POLITIKË /

Arlind Qori i përgjigjet “JO” ftesës së Berishës për t’u bashkuar me protestën e PD-së. Adriatik Lapaj në mëdyshje

Shkruar nga Versus

Arlind Qori i përgjigjet “JO” ftesës së Berishës

Drejtuesi i "Lëvizjes Bashkë", Arlind Qori dhe kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj kanë reaguar ndaj ftesës së Sali Berishës për të marrë pjesë në protestat që do të organizojë Partia Demokratike.

Qori ka refuzuar ftesën e Berishës, duke shpjeguar se nuk do të bëhet pjesë e protestave të PD-së, sepse i cilëson pjesë të sistemit të vjetër politik.

“Jo dje, jo sot, jo nesër. Lëvizja Bashkë nuk ka për ta ndyrë kurrë veten për të qenë pjesë e një sistemi të korruptuar politik. Ne jemi për rrëzimin e qeverisë së korruptuar të Edi Ramës dhe, bashkë me të, të gjithë këtij sistemi të kalbur, të korruptuar, të vjetruar dhe servil ndaj oligarkisë”, tha Qorri.

Kreu i “Lëvizjes Bashkë”, deklaroi se qëndrimi i tyre nuk do të ndryshojë dhe se betejat e tyre politike do të vijojnë jashtë aleancave me forcat tradicionale politike.

Reagimi i Adriatik Lapaj ishte ndryshe. Pyetjes nëse do ti bashkohet tryezës së Berishës, ai u përgjigj se me rëndësi është që qytetarët të protestojnë, përtej logove të partive politike.

“Për çfarë na duhen tryezat? Ne na duhen qytetarët në shesh. Përfaqësues nga të gjitha organizatat, një komitet që selinë ta ketë në Bulevard duke marrë vendimin për largimin e Ramës. Unë jam i gatshëm të bëj një hap pas dhe të jem qytetar i thjeshtë. Unë jam i gatshëm të bëj hap pas nëse ky detyrohet të ikë”, deklaroi Lapaj.

Sipas Lapaj sheshet duhet të mbushen plotë me qytetarë që dëshirojnë të protestojnë kundër qeverisë së Edi Ramës.

“Thelbi i protestës është të ndërgjegjësojë qytetarët për zgjedhje të lira e të ndershme dhe të vendoset diskursi publik si dorëheqja e Ramës si një nga njerëzit e korruptuar. Sheshet do të duhet të jenë plot, por e kuptoj edhe humbjen e shpresës. Pasi njerëzit kanë parë si rrugë ikjen”, u shpreh Lapaj./Versus.al

Poll