
Federata Shqiptare e Futbollit i besoi sërish teknikut Sylvinho Mendes stolin e Kombëtares kuqezi, me bindjen se suksesi i arritur me kualifikimin Europian do të përsëritet edhe për Botërorin 2026 që luhet në Amerikë.
Braziliani ka pranuar rinovimin dhe do të drejtojë pankinën kuqezi të paktën deri në dhjetorin e vitit 2025, ndërsa puna rinis nga shtatori me Nations League.
Pasi ka hedhur firmën në kontratën e re me FSHF-në, Sylvinho ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Instagram ku shprehet se skuadra do të jetë gati për sfida të reja.
‘Jam shumë i lumtur me rinovimin e kontratës së stafit tonë teknik deri në dhjetor 2025. Është vazhdimi i punës që nisi një vit e shtatë muaj më parë, me synimin për t’u kualifikuar në finalet Kampionatit Evropian e që u realizua.
Ne u përballëm si të barabartë me çdo rival në Euro 2024 dhe dolëm nga turneu krenarë për atë që bëmë. Por tani është koha për të ecur përpara dhe për t’u përballur me sfida të reja. Jemi gati për këtë. Forca Shqipëri!!!’, shkruan Sylvinho.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për tre nga të arrestuarit në kuadër të megaoperacionit të SPAK për goditjen e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave.
Në seancën për vlerësimin e masave të sigurisë, gjykata vendosi të mbajë në burg Orest Sotën, Orgest Birçajn dhe Dritan Agën. Ndërkohë, për Gëzim Islamin u vendos lirimi për arsye shëndetësore kundrejt një garancie pasurore prej 100 mijë eurosh.
Katër të arrestuarit dolën para Gjykatës së Posaçme këtë të shtunë, ndërsa seanca nisi në orën 09:00. Procesi u ndërpre për rreth dy orë pas kërkesës së avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan kohë për t’u njohur me aktet hetimore të dosjes.
Pas rifillimit të gjykimit, trupa gjykuese shqyrtoi kërkesat e palëve dhe vendosi masat e sigurisë për secilin prej të dyshuarve.
Në sallëne gjyqit ishin të pranishëm kreu i SPAK, Altin Dumani, prokurorja Elida Kaçkini dhe gjyqtarja Flojera Davidhi.
Megaoperacioni i SPAK ka në fokus goditjen e grupeve të përfshira në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe skemat e dyshuara të pastrimit të parave përmes investimeve në sektorin e ndërtimit. Hetimet për këtë çështje vijojnë.Versus.al

