
Pas më shumë se 50 ditësh ku rendiste faktorë të ndryshëm sipas tij të jashtëm e “algoritmin” për protestat masive në shesh, kryeministri Edi Rama ka ndryshuar mendim sa i takon protestave të qytetarëve.
Teksa foli për një raport ndërkombëtar që e rendit Shqipërinë si vendin e parë në rajon për progresin sa i takon performancës mjedisore, kryeministri Edi Rama tha se fakti që kaq shumë njerëz, sipas tij protestojnë për natyrën, do të thotë se shoqëria shqiptare ka ndryshuar për mirë.
Ndryshe nga herët e tjera kur pretendonte se Irani, apo agjentë nga vende “armike” të Shqipërisë si dhe “algoritmi” kishin nxitur qytetarët të protestonin, këtë herë kreu i qeverisë tha se protestat janë një “fitore qytetërimi”.
“Kemi arritur deri aty ku të zhvillojmë protesta të mëdha për mjedisin. Kjo pavarësisht çdo ekzagjerimi, manipulimi apo instrumentalizimi politik që ju bashkangjit atyre protestave, është në vetvete arritje e madhe e shoqërisë sepse prania e aq shumë njerëzve që shqetësohen me flamingot, pyjet apo biodiversitetinb, tregon se bashkë me Shqipërinë, ka ndryshuar edhe shoqëria shqiptare. Kjo është fitore qytetërimi. Një shoqëri që debaton për natyrën, është shumë e shumë më përpara sesa një shoqëri që e sheh në heshtje shkatërrimin e saj, siç ishte shoqëria e para 10 viteve. Prandaj unë nuk kam parë kurrë armiq tek ata që duan sinqerisht natyrën edhe kur nuk ndaj të njëjtin mendim me ta. Përkundrazi ata duhet të na kujtojnë se zhgënjimi nuk duhet të jetë kurrë justifikim për të harruar atë që na është dorëzuar nga e shkuara dhe duhet t’ua dorëzojmë më të mirë brezave që i përkasin të ardhmes”- tha Rama mes të tjerash.
Ndërsa pranoi se qeveria ka bërë edhe gabime, ai tha se do të ketë edhe reflektim për protestat në bulevard.
“Kush punon gabon. Kush qeveris nuk mund të pretendojë se ka gjithmonë të drejtë. Edhe ne kemi gabuar, edhe ne kemi shumë për të mësuar dhe përmirësuar. Ky raport nuk është një medalje për t’u vetëkënaqur dhe as për t’ua përplasur në fytyrë atyre që mendojnë ndryshe nga unë. Reflektimi i premtuar për atë që na vuri përpara pasqyra e bulevardit të flamingove, është jo vetëm i nevojshëm, por i domosdoshëm”- shtoi kryeministri. Versus.al

