Sot, syri i opinionit publik dhe i gjithë klasës politike qëndron i fiksuar te Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku SPAK do të paraqesë raportin vendimtar për ecurinë e hetimeve ndaj Erion Veliajt — kryebashkiaku i Tiranës që qëndron prapa hekurave që prej 10 shkurtit 2025.
Akuzat që peshojnë mbi Veliajn — korrupsion dhe pastrim parash — e kanë kthyer çështjen e tij në procesin më të bujshëm të momentit, që po mban të mbërthyer opinionin, median dhe elitën politike.
Sipas ligjit, SPAK detyrohet të raportojë periodikisht, çdo dy muaj, për ecurinë e hetimeve, dhe kjo e sotmja është hera e dytë që prokurorët dalin para gjyqtarëve me detaje të reja nga hetimi. Pas paraqitjes, GJKKO do të vendosë nëse masa “arrest me burg” do të qëndrojë, apo do të zbutet — që do të ishte një kthesë dramatike për fatin e kryebashkiakut.
Avokati i Veliajt, Ermir Beta, e ka lënë të kuptohet se do të kërkojë lehtësimin e masës, nëse nga hetimet e SPAK dalin rrethana që e justifikojnë.
Seanca e sotme, pra, mund të shënojë një pikë kthese — jo thjesht për Veliajn, por edhe për gjithë panoramën politike që qëndron pas tij. A do të qëndrojë prapa hekurave, apo do të dalë nga qelia? Përgjigjen do ta japë GJKKO. Versus.al







