Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale ndaj kritikëve sa i takon mungesës së avionëve zjarrfikës për të përballuar situatën aktuale tepër të rënduar nga zjarret në vend. Rama shkruan se Shqipëria ka mjete ajri më shumë se çdo vit më parë falë mbështetjes nga Mekanizmi Europian.
Ai shkruan mes të tjerash se edhe Greqia, Italia, Turqia dhe Spanja pavarësisht se përvelohen nga zjarret çdo ditë e më shumë, kanë mungesa avionësh. Mes rreshtash, kreu i qeverisë thotë se shumë prej shteteve po përjetojnë pasoja më të rënda sesa Shqipëria.
Postimi i plotë i Ramës:
Ka shpërthyer një debat pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës, ndërkohë që ka ca llogari që duhen bërë kur flitet për blerje avionësh dhe nga ana tjetër, zjarret e këtyre ditëve të fundit nuk janë assesi çështje e një apo dy apo edhe tre avionësh!
Dakord, padyshim që mirë do ishte t’i kishim, por…
Duke i siguruar të gjithë se kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë, falë flotës sonë dhe mbështetjes nga Mekanizmi Europian bashkë me Emiratet e Bashkuara Arabe, i ftoj të gjithë të ngrenë një pyetje: Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se ç’do vit tjetër kanë vallë mungesë avionësh?!
Ja një informacion bazuar në referencat e vetë shtypit grek për Greqinë për shembull:
Greqia ka një flotë ajrore totale prej 77 avionësh zjarrfikës; helikopterë janë pakashumë 20; automjete të tjera afërsisht 3,500 dhe zjarrfikëse të të gjitha llojeve e funksioneve.
Pra, e thënë thjeshtë. Sa më shumë aq më mirë padiskutim, por prapëseprapë kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë disa, janë njësoj për të gjithë shtetet që po i vuajnë zjarret këtë sezon (disa shumë më keq se ne meqë ra fjala) dhe janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët. Versus.al







