Një nënë nga Padova, Itali, ka prekur zemrat e mijëra njerëzve pasi publikoi në rrjetet sociale një apel të ndjerë për ditëlindjen e të birit 10-vjeçar, një fëmijë me çrregullim të spektrit autik.
“Nuk ka shumë miq, nuk është shumë i popullor mes fëmijëve të tjerë, por ai meriton të festojë”, shkroi ajo në një postim në Facebook që është kthyer në simbol solidariteti.
“Të dielën më 14 shtator mbushi 10 vjeç. Mami po organizon një festë të vogël në parkun tim të preferuar. Unë nuk kam shumë miq... Do vish në ditëlindjen time?” – shkruhet në mesazhin që nënë Giulia postoi në emër të djalit të saj.
Në pak orë, postimi mori dhjetëra mijëra komente, shpërndarje dhe mesazhe mbështetjeje. Prindër nga gjithë Padova premtuan pjesëmarrjen, duke treguar se dashuria dhe ndjeshmëria ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta janë ende të forta në shoqëri.
Mami Giulia rrëfeu se që në çerdhe, ajo ftonte gjithë klasën në ditëlindjet e të birit, por askush nuk shkonte. “Më kujtohet një vit, vetëm një fëmijë erdhi. Ndërsa ditën tjetër, në festën e një bashkëmoshatari, ishin të gjithë”, tha ajo për Messaggero Veneto.
Këtë vit, situata është e ndryshme. Shumë prindër janë shprehur të gatshëm ta çojnë fëmijën e tyre në këtë festë, në parkun ku vogëlushi ndjehet më i lirë dhe i qetë.
“Po qaj prej dy ditësh nga emocionet. Mesazhet që kam marrë janë të jashtëzakonshme. Dua thjesht ta shoh të lumtur, të buzëqeshë. Dhe besoj se këtë herë, falë zemrës së madhe të padovanëve, kjo do të ndodhë”, përfundon Giulia.







