Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Fisnik Asllani, ka reaguar pas humbjes në ndeshjen vendimtare ndaj Turqisë, që i mohoi Kosovës kualifikimin në Kupën e Botës.
Në një deklaratë emocionale pas ndeshjes, Asllani ka shprehur zhgënjimin e thellë për rezultatin, duke theksuar se skuadra ka dhënë gjithçka në fushë dhe ka luftuar deri në sekondat e fundit.
“Nuk është vetëm një humbje… është një ëndërr që u ndal pak para fundit. E dhamë shpirtin, besuam deri në sekondën e fundit, por fati nuk ishte në anën tonë. Dhimbja është e madhe, sepse e dinim sa afër ishim historisë… sa afër një momenti që do të mbetej përgjithmonë…”, shkruan sulmuesi kosovar në rrjete sociale.
Ai ka theksuar se pavarësisht eliminimit, skuadra duhet të jetë krenare për rrugëtimin dhe për mënyrën se si ka përfaqësuar vendin në këtë edicion kualifikues.
“Por ne jemi Kosova dhe do të kthehemi më të fortë! Faleminderit Kosovë”, ka shtuar më tej Fisnik Asllani, duke lënë të kuptohet se kjo gjeneratë lojtarësh synon të rikthehet edhe më e motivuar në kompeticionet e ardhshme.
Humbja ndaj Turqisë ka sjellë zhgënjim të madh në kampin kosovar, megjithatë paraqitja e ekipit në këtë fazë është vlerësuar si një hap i rëndësishëm në rritjen e përfaqësueses drejt garave të ardhshme ndërkombëtare./Versus.al

