
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka hedhur akuza të forta ndaj ish-drejtoreshës së Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, dhe bashkëshortit të saj, Fetah Mataj.
Përmes një reagimi publik, Noka pretendon se ish-drejtoresha ka shpërdoruar 69 milionë lekë të reja nga arka e shtetit, para të cilat, sipas tij, janë përdorur për lojëra fati.
Deputeti demokrat akuzon gjithashtu bashkëshortin e saj, të cilin e cilëson si "kryepatronazhist të PS-së", duke pretenduar se çifti frekuenton vazhdimisht kazinotë.
Sipas Nokës, vetëm gjatë muajve të fundit, Elisabeta Mataj dhe bashkëshorti i saj kanë hyrë mbi 330 herë në kazino.
"Me paratë e shqiptarëve luajnë bixhoz burrë e grua. Ajo drejtoreshë poste, ai kryepatronazhist i Rilindjes. Një horr i shpërblyer për blerje votash dhe shantazh për vota për PS", shprehet Noka në deklaratën e tij./Versus.al

