Një gjykatës amerikan ka rrëzuar akuzat për ngacmim seksual të ngritura nga aktorja Blake Lively ndaj aktorit dhe regjisorit Justin Baldoni, me të cilin ajo luajti në filmin It Ends with Us, sipas dokumenteve gjyqësore të konsultuara nga AFP.
Gjykatësi federal i Manhattanit, Lewis Liman, hodhi poshtë gjithashtu akuzat për shpifje dhe komplot të ngritura nga aktorja 38-vjeçare kundër Baldonit. Megjithatë, pjesa tjetër e padisë që ajo ka ngritur ndaj tij për hakmarrje dhe shkelje kontrate mbetet e vlefshme, ndërsa gjyqi pritet të zhvillohet më 18 maj.
Arsyet janë juridike, jo përmbajtësore
Refuzimi i akuzave u bë për arsye thjesht juridike dhe jo për shkak të përmbajtjes së akuzave. Gjykatësi vlerësoi se ligji federal i përdorur nga aktorja mbron punonjësit, por jo bashkëpunëtorët e pavarur, status që Blake Lively kishte gjatë realizimit të filmit.

Avokati i Justin Baldonit, Bryan Freedman, deklaroi për median TMZ se vendimi i gjykatës konfirmon atë që ekipi ligjor kishte besuar që në fillim. Nga ana tjetër, avokatja e aktores theksoi se çështja e ngacmimit seksual nuk u rrëzua sepse nuk kishte shkelje, por sepse gjykata e konsideroi Blake Lively si punëtore të pavarur dhe jo punonjëse.
Akuzat për sjellje të papërshtatshme
Blake Lively kishte paditur Justin Baldonin dhe producentin e filmit për sjellje dhe komente të papërshtatshme gjatë xhirimeve të filmit romantik, i cili ishte përshtatur nga libri i autores Colleen Hoover dhe u bë një nga sukseset e mëdha të kinemasë në vitin 2024.
Sipas padisë, aktori dhe regjisori dyshohet se kishte bërë komente të papërshtatshme për jetën e saj seksuale dhe kishte tentuar të shtonte skena seksi që nuk ishin në skenarin fillestar dhe nuk ishin miratuar.
Padia pretendonte gjithashtu se Baldoni kishte zhvilluar një fushatë për të dëmtuar reputacionin e aktores.
Kundërpadi në gjykatë
Nga ana tjetër, Justin Baldoni dhe studio Wayfarer kishin ngritur një kundërpadi ndaj Blake Lively dhe bashkëshortit të saj, aktorit Ryan Reynolds, për zhvatje dhe shpifje, por këto akuza ishin rrëzuar nga gjykata vitin e kaluar.
Studio Wayfarer ka deklaruar gjithashtu se as studioja, as drejtuesit dhe as ekipi i komunikimit nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim hakmarrës ndaj aktores.

