
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, është takuar sot me kryetarin e Lëvizjes Demokratike në Maqedoninë e Veriut dhe kryetarin e Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në një takim që vjen pas zhurmës së krijuar në rrjet për disa mesazhe të publikuara në WhatsApp.
Sipas pretendimeve të ngritura publikisht, në këto komunikime Hoxha dyshohet se është shprehur në mënyrë fyese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
Këto akuza kanë shkaktuar reagime politike dhe kërkesa për sqarim dhe kërkim falje nga pala maqedonase shqiptare.
Pas publikimit të tyre, ministri i ka mohuar kategorikisht, duke i cilësuar si të pavërteta dhe si “tymnajë”.
Në një prononcim për mediat, ai është shprehur se situata po keqinterpretohet dhe se nuk ka asgjë të vërtetë në mesazhet e publikuara.
“Keni mbetur te java e kaluar, ndërkohë që gjërat kanë evoluar. Nuk ka asgjë të vërtetë nga ato mesazhe. Shqipëria po ecën në rrugën e BE-së dhe nuk do merrem me tymnaja,” është shprehur ai.
Pas këtij debati publik, takimi me Mexhitin është interpretuar edhe si një përpjekje për të ulur tensionet dhe për të sqaruar situatën.
Vetë Hoxha ka deklaruar pas takimit se çështja është e ekzagjeruar dhe se marrëdhëniet mes palëve mbeten të forta.
“U ngrit kjo tymnajë dhe u takuam,” tha ai.
Nga ana tjetër, Mexhiti theksoi rëndësinë e komunikimit të vazhdueshëm mes palëve, duke shtuar se edhe në politikë ka mosmarrëveshje, por ato duhet të zgjidhen me dialog.
“Edhe në familje ka zënka. Sot kemi folur për Korridorin VIII,” u shpreh ai.
Në përmbyllje të deklaratave, Hoxha theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut mbeten të pandryshuara dhe të forta, pavarësisht zhurmës së krijuar në rrjet./Versus.al

