
Këngëtari britanik, Harry Styles ka thyer rekordin “Guinness” pasi përfundoi 12 koncerte të njëpasnjëshme, të gjitha të shitura në stadiumin “Wembley” të Londrës.
BBC shkruan se, Styles ka thyer rekordin për serinë më të gjatë të koncerteve të një artisti, në Wembley – në një periudhë të vetme, duke kaluar rekordin e mëparshëm të “Coldplay”, i cili kishte mbajtur 10 netë koncertesh në vitin 2025.
“Seria rekord e 12 koncerteve të Harry Styles tregon përmasat, ambicien dhe ndikimin kulturor të performancave të tij “live”, si dhe lidhjen e jashtëzakonshme që ai ka me fansat”, tha përfaqësuesi i “Guinness”, Will Munford.
Styles, 32 vjeç, nisi koncertet në Londër më 12 qershor, si pjesë e turneut të tij “Together, Together”, ndërsa koncerti i fundit u zhvillua të shtunën.
Gjatë koncertit të fundit, ku morën pjesë rreth 80 mijë njerëz, këngëtari u ndal për të kujtuar periudhën e tij me grupin “One Direction”.
“Unë nuk do të isha këtu në këtë skenë nëse nuk do të ishin katër miqtë e mi, që kanë qenë pjesë shumë e rëndësishme e këtij rrugëtimi”, tha Styles, duke falënderuar ish-anëtarët e grupit Niall Horan, Louis Tomlinson, Zayn Malik dhe Liam Payne.
Ai kujtoi se grupi u krijua në vitin 2010 në spektaklin televiziv “The X Factor UK” dhe u nda përkohësisht në vitin 2016.
Liam Payne ndërroi jetë në vitin 2024, në moshën 31-vjeçare.
“Gjashtëmbëdhjetë vite më parë, pranë këtij vendi, u futa në një grup që ndryshoi jetën time. Sa herë rikthehem në Wembley, kjo ka një domethënie shumë të madhe për mua”, u shpreh ai.
Styles nisi karrierën solo në vitin 2017 dhe që atëherë ka fituar gjashtë çmime “Brit Awards”, tre çmime “Grammy” dhe dy çmime “Ivor Novello”.
Albumi i tij i katërt, “Kiss All The Time. Disco, Occasionally”, u publikua në janar.
Përpara koncertit të fundit, stadiumi “Wembley”, vendosi një pankartë për të përkujtuar rekordin e tij, me mesazhin:
“12 koncerte. Një rekord”.
Fillimisht, koncertet e Styles në Wembley ishin planifikuar të ishin vetëm gjashtë netë, por numri u dyfishua për shkak të kërkesës së madhe nga fansat.
Në këtë turne, këngëtari ka zgjedhur të performojë vetëm në Londër dhe jo në qytete të tjera të Britanisë së Madhe.
Artistë të tjerë që kanë mbajtur seri koncertesh në Wembley përfshijnë edhe Taylor Swift, e cila zhvilloi tetë koncerte në stadium në vitin 2024.
Turneu i Harry Styles do të vazhdojë me koncerte në Brazil, Meksikë dhe SHBA, përpara mbylljes së tij në Australi në dhjetor.

