
Perëndimi i Shteteve të Bashkuara po përballet me një valë të pazakontë dhe rekord të nxehti, me temperatura që kanë kaluar 40°C që në muajin mars, një fenomen që shkencëtarët e lidhin drejtpërdrejt me ndryshimet klimatike.
Në Los Angeles, banorët thonë se temperaturat janë të pazakonta për këtë periudhë. Ndërsa në Palm Springs temperatura arriti mbi 41.5°C, një rekord absolut për muajin mars që nga fillimi i matjeve në vitin 1893, sipas shërbimit meteorologjik amerikan. Edhe në Phoenix temperaturat arritën mbi 40°C, ndërsa në disa zona pranë kufirit me Meksikën u raportuan edhe mbi 43°C, që mund të jetë rekord historik për marsin në SHBA nëse konfirmohet.
Sipas një raporti të grupit shkencor ndërkombëtar World Weather Attribution, një valë e tillë nxehtësie në këtë periudhë të vitit do të kishte qenë “pothuajse e pamundur” pa ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor.
Shkencëtarët theksojnë se ngrohja globale po i bën ngjarjet ekstreme të motit gjithnjë e më të shpeshta dhe më të rrezikshme. Sipas analizave, në vetëm një dekadë, probabiliteti i një vale të tillë të nxehti është rritur rreth katër herë.
Ekspertja e klimës Friederike Otto nga Imperial College London paralajmëroi se këto fenomene nuk janë më të rralla. “Kërcënimi nuk është i largët, është këtu dhe po përkeqësohet”, tha ajo, duke kërkuar masa politike urgjente ndaj krizës klimatike.
Sipas autoriteteve amerikane, nxehtësia ekstreme është shkaku kryesor i vdekjeve të lidhura me motin në SHBA, më shumë se uraganet dhe tornadot. Valët e nxehtit në fillim të sezonit janë edhe më të rrezikshme, sepse trupi i njeriut nuk ka kohë të përshtatet me temperaturat e larta.
Sipas mediave amerikane, të paktën 65 qytete në perëndim të SHBA kanë thyer ose barazuar rekordet e temperaturave për muajin mars, ndërsa në disa zona turistike malore njerëzit kanë bërë ski në temperatura aq të larta sa disa zbrisnin pistat pa bluzë./VERSUS

