, është një këndvështrim që rezonon me mënyrën sesi ne duam të bëjmë këto gjëra. Në javën e Evropës që organizuam, në fakt ishin dy javë, ajo çfarë ne bëmë ishte që të mos e thonim ne mesazhin por të ishin njerëzit këtu, artistët, që ndërvepruan me aftësitë e tyre artistike dhe intelektuale, në mënyrë që të përcillnim mënyrën sesi e shihnin. Është mënyra më efektive për të përçuar mesazhin përmes këtyre njerëzvve. Nxitëm një hapësirë për dialog, për të shprehur aspiratat dhe ndoshta ndonjë kritikë për ndërveprimin midis vendit dhe BE, nëse ka ndonjë të tillë."

Të pranishëm në aktivitet ishin edhe figura të njohura të sportit dhe artit. Klodiana Shala, kampione evropiane në atletikë dhe e para grua që përfaqësoi Shqipërinë në Lojërat Olimpike “Athinë 2004”, iu drejtua publikut me një mesazh frymëzues mbi përkushtimin dhe përfshirjen e të rinjve në shoqëri.

“Ne kemi marrë pjesë më përpara në Olimpiadë në vitin 1996. Sepse unë siç dihet jam zëri i të vërtetës dhe gjithmonë ngre zërin për sportistët. Siç dihet unë kam vendosur rekorde në sprinte. Kam bërë gara të vështira në sprinte sepse jam sportiste e sprinteve.”

Fushata “Gati. Qëndro. Evropa jonë” u prezantua nga Arian Rexhepi, Menaxher i Komunikimeve Digjitale dhe Mediave për WeBalkans, i cili theksoi synimin e saj për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes të rinjve në rajon përmes tregimeve vizuale.

“Për ata që nuk e dinë, We Balkans, është një iniciativë e komunikimit prej Komisionit Evropian, që tenton që në mënyrë më gjithëpërfshirëse ta sjellë BE më afër qytetarëve të Ballkanit Perëndimor. Përsa i përket ekspozitës së fotografisë, fushata ka nisur në prill. Diku në muajin maj kemi hapur konkursin. Konkursi ka qenë i suksesshëm, kemi patur rreth 200 aplikime prej të cilave 18 janë selektuar prej një jurie profesionale.”

Armando Babani, fotoreporter me përvojë dhe anëtar i jurisë së konkursit, ndau përvojën e përzgjedhjes së 18 fotografive më të spikatura nga mbi 200 aplikime të mbërritura nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Ky konkurs bëri bashkë disa gjëra, disa gjëra që janë të rëndësishme mendoj siç është fotografia, tregimi i një historie përmes fotografisë dhe sporti. Dhe kur bashkohen këto të trija, diçka e veçantë do të dalë në pah.”

Një përshëndetje për ekspozitën erdhi edhe nga Kleidi Memo, anëtar i Rrjetit të Ambasadorëve të Rinj Evropianë, i cili nënvizoi rëndësinë e përfaqësimit të brezit të ri në procesin e afrimit të rajonit me Bashkimin Evropian.

“Si një i ri plot ëndrra edhe unë jam marrë me sport, përreth 7 vite nga mosha 12 vjeçare deri në moshën 19-vjeçare jam marrë me basketboll. Sporti më ndihmon të krijoja një karakter ndryshe nga të tjerët. Doja të stërvitesha çdo ditë dhe të bëhesha versioni më i mirë në basketboll.”

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Shtëpinë e Evropës në Tiranë për disa ditë në vijim. Kjo ekspozitë në Tiranë organizohet në kuadër të fushatës “We Balkan” në krejt vendet e Ballkanit Perëndimor që synon të përcoj mesazhin e bashkëpunimit dhe rrugës evropiane për të gjitha këto shtete.

Tags:

ekspozite

Poll