Shqipëria ka mbyllur pjesën e parë në avantazh 1-0 ndaj Letonisë, në një ndeshje ku dominimi kuqezi është ndjerë qartë, sidomos në mesfushë dhe në kontrollin e lojës.
Goli i vetëm i pjesës së parë u shënua në minutën e 25-të nga Kristjan Asllani, i cili realizoi saktë nga pika e bardhë, pas një penalltie të fituar nga kuqezinjtë në minutën e 23-të, kur Meļņiks ndërhyri gabimisht në zonë. Mesfushori shqiptar nuk gaboi dhe i dha epërsinë Shqipërisë në një moment kyç të ndeshjes.
Përfaqësuesja jonë ka pasur disa tentativa të rrezikshme për shënim edhe përpara golit, me Brojën, Laçin dhe Manajn që kanë provuar portën, por pa gjetur rrjetën. Arlind Ajeti dhe Asllani patën gjithashtu tentativa nga distanca, por pa sukses.
Nga ana tjetër, Letonia ka provuar të reagojë, por tentativa e tyre janë ose jashtë kuadratit ose të ndaluara nga mbrojtja shqiptare. Jurkovskis dhe Balodis kanë pasur raste, por pa e konkretizuar.
Pjesa e parë ka qenë edhe e pasur me duele fizike dhe kartonë të verdhë, me Šits dhe Jurkovskis që janë ndëshkuar nga arbitri për ndërhyrje të ashpra ndaj Asllanit dhe Bajramit. Me gjithse disa faulle nga të dy palët, Shqipëria ka ruajtur qetësinë dhe organizimin.
Përfundimi i pjesës së parë gjen kuqezinjtë në epërsi dhe me moral të lartë për të menaxhuar pjesën e dytë dhe ndoshta për të shtuar avantazhin.
Rezultati pas pjesës së parë: Shqipëria 1–0 Letonia
⚽ Goli: Kristjan Asllani (25', pen.)







