
Është shuar në moshën 86-vjeçari artisti i njohur, Piro Milkani. Lajmi u bë i ditur përmes një postimi nga i biri, Eni Milkani.
“Iku babai, shoku dhe kolegu im”- shkruan djali i regjisorit të njohur shqiptar që i fali Shqipërisë me dhjetëra prodhime kinematografike.
Piro Milkani ishte një ikonë e kinematografisë shqiptare, njeri që i dhuroi vendit tonë dhjetëra vepra filmike që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme.
I lindur në Korçë më 9 dhjetor 1939, Piro nisi rrugëtimin e tij artistik në qytetin e lindjes, ndërsa studimet i përfundoi në Akademinë e Arteve të Bukura në Pragë, Çekosllovaki, ku u diplomua si operator filmi. Atje realizoi edhe filmin e tij të diplomës, Nenavist (Mosmirënjohja), një hap i rëndësishëm drejt një karriere të jashtëzakonshme në kinematografi.
Pas kthimit në Shqipëri, ai u punësua në Kinostudion “Shqipëria e Re”, ku filloi si operator dhe më pas kaloi në rolin e regjisorit. Gjatë karrierës së tij, realizoi mbi 20 filma artistikë, ndër të cilët tituj si Ngadhënjim mbi vdekjen (1967), Shtigje lufte (1974), Militanti (1984), Pranvera s’erdhi vetëm (1988) dhe Trishtimi i zonjës Shnajder (2006).
Për meritat e tij të jashtëzakonshme në artin shqiptar, Piro Milkani u vlerësua me shumë tituj dhe çmime, duke përfshirë “Artist i Popullit” në vitin 1987 dhe medaljen “Ambasador i Filmit Shqiptar” nga Ministria e Kulturës.
Ai do të mbahet mend jo vetëm si artist i madh, por edhe si njeri i përkushtuar ndaj familjes dhe artit, i dashur dhe i respektuar nga të gjithë. Versus.al







