POLITIKË /

Akuza të forta në Kuvend, Bardhi-Hoxhës: Bandat e Durrësit bënë marrëveshje për të të zgjedhur ministër

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi tha se ka biseda të Ramës të cilat janë zbardhur nga hetimet

Shkruar nga Versus

Akuza të forta në Kuvend, Bardhi-Hoxhës: Bandat e Durrësit

Në seancën plenare të sotme në Kuvend ka pasur akuza të forta të ngritura nga ana e kreut të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi i cili tha se kryeministri Edi Rama shfaqet në përgjime teksa ofendon përfaqësues të opozitës dhe kërkon vota.

Ai akuzoi gjithashtu ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha duke e cilësuar atë si ushtar të bandave të Durrësit, ndërsa për vëllain e tij tha se do të ketë shumë shpejt veprime të drejtësisë duke e konsideruar atë si “hajdut të taksave të qytetarëve në OSHEE”.

“Turmë je ti dhe turma e hajdutëve që të rrethon ty duke përfshirë dhe tët vëlla që do marri në qafë veten dhe Belinda Ballukun së bashku me të. Do e mësosh shpejt përse po e them. Se është një hajdut që vjedh paratë e qytetarëve atje në OSHEE.

Nuk e di nëse lexove SMS që të kishte dërguar Edi Rama apo sms që të ka dërguar banda e Troplinëve të Durrësit , ushtar i të cilëve je ti. Je një njeri ushtar i bandave të Durrësit të cilat në marrëveshje me njëra tjetrën të kanë zgjedhur ty ministër të Brendshëm. Këtë e dinë mirë edhe kolegët e PS që ti u shkon e u falesh bandave të Durrësit. Dhe mos guxo më kurrë të më drejtohesh mua apo deputetëve të opozitës me epitete sepse ne mund të të vëmë një 20 epitete të merituara. Nuk ka punë policia e shtetit në Kuvend. Ti ose i shërben krimit ose ligjit dhe ti e ke bërë zgjedhjen, i shërben krimit”- u shpreh Bardhi.

Nga ana tjetër, Hoxha tha se Bardhi gënjen me pretendimet ndaj kryeministrit dhe ndaj tij sa i takon akuzave për lidhje me bandat e Durrësit.

“Në pikëpamjen profesionale psikokriminale që unë kam për shkak të detyrës, ti hyn te njerëzit recidivistë, përsëritës, gënjeshtar. Që ti gënjen, akuzon dhe më pas u beson atyre për të cilat ti akuzon, kjo është shumë e vërtetë. Policia e shtetit nuk ka hyrë në Kuvend, por e mbrojti nga turma e protestuesve që drejtohej nga ti”- u përgjigj Hoxha.

Bardhi tha se për shkak të ndalimit të publikimit të dosjeve hetimore në SPAK, nuk mund të flasë për detaje të tjera. Ndërkohë, kjo nuk është hera e parë që Gazment Bardhi pretendon për vepra të tilla penale nëpërmjet përgjimeve të Sky Ecc, por në denoncimin e bërë javë më parë për drejtorin e policisë së Shkodrës, pretendimet e Bardhit u rrëzuan për shkak se Edmond Sulaj ishte emëruar në detyrë në vitin 2023, ndërsa përgjimet ku Bardhi pretendonte se bandat e Shkodrës e kishin zgjedhur, datonin në vitin 2021. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: