MAGAZINË /

Trofeu i Kupës së Botës mbërrin në Spanjë, festë dhe hare në pallatin mbretëror, Kombëtarja pritet nga Mbreti Felipe VI

Gjatë ceremonisë, lojtarët realizuan fotografinë zyrtare me trofeun, ndërsa presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Rafael Louzán, i dhuroi Mbretit një fanellë të kombëtares

Shkruar nga Versus

Trofeu i Kupës së Botës mbërrin në Spanjë,

Një ditë pas triumfit në finalen e Kupës së Botës 2026, kombëtarja spanjolle është rikthyer në vendlindje, ku është pritur nga Mbreti Felipe VI, kryeministri Pedro Sánchez dhe mijëra tifozë që kanë mbushur rrugët e kryeqytetit.

Delegacioni spanjoll mbërriti në aeroportin Adolfo Suárez Madrid-Barajas, ndërsa kapiteni Rodri zbriti nga avioni duke mbajtur trofeun e Kupës së Botës. Më pas, skuadra iu drejtua Pallatit të Zarzuelës, ku u prit në një ceremoni zyrtare nga familja mbretërore.

Mbreti Felipe VI përgëzoi futbollistët për suksesin historik, duke e cilësuar ekipin si një nga më të mirët në historinë e futbollit spanjoll. Gjatë ceremonisë, lojtarët realizuan fotografinë zyrtare me trofeun, ndërsa presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Rafael Louzán, i dhuroi Mbretit një fanellë të kombëtares.

Pas pritjes në Zarzuela, kampionët u drejtuan në Pallatin Moncloa, ku u pritën nga kryeministri Pedro Sánchez. Kreu i qeverisë përshëndeti një nga një futbollistët dhe stafin teknik, duke i falënderuar për triumfin që riktheu Spanjën në majën e futbollit botëror.

Festimet më pas janë zhvendosur në rrugët e Madridit. Kombëtarja do të përshkojë qytetin me autobus të hapur, ndërsa kulmi i festës pritet në sheshin Cibeles, ku mbi 60 mijë tifozë janë mbledhur për të festuar me heronjtë e tyre.

Atmosfera në kryeqytetin spanjoll është elektrizuese, me flamuj, këngë dhe fishekzjarre, ndërsa mijëra tifozë kanë dalë në rrugë për të përshëndetur skuadrën që riktheu Kupën e Botës në Spanjë pas triumfit historik./Versus.al

Poll