
Opozita deklaroi sot se nuk e njeh Avokatin e Popullit duke bllokuar në seancën e pasdites raportimin e Endri Shabanit, megjithëse ishte përfshirë në rendin e ditës.
Pas disa momenteve tensioni dhe shkëputje herë pas here të punimeve, kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kërkoi ndërprerjen e seancës plenare dhe propozoi që raportimi i drejtuesve të institucioneve të pavarura të shtyhej për seancën e ardhshme, duke ruajtur të njëjtin rend raportimi.
"Pesë institucionet që janë sot të programuara për të raportuar në seancë, të ruhen për seancën e ardhshme. Propozoj që rezolutat për KLP-në, KLSH-në, KLGJ-në, Prokurorinë e Përgjithshme, SPAK-un, ILD-në dhe Avokatin e Popullit të kalojnë në seancën pasardhëse.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi i bëri thirrje opozitës të mos bllokojë seancën pasi nuk ka një vendim gjykate për pezullimin e vendimit të zgjedhjes së Shabanit në krye të institucionit të Avokatit ë Popullit
“Si mund të bllokosh kuvendin kur nuk të pëlqen një drejtues institucioni. Nuk e vendosim ne nëse ai është i ligjshëm apo jo, e vendos gjykata dhe ju shumë mirë keni bërë që e keni çuar atje”, tha Peleshi.
Më tej ai hodhi për votim kërkesën e Ballës për shqyrtimin e raportimit të Avokatit të Popullit Endri Shabanit në seancën e së enjtes më 23 korrik, e cila u miratua me 76 vota pro./Versus.al

