Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Civitanova Marche, në rajonin e Marche-s në Itali, ku pronarja e një picerie vendosi të mos e kalojë në heshtje sjelljen e dy turisteve që u larguan pa paguar faturën. Lajmi raportohet nga The Guardian dhe media italiane Cronache Maceratesi.
Pak ditë më parë, dy turiste franceze rreth të tridhjetave shkuan në picerinë “Ai Due Re” dhe porositën dy pica dhe katër Spritz, me një shumë totale prej 44 euro. Por në momentin që erdhi fatura, ato u larguan tinëzisht pa paguar.
Pronarja e lokalit, Michela Malatini, e indinjuar nga rasti, i cili, sipas saj, nuk ishte hera e parë, vendosi të veprojë. Ajo kontrolloi kamerat e sigurisë së restorantit dhe publikoi pamjet në Facebook me qëllim që të identifikonte vajzat.
View this post on Instagram
Pas publikimit të videos, një person që e kishte njohur protagonistet i dha informacion vendimtar: adresën e B&B-së ku po qëndronin turistet. Të nesërmen në mëngjes, Michela shkoi vetë në adresë me faturën në dorë.
Sipas saj, vajzat u ndjenë të turpëruara dhe paguan menjëherë pa kundërshtim. Rasti u raportua më pas në mediat lokale dhe rrjetet sociale, ku shumë njerëz vlerësuan vendosmërinë dhe guximin e pronares.
“Nuk është vetëm çështje parash, por respekti ndaj punës sonë. Fatkeqësisht, ky fenomen po shtohet dhe është si një shuplakë për ata që punojnë me ndershmëri... Por tani me kamerat nuk është më aq e lehtë të largohesh pa paguar”, tha ajo për Cronache Maceratesi.
Në korrik, një rast i ngjashëm ndodhi në Verbania (Piemonte), ku një grup të rinjsh u larguan nga një restorant pa paguar. Por njëri prej tyre kishte harruar telefonin në tavolinë. Kur u kthyen për ta marrë, i priti policia.







