
Ministrja e Brendshme Albana Koçiu mori pjesë në konferencën ku u njoftua se do të nisë zbatimi i projektit “Smart City” me kamera të inteligjencës artificiale në 20 qytete të vendit.
Koçiu tha se do të vendosen 5 mijë kamera në qytetet kryesore dhe 3 mijë kamera në uniformat e policisë. Sipas saj, ky projekt do të rrisë sigurinë në shkolla e ambiente publike si dhe do të ndihmojë në gjurmueshmërinë dhe zbardhjen e ngjarjeve kriminale.
“Me nënshkrimin e sotëm Shqipëria bëhet pjesë e një elite vendesh që e kanë kthyer IA në shërbim të sigurisë publike. Nuk është rastësi që këto sisteme aplikohen në 4 kontinente dhe 19 shtete. Përfshirë 3 nga vendet më të sigurta si Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreni dhe Jordania. Shqipëria do bëhet vendi i parë në rajon që do ketë sistem të integruar të sigurisë dhe menaxhimit urban në 20 qytetet më të mëdha dhe arteriet kryesore. Smart City do të lidhë kamerat e sigurisë, patrullimin, trfikun, reagimin ndaj emergjencave duke vendosur theksin tek parandalimi dherritja e sigurisë për të gjithë. Me vënien në zbatim të këtij projekti përfitojnë përdoruesit e rrugës sepse të fortët që ecin me shpejtësi dhe ecin kuturu, identifikohen dhe penalizohen në moment. Përfiton qytetari sepse rritet reagimi, përfitojnë prindërit sepse rritet siguria në shkolla. Përfitojnë bizneset sepse rritet siguria e përgjithshme rreth tyre. po ashtu përfitojnë edhe shërbimet e emergjencës sepse menaxhimi i trafikut bëhet më efikas dhe i shpejtë. Smart City nuk është thjesht projekt transformues, por për Shqipërinë e së nesërmen. Do vendosim mbi 5 mijë kamera inteligjente në 20 qytete të Shqipërisë. Janë sisteme që analizojnë e sinjalizojnë në mënyrë autonome. Po ashtu janë 3 mijë kamera të trupit që do instalohen në uniformat e efektivëve të policisë. Kjo do thotë më shumë transparencë dhe shërbim më i denjë. Po ashtu do instalohen kamera e radarë për matjen e zhurmave në arteriet kryesore të vendit’- deklaroi Koçiu. Versus.al

