Shqipëria ka regjistruar një fitore të merituar ndaj Letonisë, duke triumfuar me rezultatin minimal 1-0, në një ndeshje ku kuqezinjtë dominuan në lojë, kontroll dhe shpirt gare. Me një paraqitje të sigurt dhe me zemër, djemtë e Sylvinhos i dhuruan tifozëve një tjetër mbrëmje krenarie!
Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 25-të nga Kristjan Asllani, i cili realizoi me gjakftohtësi nga pika e bardhë, pas një penalltie të fituar pas faullit të Meļņiks në zonë. Mesfushori i Torinos vulosi fatin e ndeshjes dhe dërgoi stadiumin në festë!
Letonia tentoi të reagojë në pjesën e dytë me disa sulme, por Thomas Strakosha ishte i pakalueshëm në portë, ndërsa mbrojtja shqiptare, e udhëhequr nga Gjimshiti dhe Mitaj, u tregua e pathyeshme.
Shqipëria pati edhe raste të tjera për të dyfishuar shifrat me Brojën, Manajn, Laçin dhe Hoxhën, por fati nuk ishte në anën tonë në finalizim. Pavarësisht kësaj, loja u kontrollua në mënyrë inteligjente, me një qarkullim topi të sigurt dhe përgatitje taktike që reflekton seriozitetin e skuadrës.
Ndeshja u karakterizua edhe nga duele të forta dhe tensione, me kartonë të verdhë dhe ndërhyrje të shumta nga të dyja palët, por kuqezinjtë ruajtën qetësinë dhe profesionalizmin deri në fund.
Pas 93 minutash të zjarrta dhe plot emocione, vërshëllima finale e arbitrit shpërtheu festën... Shqipëria del me kokën lart dhe me tri pikë të arta! / Versus/







