
Indri Shiroka ka festuar 37-vjetorin e lindjes në një atmosferë të mbushur me surpriza dhe emocione brenda reality show-t “Ferma VIP”.
Menjëherë pas mesnate, moderatorja Arbana Osmani ka njoftuar fermerët, të cilët i janë bashkuar festës duke i kënduar këngën tradicionale të ditëlindjes, duke krijuar një moment të gëzueshëm mes tyre.
Më pas, Indrit i është kërkuar të shkojë te “Agai”, ku e ka pritur një surprizë e veçantë.
Ai ka marrë një mesazh audio nga djali i tij i mitur, një moment që e ka emocionuar dukshëm dhe e ka prekur deri në lot.
Surprizat nuk janë ndalur me kaq.
Në vijim, ai është takuar me nënën e tij, e cila kishte përgatitur edhe një tortë ditëlindjeje.
E emocionuar, ajo i ka uruar të birit festën dhe e ka inkurajuar që të shijojë sa më shumë eksperiencën në program, duke u relaksuar dhe duke kaluar mirë.
Në festë është bashkuar edhe Vanesa, me të cilën Indri ka krijuar një lidhje gjatë qëndrimit në “Ferma VIP”. Prania e saj e ka bërë momentin edhe më emocional për të gjithë pjesëmarrësit.
Nëna e tij i ka shprehur mirënjohje Vanesës, duke i thënë: “Faleminderit që ma do djalin”, ndërsa Vanesa është përlotur dhe i ka kërkuar falje Indrit për emocionet dhe stresin e mundshëm gjatë kësaj periudhe, duke e kthyer festën në një moment të ngarkuar emocionalisht.

