
Triumfi i Spanjës në Kupën e Botës 2026 duket se ka ndryshuar rrjedhën e garës për “Topin e Artë”, me Rodrin që tashmë konsiderohet favoriti kryesor për të fituar çmimin më prestigjioz individual në futboll.
Mesfushori i Manchester City dhe kapiteni i kombëtares spanjolle ishte një nga protagonistët e suksesit të “La Rojës”, duke udhëhequr skuadrën në fazën me eliminim direkt dhe duke u shpallur edhe Lojtari më i Mirë i Botërorit.
Deri para finales, Lionel Messi shihej si kandidati kryesor për të fituar për herë të nëntë “Topin e Artë”, pas një Botërori mbresëlënës me tetë gola dhe katër asistime. Megjithatë, humbja e Argjentinës në finalen ndaj Spanjës ka zbehur ndjeshëm shanset e kapitenit argjentinas.
Në garë mbetet edhe Lamine Yamal, i cili zhvilloi një sezon të suksesshëm me Barcelonën duke fituar La Ligën. Megjithatë, talenti spanjoll nuk arriti të kishte ndikim në finalen e Botërorit dhe e mbylli turneun me vetëm një gol.
Paraqitjet vendimtare të Rodrit në Botëror dhe roli i tij si lider i Spanjës e kanë vendosur atë në krye të listës së favoritëve për “Topin e Artë”. Megjithatë, analistët vlerësojnë se gara mbetet e hapur, pasi votat mund të ndahen mes disa yjeve të kombëtares spanjolle, një skenar i ngjashëm me atë të vitit 2010, kur Xavi dhe Andrés Iniesta ndanë preferencat e votuesve dhe Lionel Messi fitoi çmimin./Versus.al

