Shqipëria është nën ndikimin e një vale të fortë të të nxehtit me temperaturat që ditën e sotme arrijnë deri në 40 gradë celcius në disa zona si Shkodra, Elbasani, Tirana, Berati, Fieri dhe Gjirokastra.
Gjithashtu edhe zonat bregdetare do të jenë nën ndikimin e vapës, ndërsa në pjesët malore të vendit pavarësisht se më freskët, temperaturat sërish mbeten të larta. Meterologia Tanja Porja tha për A2CNN se temperatura të tilla janë 9 gradë mbi mesataren klimatike të fundqershorit, kur normalisht maksimumet nuk duhet të kalojnë 30 gradë.
Sa i takon motit në ditët e ardhshme, Porja tha se duke nisur nga e marta, do të ketë një rënie të lehtë të temperaturave dhe rrebeshe shiu.
“Nga dita e nesërme kemi një rënie të lehtë të vlerave termike dhe kështu në vijim deri në fundjavë deri ditën e enjte kur presim që maksimumi të jetë rreth 34-35 gradë celcius. Ndërsa kemi rrebeshe nga pasditja së martës dhe ne vijim thuajse çdo pasdite në gjysmën lindore të vendit. Shumë më pak në bregdet. Kemi paqëndrueshmëri të kushteve të motit gjatë passiteve dhe më pas kthjellohen kushtet e motit në mbrëmje. Rrebeshe afatshkurtra gjatë pasditeve. Rrebeshe tipike të ditëve të nxehta. Presim që afër fundjavës të kemi mot të freskët”. Versus.al

